Pse duhet të jemi sot në protestë?

Pse duhet të jemi sot në protestë?

Nga Enver Bytyci - 20/02/2024

1. Sepse nuk duam më të vazhdojë braktisja e Shqipërisë. Duam ta ndalojmë hemoragjinë kombëtare të emigrimit dhe shpopullimit!

2. Sepse duam që të ringrihen tri shtyllat e shtetit: - Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike!

3. Sepse nuk duam një vend pa opozitë, me institucione shtetërore në duart e një njeriu. Ne shqiptarët i kemi vuajtur pasojat e diktaturës dhe nuk mund të lejojmë të rikthehet ajo në emër të stabilokracisë!

4. Sepse duam drejtësi. Drejtësi sidomos në luftën kundër korrupsionit, mafies dhe krimit të organizuar. Pra drejtësi e luftë pa kompromis kundër të keqes që e ka mbërthyer për gryke regjimin e sotëm!

5. Sepse duam barazi. Barazi në dinjitet, barazi në integritet, barazi në votim, barazi në shpërndarjen e të mirave materiale dhe fondeve publike, barazi dhe drejtësi në shanse!

6. Sepse duam liri! Liri të fjalës e të mendimit, liri të shprehjes në medie, liri të kritikës e të kontrollit të institucioneve të shtetit, sidomos ekzekutivit, liri në zgjedhjet politike, por edhe në zgjedhjet personale për ta ndërtuar vetë jetë tonë!

7. Sepse duam demokraci! Demokraci në ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e pavarur të tyre! Demokraci në pjesmarrjen e drejtpërdrejtë në qeverisje përmes referendumeve. Demokraci në ushtrimin e funksioneve të secilit institucion! Pra llogaridhënie dhe jo si tani, kur ekzekutivi e shteti i kërkojnë llogari popullit, zgjedhësve!
A na i siguron këto vetëm një protestë? Sigurisht që jo. Por ne duhet të dëshmojmë se ne i duam këto vlera të shoqërisë njerëzore! Dhe kjo protestë duhet të japë mesazhin se është mjet i efektshëm për të arritur këto synime. 

A na i siguron këto opozita që ka thirrur protestën? Ne duhet ta rrëzojmë këtë regjim dhe duhet ta testojmë e paralajmërojmë opozitën se ne nuk do ta tolerojmë as atë nesër në pushtet! Vetëm duke i marrë vetë ne fatet tona në duart tona do të imponohemi. Por radha është t'i imponohemi këtij regjimi! Që sot!

Opozitën do ta testojmë nesër e në çdo protestë që do të bëhet! Nesër do ta testojmë për projektin dhe kërkesat ultimative që do t'i bëhen regjimit kleptokratik e mafioz të Shqipërisë.
Mos u pajto me stabilokracinë, kërko me ngulm lirinë dhe demokracinë! Kjo është motoja dhe qëllimi ynë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco