Asambleja që do ta kishte zili edhe Mark Zuckerberg

Asambleja që do ta kishte zili edhe Mark Zuckerberg

Nga Hysni Gurra - 11/02/2024

Prej paradites së kësaj të diele po mbahet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste.

Në një parti brenda së cilës debati dhe mendimi ndryshe kanë vdekur me ardhjen e Edi Ramës në krye, në një parti ku imazhi është gjithçka dhe thelbi asgjë, në një parti që qëveris vendin prej 11-vjetësh falë sistemit të patronazhimit, vjedhjes e përdorimit të administratës publike në funksion të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve dhe jo në shërbim të tyre, nuk kishte si të ndodhte që Asambleja të përdorej si platformë e rrahjes së mendimeve ndryshe dhe llogaridhënies.

Si llogaridhënie çfarë ka arritur të ndryshojë kjo parti për jetën e socialistit të thjeshtë dhe çdo qytetari të zakonshëm?

Në një Asamble ku do duhej që elita drejtuese të jepte llogari për varfërinë, shpopullimin e rrënimin e vendit, ndodh krejtësisht e kundërta, në një Asamble ku partia në pushtet do duhet të bënte një llogari të brendshme se pse nuk janë realizuar premtimet elektorale, në një Asamble ku partia në pushtet do duhet të bënte një llogari të brendshme për korrupsionin galopant në radhët e saj, në nje Asamble ku do duhej që kryetari i saj, që është edhe kryeministër, të jepte llogari para asambleistëve për shkatërrimin e partisë, për korrupsionin qeveritar, për asocimin e partisë me bandit, ndodh krejt e kundërta.

Kryetari që do duhej t’u jepte llogari asambleistëve për gjithë keqqeverisjen, kthehet në një akuzator i tyre pse nuk performojnë mirë në Facebook.

Asambleja e Partisë Socialiste është kthyer në një mbledhje aritmetike rrjetesh sociale. Kush, sa aktiv është?

Kush sa postime ka bërë në rrjet për të mashtruar socialistët dhe shqiptarët se këtu hahet me lugë floriri.

Sipas informacioneve të dala nga brenda mbledhjes hermetike, Edi Rama është fokusuar totalisht në sherret e brendshme të partisë.

Në performancën e Olta Xhaçkës në Facebook, të cilën pasi e bëri investitore strategjike, i mbajti peng mandatin e deputetes duke mos e vënë ne dispozicion të drejtësisë me regji.

Sulmet ndaj Erion Veliajt, të cilin më shumë se për organizim të dobët të partisë, ka filluar ta kritikojë si njeriun që nuk po duron më tepër për t’i bërë varrin politik Ramës.

Pra, Asambleja e një partie që do duhej të ishte model i debatit të brendshëm, llogaridhënies dhe diskutimit të halleve të qytetarëve, ka përfunduar në një mbledhje të një organizate biznesi që bën bilanc fitimesh të vjedhjeve.

Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur dihet që Partia Socialiste nuk ekziston më, ajo është asfiksuar nga një grup mafioz që mashtron socialistët për t’u marrë votat dhe me votat e tyre shpopullon e vjedh Shqipërinë.

Këtë Asamble do ta kishte zili edhe pronari i Facebook, Mark Zuckerberg, apo Elon Musk, pronari i X.

Nuk ndodh në asnjë vend të botës që partia në pushtet, partia që qeveris një vend prej 11 vjetësh të ketë analiza qendrore të saj postimet e ministrave, deputetëve e asambleistëve të tjerë në rrjetet sociale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco