Shqipëria ishte e imja, prandaj do ta rimarr

Shqipëria ishte e imja, prandaj do ta rimarr

Nga Pranvera Shehaj - 11/02/2024

Unë nuk e njoh të shkuarën dhe gjakun tim të lidhur me saze, tallava, penevreke apo nudizëm. Unë nuk e njoh të shkuarën e rrënjëve të mia për frikën, shitjen, tradhëtinë, përbuzjen dhe përuljen. Unë nuk e njoh gjakun tim për imoralitet, pabesi, apo primitivizëm instiktiv. U rrita me legjenda trimash, u shkollova me histori triumfi mbi pushtuesit, lexova për burra e gra që nuk iu përulën diktatorit, vdiqën për së gjalli a jetën e hodhën tutje për dinjitet, dëgjova për të rinj që të kyçur në terrin e komunizmit e donin, e ndjenin, e luteshin për Evropë, idealistë që e deshën Shqipërinë si gjithë Evropa kur për Evropën pak dinin, e në fund, u rrita me Shqipërinë që e uritur për t‘i bërë vetes vend vraponte, rrëzohej, ringrihej e prapë vraponte drejt së lashtës Evropë.

Shqipëria, kur e imja ishte, ishte e varfër, po, por jo e pashpresë. Ishte e papjekur, por jo e paditur. Shqipëria, kur e imja ishte, luftonte për t’u ulur krah Evropës, e me këmbëngulje dëshmonte hap pas hapi dëshirën për t‘u parë me dinjitet nga Evropa. Sot, kur Shqipëria më e imja nuk është, koha i dha të drejtë Konicës: “Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur”. Sot, kur Shqipëria më e imja nuk është, bashkëkombasit e mi më janë bashkuar larg saj, me arsye të ndryshme nga e imja, as për shkollim as për ëndrra të mëdha që tejkalojnë kufijtë.

Më janë bashkuar bashkëkombasit e mi këtu në Evropë përmes kërkesave për azil, në radhë me sirianët e popuj të luftës, më janë bashkuar e në sytë e Evropës, e ndjej çdo ditë se mbahen ashtu si Konica i përshkruan. Shqipëria, kur e imja ishte, ashtu e çalë e mbase e ngadaltë, u mundua t’i rikthente dinjitetin pronës, t‘i jepte frymë konkurrencës, t‘i jepte krahë bizneseve të vogla e të mesme duke i çliruar nga taksat, të respektonte mësuesin, mjekun, profesorin, artistin përmes dyfishimit të vlerësimit për punën e tyre. Sot, kur më e imja nuk është, shëndetësia, arsimi, bujqësia, transporti, mbrojtja, diplomacia, janë përçkënditur në zyrat e shtetit, drejtohen nga figura anonime, kukulla haremi që ndërrohen ende pa u identifikuar. Tempujt e vendimmarrjes mbi këto fusha, ashtu sikurse bashki e komuna, u kthyen jo pak herë në dhoma hotelesh, tryeza të varësisë nga narkotikët, salla të shitjes së interesit kombëtar. Sot, kur Shqipëria e imja më nuk është, më ngjan e pabesë, kur krenarisht, pasi zhduku nga trojet e saj qindra e mijëra shqiptarë, u shndërrua në autokraci elektorale absolute, e vetmja që në rajon i bashkohet Serbisë. Vallë, çfarë e lidh Shqipërinë me Serbinë, e çfarë e ndan Shqipërinë nga Kosova, që sot, si për pabesi e tradhëti ndaj historisë e dhimbjes së kombit, është kaq e ngjashme politikisht me Serbinë, e kaq e ndryshme nga Kosova?!

Unë nuk i përkas Shqipërisë së delenzuar nga kryeministri i vendit tim, se bijë artisti nuk jam, por sa krenarisht nuk jam as bijë firmëtari ekzekutimesh. Nuk është në historinë e fletëve të bardha të kombit tim, të shitem për pangopësi, të shkel mbi shqiptarin në emër të partisë. E di, është në fletët e zeza të historisë së kombit tim, por koha kur Shqipëria e imja ishte, më dëshmoi turpin dhe dhimbjen që ndjenin shqiptarët për atë errësirë. Shumica apo pakica, s’e di. Di vetëm se nëse shqiptarët, - ata të gjakut tim që e dinin dhe e përbuznin turpin e të shkelurit mbi veten, mbi bindjet, mbi dinjitetin, mbi tokën e mbi kombin, - dëshmuan se pati vite kur Shqipëria zgjoi shpresë.

Shqipëria ishte e imja, prandaj do ta rimarr. Si? Nuk bindem, nuk përulem, nuk negocioj mbi votën, nuk njoh institucion që nuk i përket dinjitetit të vendit tim, nuk hesht kur uniformat e pushtuesve anti-shqiptarë të Shqipërisë vrasin fëmijë në landfille, qëllojnë në mesnatë të rinj, i sulen shtazërisht çdo protestuesi shqiptar, nuk zgërdhihem kur pengmarrësi i vendit tim seksualizon gra, ironizon burra, terrorizon profesionistë, kërcënon studentë, nëpërkëmb profesionistë, zhduk shqiptarë dhe përvetëson tokën time për ta kthyer ne anije burg të emigrantëve s’di se prej ku. Nuk tutem kur të vetmen armë në funksion të vizionit tim për këtë vend, votën, një tufë analfabetësh, pa asnjë lidhje shpirtërore, kulturore e identiteti me vendin tim, e luajnë si kartë fasade për të gënjyer reciprokisht ambasadorë e burokratë të huaj mbi të harruarën demokraci. S’më hesht përsa kohë nuk ma rikthen Shqipërinë time asnjë vrasje reciproke mes rilindasve të kësaj dekade. Ata vriten sot mes vetes, njësoj si dikur, ndërsa mua e shqiptarëve sot, besoj se po aq njësoj sa shqiptarët dikur, kur ata përpihen e përpëliten mes vetes, mendjen dhe kurajon ma mban gjallë vetëm këmbëngulja për ta rimarrë Shqipërinë time.

Shqipëria ishte e imja, prandaj do ta rimarr. Është delir provizor, sfidë kombëtare dhe çmenduri jo e lehtë për t’u kaluar rrëshkitja në dëshpërim, mjerim, turp kombëtar dhe izolim ndërkombëtar, rrëshkitja në errësirën e autokracisë meskine, kjo e vendit tim. E megjithatë, historia ka dëshmuar se nuk është e pamundur. Një komb që u ngrit mbi veten pas 50 viteve errësirë, ka gjithë shpresën e bekimin për ta rigjykuar veten e për ta rigjetur rrugën pas 11 viteve dështim e nëpërkëmbje. Si rrjedhojë, përsa kohë ende mbaj mend se Shqipëria ishte e imja, do ta rimarr, edhe pse sërish, qysh prej Konicës e di, se “Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra [...]; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur [...];  dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.”

 

Pranvera Shehaj është anëtare e Departamentit Brain Gain dhe Ekselenca në Partinë Demokratike

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco