Pesë pyetje për Bujar Kapexhiun

Pesë pyetje për Bujar Kapexhiun

Nga Agim Xhafka - 30/11/2023

1-Po mbushet muaji që Jamarbër Malltezi është në arrest sepse ka marrë pronën e tij, që ia shtetëzoi qeveria komuniste. Ti ke marrë prona nga të tuat?

-Unë për fatin tim të lumtur nuk kam asnjë pronë, ndaj jam i qetë. Nuk kam as mërzitje e as frikë për ndonjë arrestim, por bashkëshortja ka shumë prona, nga të cilat ka marrë me siklete veç çerekun e tyre. Pjesën tjetër, e bindur që nuk do e marrë kurrë, ia ka falur shtetit, pra që një mik i kryeministrit të ndërtojë një fshat turistik privat.

2-Basha po bredh fshat më fshat e qytet më qytet vetëm për të provuar byrekët?

-Luli, nga uria e madhe që ka për pushtet... më falni... për byrek, dhe pasi e dogji byrekun e tij, tani do të kafshojë qyl ndonjë kafshatë nga byrekët rurale.

3-Belerin ka shtatë muaj që e mbajnë të burgosur. Beson se do e gjejë edhe 1 Maji në qeli?

-Besoj më gjatë, 1 Maji vjen shpejt. Unë parashikoj që Beleri del nga burgu pas 4 vjetësh dhe do kandidojë përsëri për Bashkinë e Himarës, por si kandidat i maxhorances pas 4 vjet studimesh me laps në dorë, te universiteti i PS.

4-Sa shoh Taulantin në krah të drejtorit të policisë, unë qesh shumë. Po ti?

-Prej ditës që Balla u emërua ministër, unë nuk e kam pushuar gajasjen, por këtë radhe ndryshe. Gjysmën e kohës qesh me komedinë dhe gjysmën tjetër qaj me tragjedinë.

5-Rama u afrua të zgjidhë konfliktin në Ukrainë me Rusinë dhe në Gaza mes Izraelit e Palestinës. A ka shpresë njerëzimi se ai mund të normalizojë dhe kapriçot e motit?

-Edhe motin e rregullon siç do qeveria, por për të pasur sukses të sigurt në një punë, sipërmarrje apo aktivitet, pyet në fillim Ramën e më pas bëj të kundërtën. Pra, po tha ai p.sh kohë me diell, gjithkush të marrë çadër me vete. Sukses i garantuar, pra.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco