E plaçkitën, e shpopulluan, ia zunë dhe sytë me flamuj paradash dhe lule varrezash

E plaçkitën, e shpopulluan, ia zunë dhe sytë me flamuj paradash dhe lule varrezash

Nga Hysni Gurra - 29/11/2023

Prej një dekade, "Rilindja" është në pushtet: ka ardhur në vitin e 101-të të pavarësisë edhe është ende në pushtet.

I pari i ekzekutivit, së bashku me bandën e tij të ekzekutivit, legjislativit dhe bashkiakët i kanë shkaktuar miliarda euro dëme këtij shteti në një dekadë.

Këta që shqiptarët i shohin duke bërë paradë e duke u përkulur me kurora para varrezave të dëshmorëve çdo nëntor, kanë shpërdoruar e grabitur taksat e qytetarëve; kanë kriminalizuar Parlamentin, Policinë e Shtetit, administratën publike; kanë hequr çdo mundësi të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe t’u numërohet vota në mënyrë të drejtë; kanë përzënë, e para herë në historinë 111-vjeçare të shtetit, masivisht mbi 700-mijë shqiptarë nga vendi.

Nën drejtimin e “Rilindjes”, Shqipëria në këtë 111-vjetor është më e vogël, më e plakur dhe më e pashpresë se kurrë ndonjëherë më parë.

Banditët me pushtet kanë eliminuar garën në zgjedhje, kanë eliminuar garën në administratë, kanë eliminuar garën dhe barazinë në tendera publike: gjithçka komandohet nga një dorë që është Padrinoja i kësaj bande, Edi Rama.

Nëse Enver Hoxha bëri 45 vite politikë duke akuzuar Ahmet Zogun për nja dy konçensione të paqena dhe për pazar me Italinë fashiste, Edi Rama i ka realizuar shumëfish, si asnjë udhëheqës shteti më parë, konçensionet dhe shitjen e territorit pa pyetur askënd.

Konçensionet që ka dhënë qeveria Rama janë jo vetëm korruptive, por do t’u rëndojnë atyre pak shqiptarëve të plakur që do të mbeten në këtë vend deri në fund të jetës së tyre.

Edi Rama bëri marrëveshje ekstra-territoriale me Italinë duke mos pyetur as për Parlament, as për Kushtetutë dhe as për popull.

Në 111 vite nuk ka pasur asnjë bandë të ngjashme që t’i ketë shkaktuar atdheut, dëme kaq të mëdha dhe kaq afatgjata sa i ka shkaktuar “Rilindja” dhe Edi Rama.

Shqiptarët nuk lindin më fëmijë në këtë vend sepse falë “Rilindjes”, çdo fëmijë që lind ka mbi supe një borxh që nuk e ka marrë vetë, që nuk ia ka ngarkuar prindi, por që e ka të akumuluar nga banda e hajdutëve të “Rilindjes”.

Shqiptarët sot janë të vjedhur, të braktisur, të huaj në atdheun e tyre dhe të përbuzur nga një elitë banditeske që ka zaptuar shtetin.

Çdo nëntor, është një sforco dhe një përqeshje për çdo shqiptar të ndershëm, që të shohë në parada e Varreza të Dëshmorëve, fytyrat e bandës së “Rilindjes”, kryesuar nga Rama, Veliaj, Balla, Spiropali, tek përkulen para heronjve të një vendi që këta e vjedhin dhe e telendisin çdo ditë prej një dekade!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco