A do të shpërfillen, edhe njëherë, kambanat e Kishës Katolike?

A do të shpërfillen, edhe njëherë, kambanat e Kishës Katolike?

Nga Alfred Lela - 29/11/2023

Alfred Lela

Kisha katolike në Shqipëri paraqiti para pak ditësh një Rezolutë për dënimin e krimeve dhe imazheve të komunizmit. Ndërkohë që debati është i vjetër, i tillë është edhe konflikti mes Kishës dhe Komunizmit shqiptar, qëkur ky i fundit ishte në shpërngënj.

Duhet kuptuar se Rezoluta nuk lind si shpagim i ri për një gjak të vjetër, dhe duhet pyetur, a është kërcënimi i krimeve dhe imazheve komuniste i pranishëm në kulturën politike dhe shoqërore të Shqipërisë. Vetë ekzistenca e debatit dëshmon se, PO.

Fakti se përplasja e qytetërimeve vijon, tregon se rezistenca ndaj trashgimisë komuniste ka qenë e paplotë dhe refraktare. Me refraktare nënkuptojmë një afrontim-përballje- të kësaj trashëgimie vetëm nga njëri krah politiko-ideologjik, apo vetëm nga një pjesë e shoqërisë.

Ka disa arsye pse ka ndodhur kjo, dhe thuajse të gjitha kanë të bëjnë me elitat e Tiranës. Të konvertuara në anti-komuniste –overnight- ato u ndeshën me dy vështirësi thuajse të pakapërcyeshme: të luftonin trashëgiminë e vet dhe të familjeve nga vinin apo, në rastin politik, të dëmtonin prospekte elektorale përballë një populli që, për rreth 40 vjet, ishte inkuadruar në një mindset ku ndërthureshin përulja/dorëzimi dhe agresioni/trushpëlarja. Të mësuar me shtetin padron dhe kujdestar, një popullatë e trumhazur e kishte të vështirë të vepronte në kushtet e lirisë.

Dëmin më të madh në përballjen me këtë trashgimi e bënë elitat e majta të cilat nuk pranonin dot që letërsia, historiografia, gjuhësia, kinematografia e tyre, një punë prej katër dekadash, të hidhej në koshin e asgjësë. Nuk bëhej më fjalë për trashëgiminë komuniste, por të tyren. Këtë mbrojtje ata duhej ta vishnin, sigurisht, me arsyetime jashtëpersonale. Duke dënuar komunizmin ata dënonin edhe veprën dhe jetën e tyre, kështuqë zgjodhën të rezistonin dhe të vazhdonin konfliktin e lindur në Shqipëri gjatë Luftës së dytë Botërore.

Kisha që i kundërshton sot, jo rastësisht figuron si pjesë e galerisë së personazheve negativë në  filmat dhe librat e para ’90-ës. Alarmi këtu nuk është i rendit të luftës së brezave, për faktin se brezat janë biologjikë, por kultura që ata ndërpërcjellin është sociologjike, pra potencialisht e pandërprerë.

Çka e shqetëson Kishën katolie, me të drejtë, dhe duhet të bëjë të njëjtën edhe me thinking class (që mund ose jo të ketë Shqipëria) është sociologjia kulturore e komunizmit dhe imazhit të tij, ende sundues në historiografi, dhe sërish e pandërprerë në mizërinë e filmave të Kinostudios së diktaturës së para viteve ‘90.

Kjo apologji e komunizmit që kanë mundësuar pikërisht kinematografët, historiografët dhe kulturologët e komunizmit të pandërprerë kulturor dhe shpirtëror në Shqipëri, gjallon sot jo te manifestimet periodike dhe sporadike të nostalgjikëve të Enver Hoxhës, por te këmbëngulja e regjimit të ri të Partisë Socialiste për të rimishëruar komunizmin nëpërmjet datash, festash dhe eventesh të paketuara si pop kulturë. Peza ‘n Fest është një shembull dhe Netët e bardha në Tiranë janë një tjetër. Monumentalizimi i objekteve të lidhura me komunizmin, si bunkerët masivë të aparatit mbrojtës dhe represiv të Enver Hoxhës, të shndërruara në BunkArt 1 dhe 2, pra në komercialitet të butë, është mishërimi më i gjallë i kësaj tendence që diktatura e egër të ameliorizohet në kujtesë neutrale.

Mbi tortën e kësaj torture qëndron qershia e hidhur e faktit se Akademinë e Shkencave për shembull, e drejton ministri i fundit i Arsimit i Ramiz Alisë, dhe një prej eksponentëve të një të majte agresive gjatë 30 viteve pluralizëm.

Kisha e ka vetëdijen, por nuk i ka mjetet për ta zhvilluar dhe fituar këtë luftë. Me sa duket, ajo është e vetmja elitë që mund ta artikulojë shqetësimin, por duke qenë solo do të tingëllojë si jashtë kohe. Kush e njeh sadopak historinë, e di se e tillë Kisha ngjante edhe në vitet ‘40 kur fliste për rrezikun e komunizmit. Koha i dha të drejtë klerit katolik njëherë. Duhet thënë se, kësaj radhe, edhe pse rreziku duket si imagjinar, ai është më i thellë. Kanë rënë mjetet e represionit dhe kanë lindur ato të spin-it. Me to mund të shkohet më larg, nëpëmjet një rruge më të butë, të cilën askush nuk e kundërshton sepse të gjithë jetojnë për parimin e kënaqësisë (çka nuk më bën të vuaj fizikisht, nuk më përket).

Kisha katolike, megjithatë, është vetëofruar edhe njëherë në qendër të kësaj sakrifice dhe drame shoqërore, jo për herë të parë. Kleri i kryqit e ka ngritur zërin e ndërgjegjes edhe për shpopullimin e vendit, gjakmarrjen dhe kriminalizimin e politikës.

Në një erë të re ku ndikimi, jo mendimi, është në krye të sofrës dhe në altar të shoqërisë, çdo qëndrim që i thërret ndërgjegjes është i rrezikuar, të paktën me shpërfillje. Turma rizgjedh Barabën sa herë i jepet rasti, dhe elitat janë ose të trysnuara, ose Sokratë të kënaqun.

Këmbanat bien për ata që kanë veshë, por pasojat e alarmit të anashkaluar i prekin të gjithë./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco