Duke e toleruar 10 vjet, shqiptarët krijuan monstrën e radhës

Duke e toleruar 10 vjet, shqiptarët krijuan monstrën e radhës

Nga Erion Dasho - 28/11/2023

Në 11 shtator 2023, u mbushën 10 vjet nga hipja në pushtet e Boratit. Kaq skandale dhe megaskandale kanë ndodhur në këta 10 vjet, sa edhe një i vetëm prej tyre do të kishte mjaftuar për të rrëzuar një qeveri, nuk po them në një vend demokratik, por edhe në ndonjë prej demokracive hibride të botës.

Mjafton të përmenden koncesionet e shëndetësisë, djegësit, afera e portit të Durrësit, shembja e teatrit, kanabizimi i vendit, skandali i menaxhimit të pandemisë, skandali i dokumentuar me zë e figurë i vjedhjes së votave në Dibër, kuintalët dhe tonët e kapur të kokainës çdo muaj, blerja e hapur e votave në Tiranë, Durrës e Lezhë gjasme nëpërmjet dëmshpërblimeve të tërmetit, skandalet me patronazhistë dhe aktivistë, etj., etj.

Rezultati i zgjedhjeve lokale 2023, por sidomos ai i përsëritjes së zgjedhjeve në Kukës e Rrogozhinë tregoi se pushteti i Boratit dhe rilindjes ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve dhe i kontrollon ata me të njëjtin efikasitet si regjimi komunist para 40 vjetësh. Nëse sot, do të realizohej votimi në secilën bashki të vendit, gjasat që të fitojë kandidati i rilindjes janë pothuajse 100%.

Ndërsa komunizmi e arriti këtë duke lejuar vetëm një kandidat në fletën e votimit, rilindësit arritën të njëjtën gjë në kushtet e një të ashtuquajture "demokraci". Nga kjo pikëpamje, rilindësit ja kanë kaluar edhe vetë Enverit!

* * *

Fakti që Borati kontrollon gjithçka nuk është e keqja më e madhe. E keqja më e madhe është pranimi i këtij fakti si "normalitet"; është ai numër i madh shqiptarësh në Shqipëri dhe në botë që duartrokasin arritjet e rilindësve.

Kur këta pyeten se ç'mendim kanë për të ardhmen nën qeverisjen e Boratit, të përgjigjen me krenari se rilindësit mund të qeverisin edhe 10 vjet të tjerë apo më gjatë. "Argumentet" që japin janë: "zhvillimi" i Shqipërisë, rritja e numrit të turistëve, rritja e buxheteve, etj. Kjo turmë nuk është çudi që edhe lindjen e diellit dhe ardhjen e pranverës t'ja atribuojë ndonjë ditë Boratit!

Grupi i dytë i justifikimeve ka të bëjë me opozitën. Këtu përmendet përçarja e opozitës, mungesa e një platforme opozitare (a thua se fushatat e Boratit me tepsi e timon kanë qenë shembuj "platformash"!!!), non grata e kryetarit të opozitës, etj.

Nga ana tjetër, ithtarët e Boratit anashkalojnë megaskandalet e sipërpërmendur, por mbi të gjitha pasojën e tyre më të tmerrshme, shpopullimin apokaliptik të Shqipërisë nën regjimin rilindës.

* * *

A mund ta mendonin shqiptarët në 2013-ën se në 2023-in:

》Do të ringrihej sekti i spiunëve të cilët tashmë quhen aktivistë dhe patronazhistë?!

》Do të kishin një qeveri "hije" në burgjet e Shqipërisë të përbërë nga ish-ministra, ish-kryebashkiakë dhe ish-zyrtarë?!

》Do të shihnin vendin e tyre të bëhej një prej qendrave botërore të narkotrafikut dhe ky i fundit do të hynte në aleancë me qeverinë e rilindjes?!

》Do të kishin një kryeministër të papërgjegjshëm dhe klloun, i cili u bëhet leckë ndër këmbë oligarkëve dhe të fortëve ndërkohë që bën kokoroçin dhe bullistin me të dobëtit?! 

》Do të humbiste sërish vlera e votës duke mos ndikuar aspak në zgjedhjen e deputetit apo kryetarit të bashkisë?!

》Do të niste eksodi biblik i shqiptarëve, ku bizneset do të kërkonin emigrantë nga vendet e Afrikës dhe Azisë për të plotësuar vendet e punës?!
Fatkeqësisht, unë mund të parashikoj edhe më keq, nëse vazhdojmë me Boratin dhe rilindjen, deri në 2033-in:

》Patronazhistët dhe aktivistët do të komandojnë jo vetëm mënyrën se si duhet votuar, por edhe mënyrën se si duhet menduar!

》Bandat e narkotrafikut do ta kthejnë Shqipërinë në një "mini-Meksikë" apo "mini-Kolumbi" ku ka luftë mes bandave, pengmarrje dhe dhunë në rrugë!

》Borati i 2033-it nuk do të këtë vetëm një blog dhe një ERTV, por ERTV 1, 2, 3 e kështu me radhë! ERTV Sport, Histori, Premium!

》Shqiptarët do të jenë zëvendësuar në masë nga bangladeshas dhe afrikanë, por ata nuk do të jenë problemi më i madh. Problem do të jenë terroristët e të gjithë ngjyrave që do të dynden këtu herë me marrëveshje dhe herë pa marrëveshje!

* * *
Kur Presidenti i parë amerikan, Xhorxh Uashington, largohej vullnetarisht pas dy mandateve në krye të atij që më vonë do të bëhej shteti më i fuqishëm i botës, ai i dërgonte jo vetëm enturazhit politik të kohës, por edhe miliona politikanëve të kohërave të mëpasshme një mesazh me rëndësi të jashtëzakonshme.

Tetë vjet janë të mjaftueshëm që një lider të japë më të mirën e vet për mbrothësinë e kombit. Më pas ai humbet largpamësinë e ideve, mprehtësinë e mendimit dhe entuziazmin e veprimit. Pas tetë vitesh në pushtet nis rënia, hyrja e vetes në qejf, megalomania, refuzimi i kritikës, etj., për t'i lënë vendin shumë shpejt kultit të individit dhe diktaturës.

Shqiptarët e kanë arritur tashmë këtë gjë!

Duke toleruar 10 vjet Boratin, shqiptarët kanë krijuar monstrën e radhës. Ai ka akaparuar çdo pushtet dhe, ç'është më e keqja, ka farkëtuar aleancën me narkotrafikun dhe oligarkinë. Shtoi kësaj rrjetin e patronazhistëve dhe kontrollin total të medias, portaleve dhe medias sociale, monstra Borat tashmë ka dalë jashtë çdo kontrolli.

Shqiptarëve u ka mbetur vetëm një shans: ta largojnë Boratin nga pushteti me çdo kusht e me çdo çmim. Ai është tashmë si ai kanceri që ka penetruar të gjithë organet dhe sistemet e organizmit. Nëse "terapia" nuk nis sot, një përpjekje nesër mund të rezultojë e kotë!

* * *
Shqiptarët bëjnë pjesë tek kombet që kanë luftuar në mijëvjeçarë për liri, por pak e kanë shijuar atë. Sot janë gati për ta humbur sërish lirinë e fituar në 1990-ën, për të rihyrë nën zgjedhën e radhës, nën Enverin e radhës. Fatkeqësisht, një Enver që rrezikon të bëjë atë që nuk e bënë dot pushtuesit në shekuj: zhbërjen e kombit shqiptar!

Nëse shqiptarët do ta marrin lirinë të mirëqenë dhe nuk do të ringrihen në mbrojtje të saj, ky ka për të qenë një gabim historik dhe i pafalshëm.

Uroj të mos të ndodhë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco