Opinionisti Blendi Kajsiu në një shkrim të tijin me titull “Ngërçi i mbrojtjes berishiste” për rastin e kompleksit "Partizani", duke u munduar të argumentojë me sforco se, sipas tij, njerëzit e Berishës po bëjnë gabim që po mbrohen politikisht, ndërkohë që të vetmen betejë që mund të fitojë është ajo juridike (tezë kjo që dëgjohet rëndom në korridoret e PS-së), nuk ka bërë gjë tjetër, veçse që në fillim të shkrimit të tij e ka kthyer Kajsinë në marmalatë.
Fillimisht duhet të themi se, në qoftë se Berisha dhe avokatët e tij kanë evidentuar dhe kanë denoncuar me dhjetëra shkelje proceduriale të procesit në lidhje me masën e sigurisë, që nga anashkalimi i parlamentit, te shkelja hapur e Kushtetutës, kalimi i afateve të zbardhjes së masës e deri te konflikti i gjyqtares së çështjes, shkarkuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me firmë të Berishës në vitin 1996, nuk është veçse mbrojtje juridike, por në thelb vërteton që pikërisht duke shkelur këto procedura shndërrohet automatikisht në një sulm politik me regji.
Kajsiu shkon dhe më tej, duke e kthyer jo vetëm Kajsinë në marmalatë, por edhe marmalatën në bërsi, kur arrin deri aty sa bëhet zëdhënës i opinionit publik pa iu dridhur qerpiku kur thotë se “kjo mbrotje nuk ka ngjitur as te elektorati i djathtë dhe as tek ai gri". As sondazhistët e njohur të Partisë Socialiste nuk do ta kishin këtë guxim.
Nejse, për hir të debatit ne jemi të detyruar ta kthejmë “marmelatën” sërish në Kajsi, se i bie ta mbyllim debatin me kaq. Sekush ka të drejtë të ketë opinionin e tij, por kur dikush ngre argumentin mbi një mashtrim, mendimi i parë që të vjen ndër mend është se qëllimi i tij nuk është e vërteta, por manipulimi për qëllime politike!
Kajsiu thotë se pronarët e tjerë nuk u pasuruan sa dhëndri i Berishës, por në fakt ky është mashtrim! Ortaku i tretë në këtë sipërmarrje është një bashkëpronar njëlloj si z. Malltezi dhe ka përfituar njëlloj si ai pa qenë dhëndër i Berishës!
Nëse Kajsiu gënjen me apo pa vetëdije, e përcakton standardi juridik, por në standardin politik gënjeshtra e ka gjithmonë një qëllim! Ajo që duket “bizare” në qëndrimin e Kajsiut është pretendimi se për standardin e tij politik, pasurimi i ligjshëm dhe i paligjshëm i familjarëve të pushtetarëve është njëlloj, korrupsion.
Lidhur me sa më sipër, nëse duam të aplikojmë standardin politik të Kajsiut për pasurimin e familjarëve të politikanëve, del se këtë duhet ta bëjmë mbi parimin komunist që kush pasurohet, vjedh gjakun dhe djersën e popullit!
Këtë standard e përdorin dallkaukët dhe populistët! Aplikimi i këtij standardi bëhet duke kontrolluar nëse kjo pasuri ka për origjinë para apo prona publike dhe nëse është respektuar ligji apo është shkelur ai.
Në rastin e z. Malltezi ai ka përfituar duke zhvilluar vetëm një pjese të pronës së tij të ligjshme të konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist e të rikthyer përgjatë një procesi që ka zgjatur plot 15 vjet, përgjatë qeverisjeve të majta e të djathta!
Dhe sa për kujtesë të zotit Kajsiu, edhe vendimi i ndërrimit të destinacionit, edhe leja e ndërtimit janë dhënë pikërisht nga Edi Rama. Nëse e krahasojmë këtë me pronat publike që ka dorovitur Rama, majtas e djathtas për miqtë dhe shërbëtorët e tij mediatikë, do arrinim në konkluzionin se SPAK-u nuk shërben vetëm si mburojë e skandaleve të qeverisë, por më keq akoma, si një heshtje shpate kundër kundërshtarëve të tij politikë!
Së treti, pavarësisht se çfarë thotë “zëdhënësi” i vetëshpallur i opinionit publik gri, blu dhe rozë, unë mendoj se debati mbi një drejtësi të kapur, pavarësisht se kush është Kapësi, i shërben opinionit dhe shoqërisë shumë më tepër se sa efikasiteti i mbrojtjes së Berishës!
Dhe këtu vijmë në arsyen reale përse Kajsiu përmes gënjeshtrës kërkon të kufizojë debatin mbi mbrojtjen e Berishës, në vend që ta hapë atë për problemin e vertetë dhe real që është kapja e drejtësisë!
Kapjen e saj, “zëdhënësi i opinionit publik” e quan të paqenë për gjoja goditje që SPAK i paskërka dhënë Ramës!
Po a mendon vërtet Kajsiu që truri pas inceneratorëve na paska qenë Ter Koka?!
A e mendon vërtet Kajsiu që Arben Ahmetaj do të mund të siguronte 17 vendime në një ditë, të cilat vinin nga ministri të ndryshme?!
A e mendon vërtet Kajsiu që Alqi Bllako do të detyronte Erion Veliajn të jepte dritën jeshile për kontratën duke anashkaluar Këshillin e Qarkut?!
A e mendon vërtet Kajsiu që koncesionin e Sterilizimit e ka bërë në kokë të vet, Sekretari i ministrisë dhe jo Beqja, ndërkohë që Rama shëtiste studio më studio duke bërë avokatinë e këtij koncesioni?!
Sigurisht që jo! Pra, SPAK ka marrë ushtarët që i ka hedhur Rama duke lënë të pashqetësuar “Sulltanin” dhe oborrtarët e tij!
Qëllimi real i Kajsiut është mbulimi i kapjes së drejtësisë dhe normalisht do të thoja që do të duhej t’i vinte turp. Por, siç edhe thuhej dikur “puna nuk është turp por nder”, për Kajsiun kjo është punë!
Puna e mbarë Kajsi!
Sa për turpin mund ta gëlltisësh me bukën e gojës që fiton nga puna!
© SYRI.net