Fitorja e vëllait Taip si vazhdim i erdoganizimit të Shqipërisë

Fitorja e vëllait Taip si vazhdim i erdoganizimit të Shqipërisë

Nga Andi Bushati - 29/05/2023

Edi Rama ishte ndër të paktët liderë perendimorë që i bëri thirrje turqve të votonin Erdoganin. Ai apeloi se vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e tij e ktheu Turqinë në shembull per gjithë botën. Ai nxitoi ndër të parët ta uronte sulltanin e Ankarasë pas fitores në balotazh.

Natyrisht, përtej dashamirësisë për mikun personal, mbështetjes elektorale që dy udhëheqësit shkëmbejnë vazhdimisht me njëri-tjetrin, mirënjohjes për njeriun që i ka dhënë mundësinë të udhëtojë me çarter privat, çdo lider shqiptar do të kishte pak zgjedhje për garën presidenciale në Turqi. Erdogan çau me guxim murin e embargos për vaksinat në kohën e kobshme të kovidit. Ai iu gjend qeverisë pas katastrofës së tërmetit. Pra, në një farë mënyre, çdo udhëheqës i shtetit tonë do kërkonte vazhdimësinë përpara një zhytje drejt të panjohurës.

Por, pavarësisht nga marrëdhënia personale e Ramës dhe dhuratave bujare të raisit për ne, një mandat tjetër i Erdoganit në krye të vendit të tij, nuk është një lajm i mirë për shqiptarët. Së pari, në një rrafsh global, ai është frymëzim për autokratët që e braktisin trenin e demokracisë sapo i zbret në stacionin e pushtetit. Pra, në këtë kuptim, modeli represiv i homologut të tij të madh brenda NATO-s bëhet më i pranueshëm për t'u ndjekur edhe nga dishepulli i vet në Tiranë. Por, përpos kësaj qasjeje efemere, gjurmët e ndikimit të pushtetit të liderit islamo-konservator në Shqipëri janë të dukshme. Ndikimi i tij tejet i prekshëm.

Ato kanë devijuar shpesh qëndrimin e Shqipërisë nga ai i aleatëve të vet perendimorë duke votuar në favor të Erdoganit. Rasti i abstenimit në Këshillin e Evropës për të dënuar burgosjen politike të Osman Kavalës është flagrant. Po e tillë është edhe qasja e qeverisë sonë, në sens të kundërt me gjithë vendet demokratike, për të fajësuar gylenistët për grushtin e shtetit të 15 korrikut. Tirana është i vetmi qytet në Evropë ku ka një memorial për viktimat e grushtit të supozuar të shtetit në nderim të të cilëve zhvillohen për vit ceremoni. Vetë Rama e ka akuzuar organizatën e drejtuar nga imami i Pensilvanisë si të rrezikshme dhe është shprehur se organet shtetërore e mbajnë atë në kontroll.
Kjo linjë politike e artikuluar publikisht është sendërzuar edhe ne aksione konkrete që bien ndesh me shtetin ligjor. Ndryshe nga konventat që ka nënshkruar, Shqipëria ka shkelur angazhimet e marra për t'i dhënë azil politik atyre që riskojnë vendime gjyqësore të rënda, në vende ku nuk funksionon shteti i së drejtës. Rastet e mësuesve Harun Çelik dhe ai i të singjashmit të tij Selami Simsek, të cilëve iu refuzua azili politik, janë shembuj flagrantë të nënshtrimit të shtetit tonë ndaj kapriçove propagandistike të sulltanit të Ankarasë. Ata u deportuan duke ngjallur reagime të forta si nga OKB po ashtu dhe nga Këshilli i Evropës.

Po ashtu presionet për të ndryshuar krerët e Komunitetit tonë Mysliman, sipas orekseve të atij që ndihet si kalifët e dikurshëm, janë skandaloze. Më i prekshëm është rasti i shitjes apo mbylljes së një sërë shkollash të rrjetit gylenist, ose përmes shantazhesh, ose duke gjetur shkaqe teknike qesharake. Brenda botës së biznesit nuk ka sekrete për anullimin e tenderave të rrugëve vetëm se ato janë kërkuar nga Ankaraja apo për tjetërsimin e pronësisë në ndërmarrje të mëdha. Të gjitha këto kanë ardhur pas një kërcënimi arrogant që presidenti turk bëri midis parlamentit shqiptar në janar 2022: “spastrimi i gylenistëve në arsim, shëndetësi dhe në komunitetin musliman është “parakusht për vazhdimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve”.

Ky pra është çmimi i dhuratave të Erdoganit, që Shqipëria po e paguan me koston e nëpërkëmbjes së shtetit të saj ligjor. Për dikë mund të duket pak. Për të tjerë mund të quhen asgjë disa qytetarë që shkojnë për dhjamë qeni në burgjet e Turqisë, mund të mos kenë rëndësi ata nxënës të mbetur pa shkolla, mund të mos jenë të ndjeshëm ndaj shkeljes së parimeve të shtetit laik. Por të gjitha këto janë shenja të erdoganizimit të pushtetit të rilindjes. Rama nuk po e kopjon modelin e tij vetëm duke ndërtuar një regjim, ku ndonëse votohet, nuk ka shtet të së drejtës. Ai po e vë shtetin në shërbim të gjuetisë së shtrigave që zhvillohet përtej, në Anadoll. Në këtë kuptim, Erdogani është një nga pasqyrat ku mund të shohim atë që ndodh aktualisht tek ne. Fitorja e tij është një mundësi për të lexuar të ardhmen tonë. Jo më kot Edi Rama fliste për të njësoj siç përshkruan veten, si për njeriun që e ka shpënë vendin e vet përpara dhe e ka bërë atë të respektuar në botë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco