Lajmi i fundit

Zhvillimet në PL, reagon Kryemadhi: Çdo tentativë imponuese përjashtuese është ...

Fitorja humbëse e Edi Ramës!

Fitorja humbëse e Edi Ramës!

Nga Shpëtim Doda - 25/05/2023

Gjithkush mund të ndihet i habitur, ndërsa vëren qartazi dhe pa kurrfarë vështirësie, se Edi Rama po vijon fushatën e tij, ndonëse procesi i votimit dhe ai i numërimit të votave për pushtetin vendor ka ditë që kanë përfunduar.

Është naive të mendosh, se me fushatën e tij të shtrirë përtej procesit zgjedhor, Edi Rama po përpiqet t’i paraqesë zgjedhjet e 14 majit si të barabarta, të lira e të ndershme në sytë e ndërkombëtarëve.

Jo thjesht sepse nuk e vret shumë mendjen për ta, i mësuar t’u bishtnojë me gjethuriçkën e fosilizuar të sovranistit të shtirë e banal, por sepse masakrimin e procesit zgjedhor ai e bëri ditën nëpër diell e faqe gjithë botës; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës i bleu me 5.000 lek edhe votat e 670.000 pensionistëve; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës dërgoi deputetët të gjasmonin sikur rropateshin në punë përpara kamerave gjatë shtrimit të rrugicave e trotuareve të qarqeve që mbulonin; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës i shpërndau fondet për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës e quajti një “kinezëri partish” Kodin Zgjedhor; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës i kërcënoi qytetarët, se po votuan kandidatët e opozitës, do të marrin “noc rrokun” – eufemizëm për organin gjenital mashkullor – pasi ai nuk do t’u jepte kokërr leku; ditën nëpër diell e faqe gjithë botës u bëri presion qytetarëve të mos dilnin në votime, nëse nuk do të votonin për të...

Fushata e shtrirë përtej procesit zgjedhor nuk është pra një mëtim për të moralshmëruar një fitore qartazi të pamoralshme i Edi Ramës, i cili ka një mungesë aq të theksuar skrupujsh moralë e brejtjesh ndërgjegjeje, sa edhe pendesën për zullumet ua ka deleguar prej kohësh hoxhallarëve të oborrit të tij. Fushata e shtrirë përtej procesit zgjedhor është pjesë e përpjekjeve të Edi Ramës për t’u shpëtuar pasojave të implikimit në një krim federal; ajo lidhet drejtpërdrejt me përvetësimin dhe përdorimin makiavelik të zgjedhjeve si mjet për të siguruar angazhimin e kumbarit të tij politik Georges Soros pranë gjyqtarëve dhe prokurorëve që ky ka nën kontrollon në Uashington për ta shpëtuar nga hetimi i pashmangshëm dhe arrestimi i mundshëm për shkak të përfshirjes së tij në korruptimin e zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal.

Vijimi i fushatës përtej procesit zgjedhor nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet përpos se si pjesë e kësaj përpjekjeje për jetë a vdekje të Edi Ramës. Vetëm si pjesë e kësaj përpjekjeje mund të shpjegohet jo vetëm shtrirja me kohë të plotë të fushatës së Edi Ramës, por dhe zhvillimi i saj dukshëm më i ethshëm dhe më frenetik sesa përpara zgjedhjeve. Arsyeja është e lehtëkuptueshme.

Në votimet e 14 majit, Edi Rama është një humbës në fitore. Rezultati i votimeve të 14 majit është një fitore sipërfaqësore në sipërfaqe dhe një humbje e thellë në thellësi; jo thjesht sepse pjesën më të madhe të bashkive i fitoi, krahas të tjerash, edhe për shkak të reformës territoriale të 2014 që Lulzim Basha e bojkotoi, duke i lënë dorë të lirë që ta bënte siç i voliste; as thjesht sepse opozita po hynte në zgjedhje në një kohë kur Edi Rama i kishte të gjitha bashkitë falë sërish bojkotit të zgjedhjeve vendore të 2019 nga Lulzim Basha, por sepse, ndonëse e privoi paligjshmërisht nga gjithçka, nga e drejta e përfaqësimit në KQZ dhe në fletën e votimit, nga fondet e fushatës, koha televizive, logoja dhe simbolet, komisionerët dhe numëruesit etj., opozita e drejtuar nga Sali Berisha jo vetëm nuk u shpartallua, por arriti të marrë mbi 40% të votës popullore, çka përbën një dështim spektakolar të planit të Edi Ramës për t’iu paraqitur Georges Soros-it si i vetmi që mund ta shpartallonte Sali Berishën – i cili është zotuar publikisht se me ardhjen në pushtet, do ta shpallë persona non grata manjatin hungaro-amerikan – dhe, për rrjedhojë, si i vetmi garant i interesave dhe i axhendave të këtij në Shqipëri dhe në rajon, prej nga mesazhi shantazhues ndaj kumbarit Georges Soros-it është i qartë: po nuk shpëtova nga dosja McGonigal, vjen Berisha.

Përballë këtij realiteti paszgjedhor, në shtrirjen përtej procesit zgjedhor, fushata e Edi Ramës ka ndryshuar jo vetëm formën, por edhe përmbajtjen dhe strategjitë, në përputhje me objektivat e rinj. Nuk është më një fushatë me tamtame, me humor mjeran dhe batuta idiote, as fushatë me pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë, por në sfond, apo në hije, përmes ushtarëve të tij.

Në shtrirjen përtej procesit zgjedhor, objektivi kryesor i fushatës së Edi Ramës është kamuflimi i dështimit të shantazhit ndaj Georges Soros-it si e vetmja mënyrë për ta mbajtur artificialisht në jetë edhe pak kohë, ndërsa strategjia e zgjedhur është fokusimi tek pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votime dhe interpretimi i saj si braktisje masive nga ana e qytetarëve e opozitës “antiamerikane” dhe “antisorosiane” të drejtuar nga Sali Berisha.

Një strategji të tillë, Edi Rama nuk mund ta zbatonte me pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në debat, pasi kjo do të krijonte efekt krejt të kundër; më konkretisht, duke qenë se përpara zgjedhjeve u bëri presion qytetarëve të mos dilnin në votime, në rast se nuk donin të votonin për të, pjesëmarrja e ulët do të interpretohej më tepër si votë kundër tij, sesa si braktisje e opozitës nga populli.

Për këtë arsye, zbatimin e strategjisë ua caktoi ushtarëve të tij te partia e vulës, të cilët ishin të parët, me në krye Alibeajn dhe Bejkon, që e interpretuan pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje si braktisje që demokratët i bënë Sali Berishës, ndonëse ky i fundit mori mbi 40% të votës popullore, në një kohë kur, krahas presionit që Edi Rama u bëri haptazi qytetarëve që të mos dilnin në votime, nëse nuk do të votonin për të; krahas blerjes së mospjesëmarrjes në zgjedhje, shifrat e Eurostatit tregojnë se në vitet 2021-2022, nga Shqipëria u larguan mbi 220.000 qytetarë, e këtu bëhet fjalë vetëm për të deklaruarit, ndërsa të padeklaruarit janë më shumë.

Ndërkaq, pas artikulimit të kësaj teze nga partia e vulës, Edi Rama futi në lojë ushtarët e tij mediatikë, të cilët filluan ta amplifikojnë dhe, për ta bërë më të besueshëm, i mëshuan nxitjes së pakënaqësisë së bazës së demokratëve kundër lidershipit përmes lojës me emocionet dhe emotivitetin.

Kësaj narrative i janë bashkuar edhe disa zëra të opozitës, të cilët, një pjesë flasin sikur sapo kanë zbritur nga një planet tjetër, një pjesë duket sikur duan t’i tkurrin efektet e krimeve elektorale dhe paligjshmërive të Edi Ramës, ndërsa një pjesë tjetër duket sikur harron, me sa duket, se, krahas shumë faktorëve, presioni që Edi Rama u bëri qytetarëve që të mos dilnin në votime pati jo pak efekt, e kjo jo vetëm për shkak se Edi Rama ua ka zeruar shqisën e ardhmërisë, duke i kthyer në njerëz që mendojnë vetëm sot për sot, por edhe sepse qytetarët ishin të vetëdijshëm se fjala ishte për zgjedhje vendore, pas të cilave Edi Rama do të vijonte që të ishte kryeministër.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, narrativa dhe strategjia e Edi Ramës ka pak gjasë të funksionojnë, dhe kjo për shkak se, për kushtet në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje, me 40% të votës popullore, Sali Berisha e shndërroi Edi Ramën në një oksimoron, në një humbës në fitore, dhe tregoi në të njëjtën kohë se përmbysja e regjimit të Edi Ramës jo vetëm është e mundur, por edhe e sigurt. Të tillë siç gjykoj se do ta shohë edhe kumbari i tij politik George Soros.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco