Delirantët e politikës...

Delirantët e politikës...

Nga Hysni Gurra - 31/03/2023

Tirana është nga qytetet më të mira të Shqipërisë, dhe banorët e saj nga më mikpritësit. Jo rastësisht brenda 100 vitesh kryeqyteti është dhjetëfishuar. Por në Tiranë ka edhe një rrezik, sidomos për njerëzit publikë që i futen politikës: rreziku i kalimit në delir dhe divorcit me realitetin.

Në Shqipëri ka 160 parti dhe mbi 70% e partive kanë dalë nga PD dhe PS. Të larguarit nga partitë e mëdha, kanë kaluar menjëherë në delir. Janë futur në zgjedhje me idenë se do të bëjnë namin dhe do të përmbysin “sistemin”. Nuk është qëllimi i këtij shkrimi të analizoj shkaqet se pse asnjë lëvizje nuk ka arritur në këto 33 vjet të lëkundë PD dhe PS, por dua thjesht të vë në dukje “delirantët”.

Ushqimi kryesor për delirantët është “mbështetja mediatike dhe urrejtja". Urrejtja ndaj partisë që kanë dalë është gjeneratori që i mban me energji të pashtershme jo ndaj kundërshtarit politik, por ndaj ish-kolegëve.

Mbështetja mediatike është tinëzare, sa për interes të vetë medias që ka nevojë për “ushqim” se ndryshe nuk ka si shpjegohet që çdo ditë mbijnë në ekrane të vetëquajtur “avokatë” që parashikojnë, paralajmërojnë, analizojnë, mallkojnë, por mbi të gjitha është kalkulim politik i televizioneve për të mbështetur një palë dhe për të dëmtuar palën tjetër.

Cili ka qenë rezultati i garës “entuziaste” së Cekës, Imamit, Rulit,  Shehit, Spahiut, Blushit, Topit, Bojaxhiut, Malajt, Patozit, Topallit, Shabanit, etj…”?

Po sot? Askush përveç z. Alibej nuk mendon seriozisht se zotëria është kryetar i PD-së, por pyet pak zotërinë në fjalë se çfarë thotë.

Kush vë bast se Bejko do të marrë 1000 vota në Tiranë? Pakkush. Nëse pyet vetë Bejkon, thotë se jam në garë në emër të PD-së.

Nga 16 kandidatë që paraqiti vula, në momentin e këtij shkrimi 6 kanë ikur. Nëse pyet grupin e “vulës”, sërish do të thonë: ne jemi “PD”-ja.

(Dhe meqë jemi këtu. Kur skandali McGonigal nuk i qartësoi “euroatlantikët” se për dezinjimin e Berishës, 8 vjet pasi ishte larguar nga qeveria, është lobuar fort dhe me shumë para, nuk ka për t’i sqaruar asgjë.)

Historia 33-vjeçare ka treguar tashmë se nuk janë të paktë ata politikanë që nisin karrierën me ambicie në politikë dhe në rastin më të mirë përfundojnë në media si analistë dhe në rastin më të keq si komikë apo njerëz të harruar. 14 maji nuk është larg.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco