Mjaft mbështetjes së një qeverie që po shpopullon Shqipërinë!

Mjaft mbështetjes së një qeverie që po shpopullon Shqipërinë!

Nga Milaim Nela - 29/03/2023

Intervista e Ambasadorit Britanik dhënë gazetares Erla Mehilli (edhe mes rreshtash) më bindi edhe njëherë që dezignimi 'non-grata' i Sali Berishës është një vendim i gabuar!

E për këtë jam më i bindur sot se kur u bë publik për herë të parë!

Ky është një vendim që dëmton rëndë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe britanikëve.

Dikush ka gabuar në nivelin më të lartë dhe askush nuk është i imunizuar nga gabimet.

Të mos harrojmë vendimin e Toni Blair në vitin 2003 për të sulmuar Irakun nën besimin e rremë se Iraku posedonte dhe kishte ndërmend të përdorte armë të shkatërrimit në masë.

U provua më vonë përtej çdo dyshimi që kjo kishte qenë jo e vërtetë por pasojat e asaj ndërhyrje bota po i vuan edhe sot!

Vendimi i non-gratës ndryshe nga ato që tha Ambasadori nuk besoj që është në interes të marrëdhënieve mes dy vendeve!

Unë nuk dua të futem në hipoteza të sponsorizimit apo të lobimit të këtij vendimi pasi nuk i kam faktet por di që ky akt nuk ka goditur Sali Berishën si person por ka goditur rëndë opozitën shqiptare, ka goditur demokracinë e kjo favorizon pushtetin, favorizon atë qeveri që qëndron në atë pushtet me vota të vjedhura!

Ky vendim NUK është në interes të shtetit britanik përkundrazi vetëm ky vendim nuk i ndihmon.

Unë nuk dua të bëj avokatin e Sali Berishës por e kam të vështirë t'i injoroj faktet;

Të paktën që nga viti 1990 marrëdhëniet shqiptaro-britanike gjatë qeverisjes demokratike të Sali Berishës janë ngritur në nivelin më të lartë mes dy vendeve!

Në vitet e qeverisjes Berisha në bazë të statistikave të publikuara nga Home Office kemi patur numrin më të ulët të azilkërkuesve shqiptarë!

Vetëm 50 vetë kanë kaluar me gomone Kanalin Anglez ne vitin 2010 krahasuar me të paktën 12.000 në vitin 2022.

Këto shifra flasin më shumë se qindra analiza apo raporte zyrtare.

Ambasadori nuk ju përgjigj apo e shmangu pyetjen KYÇ të gazetares dhe të gjithë shqiptarëve se pse shqiptarët braktisin Shqipërinë në numër kaq të madh dhe rrezikojnë jetën e tyre për të kaluar Kanalin Anglez!

Si qytetar, si përfaqësues i një komuniteti shqiptar që e ka ndarë jetën e tij thuajse përgjysmë mes dy vendeve, i rritur, edukuar e kualifikuar në Shqipëri por shumicën e energjive për 25 vjet ja ka kushtuar Britanisë së Madhe duke punuar me përkushtim e devotshmëri ndjeva keqardhje që Ambasadori i shtetit tim ka mungesë të theksuar njohurish se si qeveriset Shqipëria ku ai është rezident e puna e tij është mbrojtja e interesave të Mbretërise së Bashkuar!

Serish më erdhi keq që ai në shumë përgjigje të tij u duk jo si ambasador por jo pak si zëdhënës dhe mbrojtës i "arritjeve" të qeverisë shqiptare.

Të paktën 15000 qytetarë shqiptarë - i nderuar Ambasador - kalojnë Kanalin Anglez jo nga pensionisti Sali Berisha por nga keq-qeverisja e tmerrshme e Edi Ramës dhe enturazhit të tij antishqiptar.

A e imagjinoni Z.Ambasador sikur Mbretërinë e Bashkuar në 10 vitet e fundit ta braktisnin 22 milionë britanikë e kjo pjesa më vitale e vendit?

A e kuptoni çfarë po ndodh në Shqipëri në një vend ku nuk ka luftë por po ndodh një SPASTRIM i frikshëm etnik në përmasa biblike që Shqipëria nuk i ka parë ndonjëherë?

A ja bëni vetes pyetjen pse shqiptarët ikin nga sytë këmbët nga një vend kaq i bukur dhe natyralisht i pasur si Shqipëria?

A ka ndonjë projekt ndërkombëtar të zbrazjes totale të Shqipërisë që ju nuk po na e thoni Z. Ambasador?

Ne shqiptarët që jetojmë me ndershmëri e përkushtim në Britaninë e Madhe dhe e konsiderojmë veten urë bashkimi mes dy vendeve ashtu si të gjithë shqiptarët kudo ndodhen do i jemi gjithmonë mirënjohës shtetit britanik për rolin udhëheqës të Aleancës Përendimore në ndërhyrjen në shpëtimin e Kosovës, gjysmës së kombit shqiptar në vitin 1999.

Unë shpresoj fort Z. Ambasador që demokracia britanike është FUNKSIONALE e do ta korrigjojë këtë vendim që:

- nuk është interes Britanik

- nuk është interes Shqiptar

- indirekt ka vrarë shpresën se shqiptarët mund ta ndyshojnë qeverisjen me mjete politike duke parë që shtetet më influente në planet si Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Mbretëria e Bashkuar mbështesin politikisht një qeveri që e ka rrënuar vendin, ekonominë dhe mbyllin sytë para akteve që vendet e tyre do ishin ligjërisht shumë të ndëshkueshme jo vetëm politikisht por edhe pebalisht. Mbi të gjitha ky vendim e ka vrarë këtë shpresë.

E vetmja mënyrë për të frenuar fluksin e shqiptarëve drejt brigjeve britanike është largimi i Edi Ramës dhe sektit të rilindjes nga pushteti (i vjedhur)!

Mjaft goditjes së vullnetit të lirë të opozitës shqiptare!

Lerini shqiptarët ta ndryshojnë qeverisjen me mjetet që i kemi mësuar nga ju!

Qytetarët shqiptarë mund të jenë të varfër ekonomikisht por nuk janë budallenj dhe të painformuar për të kuptuar se kush shkaku i ikjes së shqiptarëve nga vendi!

Ju lutem ndërroni kurs se jeni në rrugë të gabuar!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco