Kurrë ndonjëherë, një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori!

Kurrë ndonjëherë, një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori!

Nga Sali Berisha - 29/03/2023

Ne mblidhemi për një debat rreth doktrinës së Vaso Çubrilloviqit, dhe unë dua të falënderoj z. Izet, dhe z. Rexhep për publikimin e këtij libri, i cili sot është më aktual se kurrë për çdo shqiptar.

Ne përjetojmë këto vite krizën më të rëndë të ekzistencës që nga vitet 1870. Në vitet e krizës lindore, shqiptarët realisht ishin para alternativës: ‘to be, or not to be’. Përveç vetes së tyre, dhe austro-hungarezëve, shumë të paktë ishin ata që i pranonin për komb. Perandoria mohonte kombësinë shqiptare në mënyrën më të vendosur. Porta e Lartë dhe pallati Jolldiz, ishin të gatshëm të shpallnin grekë, sllavë të gjithë të krishterët shqiptarë, me qëllimin e vetëm që muslimanët t’i paraqisnin si otomanë të Europës.

Ne edhe sot, qortojmë Zeusin e asaj kohe, Bismark-un se tha: këta janë një shprehje gjeografike. Por e vërteta në klasifikimin e kombit që kishte ajo kohë, komb quhej popullata që kishte një besim fetar, dhe ne kishim tre. Komb quhej popullata që kishte një territor, ne Perandoria na kishte ndarë në 4 territore,e me rradhë.

Ne nuk hynim në kushtet me të cilat koha përcaktonte kombet, por ne ngritëm zërin tonë, fillimisht e vërtetë është, jo me libra, por me pushkë. Ishte ajo rezistencë që iu bë vendimeve të kongresit më të fuqishëm të kohës, Kongresit të Berlinit, kryesisht në zonat e Alpeve, e cila faktoi të kundërtën e asaj që ne mendonim. Faktoi se këta ishin një komb. Se po luftonin muslimanët shqiptarë, kundër muslimanëve turq. Të krishterëve shqiptarë, kundër të krishterëve sllavë.

Në këtë mënyrë, pastaj Rilindasit, formuluan doktrinën e shqiptarisë, doktrinë perëndimore, dhe kombi mori rrugë.

Nga ajo kohë kemi kaluar rreziqe. Ndoshta Londra duhet falënderuar, sepse e vërteta është pas luftës Londra ishte zhdukja e Shqipërisë, përsëri. Edhe ata kufij që u vendosën në Londër, u penduan. Dhe po në Londër firmosën Traktatin e Fshehtë në 1915, për ta fshirë edhe Shqipërinë nga harta.

Po përsëri, Shqipëria nuk fshihej, duhet të jemi realist. Lëvizjet e mëdha shqiptare nga Lidhja e Prizrenit, deri në vitin 1920 e bënin pothuajse të pamundur fshirjen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë nga harta. Prandaj themi, se sot jemi pas 1870, ku vërtetë ishim para alternativës: ‘to be, or not to be’, sot jemi po në një gjendje të pashembullt ndonjëherë.

Në rast se, Lufta e Parë Botërore ku në të cilën tokat shqiptare u shkelën nga 7 fuqi të huaja, ku ata aplikuan gjenocide nga të katër anët, aplikuan spastrime masive etnike. Megjithatë popullata shqiptare e humbur është 10% e kombit. Të tjerë thonë maksimumi 20% e tij, por statistika jo plotësisht të verifikuara.

Sot ne kemi një statistikë më të saktën që nuk kemi pasur kurrë në histori. Në 8 vite kemi humbur vetëm në hapësirën e Shengenit, 937 mijë shqiptarë, mbi 1 milion nëse llogarit edhe vendet e tjera, pra kemi humbur qartësisht rreth 35% të popullatës në Shqipëri.

Kurrë ndonjëherë, një komb nuk ka humbur kaq shumë në histori.

Polakët të cilët janë kombi të cilët u përgjakën më shumë se çdo komb tjetër në Luftën e Dytë Botërore, dolën nga ajo luftë 20% më pak. Ne pra, sot jemi 35% më pak sesa ishim 8 vite më parë.

Imagjinoni në një moment, sa do jemi pas 8 vitesh, duke patur parasysh se këta 1 milion që ikën, gjatë 8 viteve të ardhshme do bëjnë gjithçka të marrin më të dashurit e tyre aty ku po krijojnë jetën e re. Jemi në një moment, në krizën më të thellë nga 1870, të ekzistencës sonë kombëtare.

Në histori, njerëzit kanë lëvizur lirshëm, kanë emigruar. Këto kanë qenë fenomene konstante që kanë shoqëruar kombet dhe njerëzimin. Ka dy lloje lëvizjesh: lëvizje kur merret me vullnet të lire, dhe lëvizja tjetër e kushteve të kalkuluara.

Vaso Çubrilloviq, në doktrinën dhe elaboratet e tij,përcakton kushtet që duhet të përzënë shqiptarët nga vatrat dhe trojet e tyre. Pra, kemi të bëjmë me dy fenomene me baza krejtësisht të ndryshme. Por, në Konventën e OKB-së për gjenocidin, neni 3 i kësaj Konvente cilëson gjenocid, largimin e qytetarëve, banorëve nga vendi i tyre ku banojnë për shkak të krijimit të kushteve të kalkulueshme që ata të largohen. Kjo është, ndaj edhe ajo është një doktrinë e gjenocidit kundër shqiptarëve.

Doktrina e Vaso Çubrilloviqit është doktrinë e mirëfilltë e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Nuk është i vetëm për fat të keq. Doktrinar, njësoj si ai është dhe Ivo Andriç, i cili për turpin e turpeve ka edhe çmimin Nobel për ‘Ura mbi Drin’. Në njëfarë mënyrë edhe ky është një lloj racizmi ndaj shqiptarëve, sepse të laurosh me çmim Nobel një doktrinar gjenocidi ndaj një kombi të vjetër, shumë të vjetër. Po ndaj asnjë kombi, ti nuk mund të laureosh, siç ka ndodhur me Ivo Andriç.

Kthehemi pak te kriza që po kalojmë. Çfarë është kjo që po përjetojmë?

Ky është një spastrim etnik bazuar te doktrina e Çubrilloviçit në sensin e krijimit të kushteve të kalkuluara që shqiptarët të largohen nga Shqipëria. Po të marrim demografinë e 16 viteve të fundit, ajo tregon se nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur çdo vit, dhe kjo është statistikë e saktë e pamohueshme. Dhjetëra e qindra shqiptarë kanë lëvizur nga Shqipëria, por edhe janë kthyer, por nga viti në vit popullata e këtij vendi pa një politikë specifike demografike është rritur çdo vit.

Nga viti 2014 gjer më sot, ajo pakësohet në mënyrë të rrufeshme, sepse janë krijuar kushtet e kalkulueshme për largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Një nga kushtet më themelore është pasiguria e plotë në të cilën sot jetojnë shqiptarët në këtë vend. Vetëm në një vit, në vitin 2015 në mos gaboj, janë arrestuar 37 mijë shqiptarë.

Statistika tregon se në vitin 1946 u arrestuan 17 mijë shqiptarë, kaq u arrestuan. Sigurisht, ata u arrestuan për motive politike, etj., por në burgjet e Shqipërisë për një vit u burgosën 17 mijë vetë. Në burgjet e Shqipërisë për një vit të këtij regjimi u burgosën 37 mijë nga të cilët 80% u arrestuan për çështje civile, që nuk mund të ndodhë kund në botë, përveçse në atë vend që nuk njeh ligjin, përveçse aty ku bëhet gjithçka për të dhunuar qytetarin, për t’i nxirë jetën, për t’ja bërë të pamundur që të jetojë.

Çështja civile është çështje civile. Qoftë edhe pushtuesi, edhe për pushtuesin ka Konventa Ndërkombëtare që e detyron t’i mbajë si çështje civile. Kjo është e vërteta.

Pasiguria vjen nga lidhja e tmerrshme qeveritarëve, e organeve të zbatimit të ligjeve me bandat. Juve iu kujtohet. A nuk ishte Shullazi që donte të emëronte rektorin, sepse Edi Rama nuk mblidhte dot votat e Senatit për të emëruar një zonjë? Dhe ai dilte në mes të qytetit dhe i thoshte se unë të rrëmbej djalin po nuk u largove ti.

Mafia këtu është omnipotente. Merrni rastin e fundit, vriten njerëz të pafajshëm, pa asnjë lidhje. Por brenda është gjithnjë mafia. Dhe ka një ngushëllim, që sot rendi është më i mirë se kurrë.

A ekziston drejtësia? Drejtësia nuk ekziston.

George Soros ia doli të shkatërrojë sistemin e drejtësisë, t’i presë këtij shteti shtyllën kurrizore. Nuk është se ishte një drejtësi e përsosur, larg së qenuri e përsosur. Por, ua them këtu, në të gjitha raportet e KE, dhe ta dini ato janë raporte që bëheshin në vëzhgimin më të plotë, flitej për shtet ligjor funksional. Në të gjitha raportet e KE, tregohej se 70% e proceseve kundër qeverisë i fitonin qytetarët. Në gjitha raportet e KE tregohej se zbatimi i vendimeve te gjykatave ishte i barabartë në nivelet me disa vende anëtare të BE. Ata merrnin kryesisht zbatimet financiare për bazë.

Pra, kishte një siguri për qytetarin. U rrënua sistemi i drejtësisë, u privuan qytetarët shqiptarë nga e drejta e një procesi gjyqësor, u përdor një propagandë e neveritshme kombëtare dhe ndërkombëtare për t’iu servirur shqiptarëve dështimin për sukses. Sot del që ai ishte procesi kombëtar dhe ndërkombëtar më i korruptuar, ndër më të korruptuarit në Europë. Sot një shqiptar duhet të presë 10 deri në 20 vite për të marrë një vendim gjyqësor. Kjo nuk është drejtësi. Sot, çdo qytetar për të marr vendim nga Apeli, duhet të paguajë 10 deri në 20 herë më shumë nga sa paguante, sepse nga të katërta anët e Shqipërisë, duhet të vijnë në Tiranë. Çfarë i thoshte një avokate dje Zërit të Amerikës? Këtu në Vlorë klienti më paguante 500 lekë, tani duhet të më paguajë 10 mijë lekë se më duhet ta ndjek në Tiranë.

Imagjinoni ju. Po, aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka të drejta.

Këto kishte parashikuar Çubrilloviçi, t’i mërzisim thoshte, që të marrin autobusët dhe të ikin. Nuk është vetëm pasiguria. Është një vjedhje që iu bëhet shqiptarëve sot. Nuk ka njerëz në botë më të vjedhur dhe më të mashtruar se shqiptarët sot. Ne kemi vuajtur shumë nga varfëria, dhe nqs e studiojmë historinë tonë, duhet të jemi realistë. Ajo është histori mbijetese. Historia jonë si komb është histori mbijetese në tërësinë e saj, konservimi, mbijetese. Por, në 30 vite ajo doli nga suaza e mbijetesës, pavarësisht çfarë thonë.

Nga viti 1992 deri në vitin 2013, Shqipëria është rritur 21 herë. Kjo falë djersës lumenj, sakrificave të shqiptarëve, por edhe reformave. U bë gjithçka që qytetarëve t’u rikthehej ajo që iu merrej. Dy nga momentet më të veçanta në memorien time në këtë aspekt janë: Së pari, kalimi ynë nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta. E nisëm me 204 dollarë për frymë, dhe unë në vizitën time për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë jam ulur karshi Presidentit Bush, si një president me rrogë 16 dollarë në muaj. Ia dolëm në 2008 të ngjitemi në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, dhe kjo ishte e jashtëzakonshme. Ishte një arritje e madhe, ia dolëm. Ne mund të ecnim shumë shpejt, për të mos thënë mund të vraponim, për ta lënë prapa atë të shkuarën tonë të hidhur, sepse ne kishim dhe kemi potenciale të jashtëzakonshme. Nuk njoh asnjë vend tjetër të ketë pasuritë e mëdha që ka Shqipëria.

Së dyti, ne arritëm në një studim shumë interesant, të renditemi të katërtit për përdorimin në favor të qytetarëve të buxhetit dhe borxhit. Si arritëm? Thjeshtë. Dyfishuam rroga dhe pensione dhe ndërtuam mbi 11 mijë km rrugë, shkolla, ujësjellësa. Të gjitha këto ishin një tregues dhe për të gjitha këto shqiptarët filluan t’i besojnë Shqipërisë. Për të gjitha këto popullata na Shqipëri filloi të rritet. Shqipëria ka potenciale shumë të mëdha dhe këto ishin hapat e para që ne po dilnim nga e shkuara jonë.

Çfarë ndodhi?

Ndodhi me shpejtësi një rrokullisje në paga dhe pensione më të ulëta në Europë. Edhe në Kosovë. Mjeku në Kosovë merr dyfishin e rrogës së mjekut në Shqipëri. Po kështu edhe nëpunësit e tjerë. Maqedonia i ka edhe më lart. Mali i Zi i ka tani pothuaj dyfishin.

Shkoni në rrethe, në Mat, Mirditë, Pogradec, Përmet, çfarë do gjeni aty? Do gjeni kohë të ndaluar, zona të braktisura, pa investime, rrugë në shkatërrim e sipër, popullatat në largim. Sepse ai që quhet zhvillim rural dhe që është kushti më themelor i shndërrimit të kombit në një vend të zhvilluar, ndaloi. Kam krahasuar njëherë investimet e kësaj qeverie me të gjitha qarqet e veriut, ato nuk arrinin as 2/3 e investimit të Sheshit Skënderbej. A mund ta imagjinoni ju këtë në një kohë kur, të themi atë që është, kaskada është një nga kontributorët më kryesorë në të ardhurat e këtij vendi, pastaj dhe minierat.

Përkundrazi, u hoq dhe renta, duke shkelur edhe në angazhime ndërkombëtare. Renta i mbetej një përqindje e mirë komunitetit lokal. Jo, do ta heqim dhe atë, ta kemi në duar ne. Çfarë u mbetej atyre? Të ikim dhe vetëm të ikim!

Përmeti ka potenciale të jashtëzakonshme, kudo, por problemi është se ky regjim po sillet ndaj tyre më keq se një pushtues. A mund ta imagjinoni ju një qeveri që vjedh dhe shperdor në 9 muaj sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit? Aktualisht këtij kontrolli. 122 miliardë lekë, 130% fondin e pagave vjetore të shqiptarëve.

Pra, jemi në kushtet e kalkulueshme. Po bizneset, çfarë ndodh? Bizneset, ose duhet të dorëzohen dhe të bëhen socialiste, ose ekzistenca e tyre është e pamundur.

Mafia ka penetruar në çdo qelizë. Merrni Tiranën, ka treguesin më të lartë absolut në Europë për ndërtimet. E ka 2-3 herë më të lartë se shumica e kryeqyteteve të kontinentit. Në çdo vend të botës, kjo do nënkuptonte çmime të arsyeshme, por të tretat më të lartat në Europë pas Parisit dhe Mynihut, ua them unë ju. Mos u çudisni. Janë më të lira në Budapest dhe Bruksel, se në Tiranë. Nga të mos largohen, kur ai e sheh se nuk blen dot kurrsesi një shtëpi? Po shkoj atje, se më strehojnë, dhe i japin një strehë.

Kjo është politikë e një gjenocidi që ushtrohet ndaj shqiptarëve, dhe çdo komb që gjendet para një gjenocidi duhet të reagojë. U serviret gjithçka, mashtrohen nga mëngjesi deri në darkë njerëzit. Është krijuar një grup mashtruesish profesionistë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër vetëm dizinformojnë qytetarët. Paguhen vetëm për dizinformimin e qytetarëve. Një propagandë toksike e tillë, ka ekzistuar vetëm në kulmin e diktaturës komuniste. Edhe ky është një faktor tjetër. E vërteta është se, asnjë pushtim dhe fuqi e huaj, por një narkoshtet, një shtet i bazuar në doktrinën e George Sorosit, e cila është doktrinë e favorizimit të krimit dhe drogës. Soros është promotori kryesor i legjitimimit të drogës. Soros ka ndërmarrë në OKB me presidentë aventurierë nismën për rezolutë për ndalimin kundër trafiqeve dhe mbjelljes së drogërave në Amerikën Latine. Ka ndërmarrë vizita me të tjerë në qendrat kryesore të Escobarit dhe të trafiqeve. Kjo që ndodh në Shqipëri është republika e George Sorosit, dhe ai ka një fuqi të jashtëzakonshme, mos ta harrojmë këtë. Shqipëria fakton se droga është krim dhe vetëm krim.

Soros ka një influencë politike të pakufijshme, dhe bën që të legjitimohet këtu dhunimi i votës, kriminaliteti. Pra, në kushtet në të cilat jemi, mendoj se gjithçka duhet të fillojë të mendojmë se cili është raporti ynë me këtë vend, me këtë komb?

Të zgjohemi se kemi një problem serioz. Asnjë njeri i qytetëruar nuk mund të rrijë i heshtur, indiferent para këtij agresioni. Jo ushtarak, por të gjithanshëm që iu nënshtrohen shqiptarët sot. Para këtij vendi që po shndërrohet në laboratorin eksperimental të doktrinës famëzezë të George Sorosit. Më shumë së kudo tjetër, këtu po aplikohet doktrina e shkatërrimit të familjes, të cilës ne më shumë se çdo gjë i detyrojmë ekzistëncën kombëtare. Ekzistencën si komb ne ua detyrojmë nënave tona, familjeve tona. Ndaj dhe u kërkonin, t’ua vrasin edhe nënën shqiptarëve, se aty qendron arma e tyre kryesore. E vërteta është, se edhe në këtë drejtim nuk është se kanë bërë pak. Lindshmëria ka rënë në mënyrë dramatike. Vitin që kaloi kishim më shumë vdekje se lindje. E humbëm edhe atë armë e cila i tmerronte albanofobët.

Sot çdo shqiptar, duhet t’i shtrojë pyetje vetes: a po bëj unë minimumin për këtë vend dhe për këtë komb, për të ardhmen e tij dhe fëmijëve të tij? Çdo shqiptar duhet të kujtojë një thënie të Faik Konicës. Në kohën e tij Faik Beu shkruan se: vetëm 37 shqiptarë e duan Shqipërinë. Ai ishte në një fatalitet, por shqiptar më të zgjuar nuk mbajnë kohërat. Ne bëjmë mirë, jo të mendojmë se vetëm 37 shqiptarë e duan Shqipërinë, jo e duan shumë më tepër, por ai është një apel që ne të mos pranojmë këtë realitet. Është një mision sot kundërshtimi i këtij realiteti.

Po, Shqipëria ka absolutisht gjithçka, çdo potencial dhe mundësi për të qenë një nga vendet me demografinë më të shëndetshme në rajon dhe Europë. Ju garantoj se, PD do qëndrojë fuqishëm së pari në krijimin e kushteve të kalkulueshme për të qendruar në Shqipëri, dhe jo për t’u larguar.

Së dyti, me politika specifike demografike, të cilat janë jetike dhe të domosdoshme për të përballuar këtë shpopullim të frikshëm masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.

Edhe njëherë iu falënderoj shumë për ndërhyrjet tuaja, për publikimin e librit.

Ftoj shqiptarët ta lexojnë doktrinën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Vaso Çubrilloviqit dhe ta krahasojnë me gjakftohësi dhe pa pasion me politikën që ndjek Edi Rama dhe doktrinën e George Sorosit.

Faleminderit shumë!

*Fjala në konferencën "Shpopullimi ose zhbërja e Shqipërisë: Nga "Doktrina e Çubrilloviç" te "Qeverisja Rama" 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco