Demokratët duhet të bashkohen kundër ‘vrasësve politikë me pagesë’

Demokratët duhet të bashkohen kundër ‘vrasësve politikë me pagesë’

Nga Ndriçim Kulla - 26/03/2023

Demokratët dhe gjithë elektorati opozitar i njeh kandidatët e dalë nga primaret si sfidantët e vërtetë përballë PS dhe makinerisë së saj të mirëpaguar për zgjedhjet vendore të 14 majit. Kandidatët e opozitës së vërtetë janë votuar direkt nga demokratët me ‘një anëtar një votë’ dhe ka tre muaj që janë në terren në takime me qytetarët.

Ata i njohin të gjithë qytetarët, të djathtë dhe të majtë. Të vetmit që nuk kanë dashur t’i njohin, madje i kanë injoruar, janë përfaqësuesit e PD së emëruar me vendim gjyqi. Këto tre javë pas 6 marsit, kur ata u autorizuan të kryejnë detyrat me delegim nga kryetari i strukur, edhe nga KAS, por jo nga demokratët, fatkeqësisht përfaqësuesit e emëruar të PD u përpoqën të mbulojnë diellin me shoshë, duke u bërë gjoja ftesa kandidatëve të primareve të braktisin votuesit e tyre të vërtetë dhe t’i bashkohen të emëruarve të qeverisë në krye të PD.

Ky grup i emëruar synonte të maskonte rolin e tij të vërtetë si ‘vrasës politik me pagesë’, duke i ngulur thikën pas shpine demokratëve me atë ankimin, pa qenë palë e vërtetë, në Gjykatën e Apelit, të cilin qeveria e përdori me mjeshtëri për të goditur edhe njëherë Partinë Demokratike të vërtetë.

Qeveria e realizoi qëllimin e saj plotësisht: e emëroi edhe de jure një gjoja opozitë, si vrasëse politike me pagesë e shpresave dhe idealeve të demokratëve të thjesht, me shpresë që t’i shpëtoj uraganit opozitar në zgjedhjet e 14 majit. Opozita vrasëse politike me pagesë, e emëruar nga Rama & Co e vazhdoi shfaqjen e saj të shëmtuar teatrale.

Vrasësit politikë me pagesë bënë sikur po diskutonin me gjoja organet e tyre të mbetura deri sot, nëse do të dilnin me kandidatë për kryetarë bashkish, si bishta të kandidatëve të PS, faktikisht me rol të vrasësve politikë të paguar kundër kandidatëve të primareve. Mbrëmë dhe sot po çlirohet nga sikleti grupi drejtues i opozitës vrasëse politike me pagesë, teksa deklaroi skenarin e hershëm dhe të vërtetë që ka marrë përsipër, siç bëjnë vrasësit ordinerë, por me të vetmin ndryshim që ka natyrë politike: hakmarrje me çdo mjet kundër demokratëve që kanë votuar kandidatët e tyre përmes primareve!

Në fakt, i gjithë ky ishte një teatër tallës me publikun. Dhe kjo për një shkak të thjesht: Ditën kur qeveria i emëroi edhe de jure, me vulën e Apelit dhe konfirmimin e KAS, u ngarkoi edhe misionin e paguar të vrasësit politik. Ka të ngjarë t’u këtë dhënë edhe listën e kandidatëve, me të cilët opozita e emëruar do të vriste shpresat e popullit të thjesht demokrat, i cili po shkon në këto zgjedhje me kandidatët që i kanë votuar vetë në primare.

Ky teatër po mbyllet sonte. Madje, kamikazët e Ramës i përcaktuan mbrëmë kandidatët, në sinkronizim të plotë edhe në kohë, thuajse në të njëjtën orë, me PS. Vrasësit politik me pagesë të emëruar nga Rama janë në misionin e tyre kundër demokratëve dhe ai është shumë i thjesht: sa më shumë vota t’u hiqen kandidatëve të opozitës së vërtetë, në mënyrë që të fitojnë kandidatët e Ramës, mundësisht në të 61 bashkitë e vendit! Këto 50 ditë të mbetura të fushatës do të nxjerrin në shesh akoma më shumë gjithë shpirtin vrasës politik të këtij grupi të ngushtë kamikazësh.

Kjo ishte e pritshme dhe ka gabuar shumë cilido, që ka shpresuar, që kamikazët e opozitës së emëruar të kenë vërtetë ndonjë nuancë gatishmërie për t’u bashkuar me demokratët, të cilëve këta kamikazë të Ramës u hodhën gazin lotsjellës dhe i dhunuan egërsisht me policinë të qeverisë në 8 janarin 2022.

Por a ka ndonjë mundësi dhe hapësirë që të goditet dhe neutralizohet ky skenar makabër i Ramës përmes kamikazëve vrasës politik me pagesë të gjoja opozitës së emëruar?

Unë mendoj se një mundësi reale ekziston akoma. Dhe kjo qëndron në bashkimin e demokratëve në bazë. Unë mendoj se, edhe ata demokratë, të cilët nuk e kanë pranuar shumicën, pra PD e Rithemeluar, qoftë edhe Berishën, ndoshta ka prej tyre edhe kandidatë të emëruar nga grupi i vrasësve politikë me pagesë, e kanë kuptuar, dhe gjatë fushatës do ta kuptojnë akoma më shumë, se edhe ata po përdoren thjesht si ‘vrasës me pagesë’ për t’u hakmarrë ndaj vëllezërve dhe motrave të të njëjtit ideal, demokratëve të thjesht, vetëm e vetëm për të dëmtuar demokratët dhe opozitarët dhe për t’u siguruar fitoren kandidatëve të Ramës.

Unë shpresoj akoma se ata nuk do të pranojnë të shkojnë në qendrat e votimit si vrasës politik me pagesë për këtë hakmarrje të shëmtuar ndaj vëllezërve dhe motrave të tyre të të njëjtit ideal. Pikërisht ko është edhe pikënisja për bashkim në bazë. Por ky proces kërkon një lidership lokal. Këtë lidership mund t’a udhëheqin tani kandidatët e primareve. Ata duhet të jenë të parët që t’i shtrinë dorën e bashkëpunimit bashkëqytetarëve të tyre demokratë të mashtruar nga kamikazët e Ramës, duke filluar madje me kandidatët e nxjerrë prej këtij grupi.

Ky bashkim duhet të bëhet në emër të shpëtimit nga asgjësimi i familjes së idealeve të tyre të përbashkëta demokratike dhe të historisë së përbashkët të vuajtjeve nga Diktatura komuniste si dhe nga pasardhësit e tyre, të cilët kanë instaluar në këto 10 vite të një Neodiktaturë të egër. Këto janë qëllimet e larta të bashkimit të demokratëve në bazë.

Por ky bashkim duhet të bëhet edhe për hir të interesit të përbashkët të demokratëve si bashkëqyetarë, të cilët, për shkak të humorit të ish kryetarit të tyre tani të strukur, prej 4 vitesh, nuk kanë asnjë akses në pushtetin vendor, asnjë këshilltar, madje as edhe një kryeplak fshati. Ata vuajnë njëlloj dhe janë privuar njëlloj nga çdo mundësi dhe hapësirë në bashkitë ku jetojnë.

Ata janë të persekutuari e rinj; janë të injoruar a thua sikur nuk janë banorë të bashkisë; janë të përndjekur nga pushteti vendor socialist për çdo gjë; atyre u është hequr kafshata e ndihmës sociale; fëmijët e familjeve demokrate nuk kanë asnjë shans që të aplikojnë për bursa, pa folur për mundësi për t’u punësuar në administratën apo ndërmarrjet e shërbimeve të bashkisë, dhe plot forma të tjera të shtypjes së vërtetë politike nga ky sekt i rrezikshëm që sundon në Shqipëri, ose e thënë më thjesht, format dhe mënyra të persekutimit neodiktatorial, që kanë prekur, deri në palcë, çdo shtresë të demokratëve.

Në këtë situatë ku janë demokratët, pyetja që shtrohet është: a do të pranojnë ata të qëndrojnë të persekutuar si qytetarë të dorës së dytë nën sundimin e neodiktatorëve socialist vendor, apo do të luftojnë për t’i përmbysur këta sundimtarë të rinj dhe do të marrin në dorë fatin e tyre fillimisht përmes zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre si kryetarë të bashkive, kryetarë të këshillave bashkiakë, kryetar të Njësive administrative dhe përmes fitimit të shumicës në këshillat bashkiakë.

Mundësitë dhe hapësirat për këtë bashkim të të gjithë demokratëve në bazë rreth kandidatëve të primareve janë reale. Ata mund t’u afrojnë kandidatëve të nxjerrë nga opozita e emëruar, një bashkëpunim konkret që nga bashkëqeverisja e bashkisë dhe ti ftojnë ata të bëhen pjesë e shtabeve të tyre të fushatës dhe ekipeve të nesërme të drejtimit të bashkisë.

Ky bashkim i demokratëve në bazë nën lidershipin kandidatëve të primareve, si njerëz të votuar direkt nga vetë demokratët, jo vetëm do të rritë shanset e fitores masive të demokratëve të bashkuar në bashkitë e vendit, por do të përbënte një bazë të sigurtë për të realizuar Bashkimin e shumëpritur dhe të shumëkërkuar të Partisë Demokratike. Në një farë mënyre, ky proces do të ishte shumë më i shëndetshëm, sepse do të bëhej nga poshtë – lart.

Demokratët e bashkuar ne bazë do të neutralizonin strategjinë e vrasësve politikë më pagesë të opozitës së emëruar. Nga ana tjetër, ky bashkim në bazë, do t’i impononte edhe lidershipit në qendër të PD së vërtetë, një shpejtësi dhe dinamikë të re në këtë proces jetik për të ardhmen e PD dhe gjithë opozitës shqiptare.

Unë uroj që kandidatët e votuar në primare do të kuptojnë këtë rol të rëndësishëm që ata mund ta luajnë që nesër, në mënyrë që demokratët të shkojnë të bashkuar në bazë në zgjedhjet e 14 majit, për ti dhënë grushtin e parë këtij sekti sundues në bashki dhe pastaj edhe në qeveri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco