Pse i shiti Edi Rama azilkërkuesit shqiptarë në Britaninë e Madhe?

Pse i shiti Edi Rama azilkërkuesit shqiptarë në Britaninë e Madhe?

Nga Hysni Gurra - 25/03/2023

Ndaj Ramës duhet të ruhesh atëherë kur duket sikur po të mbron publikisht- kjo aksiomë e ish-shokëve dhe miqve të kryeministrit vlen edhe për vizitën e fundit në Britaninë e Madhe.

I ftuar pasi marrëdhëniet me Britaninë e Madhe pësuan rënien më të madhe që nga viti 1945, Edi Rama me retorikën e tij duket sikur po mbronte emigrantët shqiptarë. E kundërta është e vërtetë.

Një postim i ambasadës së Britanisë së Madhe qartëson se “të dy palët ranë dakord për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjeve dypalëshe”.

Ajo që publiku shqiptar pret, ajo që presin me ankth mijëra familje shqiptare, fëmijët e të cilëve kanë vënë në rrezik jetën për të shkuar në Angli, është pikërisht transparenca se çfarë marrëveshje është arritur për azilkërkuesit shqiptarë.

Këtu lideri global nuk ka përgjigje. Flet dhe bën batuta bajate për rusët, për hënën, për Brexit, por asnjë fjalë për çfarë ka nënshkruar.

Dyndja e shqiptarëve përmes kanalit La Mansh në gusht të vitit të shkuar shkaktoi tërmet politik dhe mediatik në Britani.

I pyetur nga gazetarja e Sky News se pse ikin në masë shqiptarët dhe pse shqiptarët përbëjnë 28% të të mbërriturve në Angli, Rama nuk ka përgjigje konkrete.

Prej vitesh ndaj plagës më të madhe të kombit shqiptar- emigracionit masiv sidomos këto 10 vitet e fundit ka përgjigjen bajate se njerëzit janë të lirë të ikin dhe nuk ikin vetëm shqiptarët. Kjo deklaratë mund të jetë çerek e vërtetë, por nga asnjë vend tjetër nuk ka ikur më shumë se ⅓ e njerëzve gjatë qeverisjes 10 vjeçare të Edi Ramës.

Me një siguri të pashpjegueshme, Edi Rama para kamerave, mban leksion në Downing Street. Merr poza dhe fryhet a thua se ai udhëheq Britaninë e Madhe dhe përballë ka kryeministrin e vendit më të korruptuar në Europë.

Por, anglezët janë pragmatistë. E dinë që Rama ka qejf dukjen dhe e ndihmojnë mjaft të mbarojnë punë dhe puna duket e kryer për ta.

Në vend që të kërkonte që azilantët shqiptarë të trajtoheshin me dinjitet sipas ligjeve të vendit në fuqi, në vend që të kërkonte politikë më liberale për dhënien e vizave të punës për shqiptarët- Edi Rama artikulon fjali të tipit: “Edhe Dua Lipa ka qenë emigrante shqiptare”. Kjo fjali mund të duket e bukur, mund edhe ta marrin gazetarët- por nuk i hyn në punë askujt.

Retorika për hir të retorikës, batuta për hir të batutës, fjalët e bukura për të kaluar radhën- janë filma të parë nga shqiptarët dhe tashmë edhe ndërkombëtarët.

Iku ajo kohë që Rama gjykohej nga fjalët- tani në gjyq është për “veprat e tij publike’ që kulmojnë me korruptimin e McGonigal.

Fryrjet si gjeli në majë të plehut dhe përdorimin e fotove ku del shumë bukur- le ta bëj me anëtarët e kabinetit apo ndonjë ambasador këtu- se dikush të paktën mund të nënqeshë.

Pyetja sot është: pse i shiti Rama azilkërkuesit shqiptarë? Me çfarë çmimi? Apo i shiti thjesht në këmbim të fotove dhe batutave bajate para medias?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco