Kryegjobëvënësi

Kryegjobëvënësi

Nga Hysni Gurra - 23/03/2023

Në kohën që rrjetet sociale dhe media gëlojnë për një rast gjobëvënie nga një “gazetar”, kemi harruar gjobëvënësin më të madh në këtë vend.

Ndryshe nga kriminelët që i vënë gjobë biznesit, ndryshe nga të “fortët” që i vënë gjobë “oligarkëve”, ndryshe nga të ashtuquajturit “gazetarë” që i vënë gjobë biznesmenëve, prokurorëve, gjyqtarëve, narkotrafikantëve, kryegjobëvënësi i vë gjobë edhe të varfërve.

Me gjobëvënësit që vishen si gazetarë është marrë vitet e fundit edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Këto “gjobëvënës” janë njolla e zezë e gazetarisë shqiptare.

Por duke u marrë me këto gjobëvënës është harruar kryegjobëvënësi.

Kryegjobëvënësi i vë gjobë kujtdo.

Ndryshe nga “gjobëvënësit” që e kanë “faturën” 1 mijë, 20 mijë apo 100 mijë euro, kryegjobëvënësi e ka dorën e rëndë.

Gjobat e tij që do t’i paguajmë të gjithë janë qindra milionë euro.

Po, po qindra milionë euro.

E përbashkëta është se kryegjobëvënësi merret me median.

Nga buxheti i shtetit, pra nga paratë që merren nga taksat tona, gjykata ndërkombëtare i ka prerë faturën Shqipërisë prej 140 milionë euro.

Nuk besoj se e ka harruar njeri çështjen e Beketit.

Për trillet e një njeriu do të paguhen as më shumë as më pak, por rrumbullak 140 milionë euro.

Çfarë do të ishin bërë me 140 milionë euro? Me standardin e qeverisë së sotme do të ishin ndërtuar 28 shkolla.

Me standardin e BE-së do të ishin ndërtuar 200 shkolla, po, 200 shkolla.

Çfarë do të ishin bërë me 140 milionë euro?

Me standardin e qeverisë së sotme do të ishin ndërtuar 7 km rrugë.

Me standardin e BE-së do të ishin ndërtuar së paku 140 km rrugë e kategorisë së parë.

140 km është një rrugë e re nga Tirana në Podgoricë.

E pra, 140 milionë eurot që ish zv/kryeministri Ahmetaj betohej në televizion se “asnjë kokërr leku nuk do të marrë Beketi” janë gjoba që ka prerë kryegjobëvënësi.

Por nuk mbaron me median e Beketit.

Këtu do të jemi dhe do të paguajmë edhe për sulmin ndaj medias me pronar Hysenbelliun.

Ne sot nuk dimë vetëm çmimin që do të paguajmë për trillet e kryegjobëvënësit, por e sigurt është që do të paguajmë.

E njëjta histori mund të vlejë edhe për Ora News.

Pa hyrë në llogarinë me gjyqet e humbura apo gjyqet që janë në proces nga ana e bizneseve, të gjithëve do të na duhet të paguajmë për trillet e një njeriu- Kryegjobëvënësit të Shqipërisë.

Paguajmë për të kaluar në Rrugën e Kombit, paguajmë më shtrenjtë faturën e ujit, paguajmë më shtrenjtë energjinë, paguajmë me shtrenjtë çdo ushqim që blejmë, paguajmë më shtrenjtë naftën, paguajmë më shtrenjtë ushqimet.

Por është e tepërt të paguash qindra milionë euro për gjobat që kryegjobëvënësi i vendos medias.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco