‘Nuk e njoh’

‘Nuk e njoh’

Nga Hysni Gurra - 20/03/2023

Në sondazhet e deritanishme që bëhen për Tiranën, Belind Këlliçit i del një përqindje përgjigjesh “nuk e njoh”.

Ta marrim me shembuj si kanë triumfuar ata që dilnin në sondazhe “nuk e njoh”.

Ja e marrim shembullin po me shqiptarë, jo me ndonjë popull tjetër.

Prishtina- Herën e parë që kandidoi Shpend Ahmeti për Prishtinën, ishte një emër i panjohur. Hyri në garë përballë një kandidati që kishte 2 mandate në detyrë dhe që e njihte gjithë Kosova, jo vetëm Prishtina. Profesor, drejtues i LDK-së së madhe, njeri me emër.

Nuk e njohim, nuk e njohim qytetarët nëpër sondazhe dhe votën te Shpendi të gjithë. Shpendi e mundi Isa Mustafën që e njihnin të gjithë.

Qeverisi Shpendi dy mandate, erdhën zgjedhjet lokale për Prishtinën sërish.

Vetëvendosja sapo kishte bërë histori në rang kombëtar, dominonte gjithë Kosovën me mbi 50% të votave në zgjedhjet parlamentare.

Nxori kandidat për Prishtinën figurën e saj politike ndër më të njohurat, Arben Vitia. I popullarizuar si ministër shëndetësie, e njihnin të gjithë. Dilte nga 5-6 herë më ditë në TV (koha e pandemisë).

Daut Haradinaj ishte gjithashtu një kandidat tjetër, deputet, vinte nga lufta, me plumba në trup akoma, plus vëllai i ish-kryeministrit të Kosovës.

Partia kryesore e opozitës, LDK-ja, futi në garë një emër të panjohur. Përparim Rama. Jetonte në Angli. Ishte aq i panjohur sa nuk e kapnin sondazhet fare. Aq sa po ngurronte të vinte edhe në fushatë.

Erdhi vetëm 2 muajt e fundit. Filloi fushata. Përparimin nuk e njohim, thoshin qytetarët në sondazhe.

Analistët nëpër media nuk e vinin në dyshim fitoren e Vitisë, kandidati i partisë në pushtet, kishte popullaritetin personal, të partisë dhe super popullaritetin e liderit të partisë së tij, Albin Kurtit. Dukej e mbyllur puna.

Ecte fushata, Përparimi bënte fushatë, mësonte edhe shqip ndërkohë. Populli vazhdonte “tallej”, nuk e njohim, thoshin kur pyeteshin në sondazhe. Kur pyeteshin për rivalët thoshin, po e njohim…

Raundi parë, eliminohen shumica, Përparimi dhe Vitia shkojnë në balotazh.

Filluan analistët prapë, ndodhi një gabim, tani e copëton Vitia në raundin e dytë. Erdhi dita, u kryen zgjedhjet, Përparim Rama kryetar i Prishtinës. Mbaroi, i panjohuri e mundi atë që e njihnin të gjithë.

Qytetarët ishin tallë fort, aq fort me sondazhet sa habitën edhe Përparimin vetë.

Mençuria popullore është e çuditshme. Të thotë të njoh, por nuk të thotë kurrë në sy që të njoh për mashtrues, kur je i tillë. Nuk e di pse nuk ta thotë, për edukatë apo për cinizëm, po nuk ta thotë. Të le të kënaqësh veten.

Me ç’duket nga rastet konkrete është më mirë mos të të thonë me zë të lartë “e njoh” sesa të bërtasin me zë të lartë e njohim dhe të buçasin nën zë- po e njohim, e njohim shumë mirë, por e njohim si mashtrues.

Prishtina e bëri dy herë, radhën e ka shumë i njohuri dhe “i panjohuri” në Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco