Në mesin e aferës 'Rama-McGonigal' u vendos një standard nga dy të rinj

Në mesin e aferës 'Rama-McGonigal' u vendos një standard nga dy të rinj

Nga Alfred Lela - 07/02/2023

Fjoralba Dizdari dhe Enri Ceno ishin dy emra pak të njohur nga publiku i gjerë. Dy të rinjtë, veprimtarë të Partisë Demokratike dikur, e prej disa muajsh edhe eksponentë të saj, njëra si anëtare e Këshillit Kombëtar dhe tjetri si Sekretar i Marrdhënieve me Jashtë, hynë në vëmendjen e përgjithshme javën që shkoi, gjatë një përpjekjeje të pafat të qeverisë për të shmangur lajmin e aferës “McGonigal-Rama” dhe për të marrë nën kontroll narrativën mediatike.

Fotoja e dy të rinjve, me krahun në sup si shenjë afrimiteti, dhe përtej këtij krahu i famshmi Carles McGonigal, u shërbye në kronikat e TV-ve sikur të ishte vetë lajmi i madh, dhe jo një aksesor që e kish hedhur në shtjellën e tij centrifuga e rastësisë.  Përpjekja ishte e qartë: relativizimi nëpërmjet shkërmoqjes së skandalit duke futur në darën e shkeljes edhe opozitën.

Kjo është teknikë e njohur kudo, por Rama me të tijtë, duke qenë se u kanë rënë nëpër këmbë kokat e prera të shumë skandaleve, janë marrë gjerësisht me të. Mund të thuhet se, më shumë se kanë qeverisur vendin, ata janë bërë guvernatorë të lajmit dhe të narrativës publike.

Përtej kësaj, ajo që u duk por nuk u shënua, ishte sjella që dy të rinjtë e PD patën në raport me lajm-shashkën. Ata reaguan menjëherë dhe, të paktën në dukje, rrëfyen të vërtetën. Folën për një darkë datlindjeje, ku rasti kishte hedhur miq të përbashkët që i prezantuan me agjentin e FBI. Ka rëndësi ky detaj për dy arsye: e para, dy veprimtarët e PD zgjodhën të reagojnë për çështjen dhe të jenë transparentë, dhe e dyta, edhe për faktin se ata janë zyrtarë të opozitës, por nuk kanë përgjegjësi publike, në kuptimin që ata nuk mbahen me taksat e qytetarëve, dhe as janë të zgjedhur apo të emëruar nga publiku. Bien në sy këto dy detaje, jo në vetvete por në kontrast me sjelljen e zyrtarëve të lartë që kanë marrë përgjejgjësi publike dhe paguhen nga arka e shtetit. Këta të dytët, nga Rama e poshtë, as bënë transparencë dhe as mbajtën përgjegjësi publike siç u takon.

Krejt e kundërta, Rama u fsheh, u shmang dhe futi në punë një gjuhë të padenjë të cilën e hodhi si Leviatan në shpinë të opozitës duke e akuzuar si përpunuese të akuzave. Të tjerë pranë tij, si Balla e me radhë, thanë se opozita i fryka McGonigalit për të mbuluar 21 janarin. Duke harruar se qeveria “e mbulon” vetë 21 janarin, të paktën prej 10 viteve që është në pushtet. Në këtë kuptim tallja publike, dhe me publikun, e Ramës dhe zyrtarëve të tij ishte e dyfishtë.

Në linjën e kundërsulmit që zgjodhi qeveria, 21 janari, i bie që edhe gazetat e mëdha amerikane, që raportuan me këmbëngulje për rastin “McGonigal”, duke e bërë pjesë të raportimit dhe hulumtimeve edhe kryeministrin e Shqipërisë, të kenë patur të njëjtën agjendë me opozitën. Gjë që do ishte fatlume për PD, e megjithatë e pamundur.

Sido që të jetë, qeveria marshon e sigurt në vendosjen e standardeve të mbrapshta. Rasti, apo vullneti politik, e desh që të vetmin standard etik dhe publik në gjithë këtë aferë kaq skandaloze dhe shumëplanëshe, ta vendosnin dy të rinj të opozitës, deri dje thuajse të panjohur./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco