Karma, Donaldi, Edi e standardi

Karma, Donaldi, Edi e standardi

Nga Genc Pollo - 06/02/2023

Para nja dhjetë ditësh në shënimin tim "Karma, Edi, Roberta dhe standardi" argumentoja se Edi Rama nuk mund të kishte fytyrë t'i fliste për "karman" (ose parimit "ç'të bësh, atë do të gjesh") zonjës Roberta Metsola, presidente e Parlamentit Europian. Meqë sebepi ishte skandali i korrupsionit, që në dhjetorin e shkuar përfshiu disa eurodeputetë socialistë, krahasoja standardin e presidentes Metsola që u angazhua personalisht menjëherë e maksimalisht që të hiqte çdo pengesë të mundshme ndaj hetimit të prokurorisë belge, me standardin Rama që personalisht e përmes mazhorancës paralmentare mbrojti deri aty ku s'mbahej më deputetin socialist Saimir Tahiri ndaj kërkesave të prokurorisë shqiptare për kontroll banese e arrestim.

Po para nja dhjetë ditësh Departamenti i Drejtësisë së ShBA publikoi akuzat kundër ish shefit të zyrës për New York-un të FBI-së, Charles McGonigal. Siç është bërë e njohur, KM Rama u miqësua dhe e ryshfetoi atë përmes dy të besuarve të tij Neza e Duçka që FBI të hetonte një lobist të PD. Përmes lobistit "bashkëpunues" do të shantazhohej e kontrollohej opozita.

Këto zhvillime dramatike më nxisin t'i rikthehem sërish krahasimit të standardit. Kësaj radhe jo si reagon shefi kur më të vegjlit bëjnë zullum siç është rasti më lart me imunitetet parlamentare në Bruksel e Tiranë. Por si reagon parlamenti kur zullumin e bën shefi i ekzekutivit?

Në shtator 2019, Presidenti amerikan Trump i kërkoi Presidentit ukrainas Zelenski që ky të hetonte aferat në Ukrainë të Hunter Biden-it (ky i fundit po hetohet aktualisht nga drejtësia amerikane për afera të shumta dhe, sipas një e-maili, del i lidhur në biznes me Duçkën e Ramës). Përdorja e hetimit ukrainas mbas një viti në fushatën presidenciale 2020 ku Donald Trump do të përballej me Joe Biden, të atin e Hunterit, ishte me sa dukej motivi parësor i Presidentit; dukshëm më i rëndësishëm sesa luftimi i përgjithshëm i korrupsionit. Një funksionar amerikan e denoncoi këtë kërkesë si abuzim me detyrën dhe në tetor Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit të ShBA aprovoi hetimin parlamentar të kësaj çështje për të verifikuar nëse Donald Trump kishte kryer shkelje të rënda që justifikonin shkarkimin e tij (impeachment).

Përgjatë dy muajve u administruan dokumente pafund, u pyetën duzina me dëshmitarë dhe u debatua pro e kundra. Në dhjetor kongresmenët demokratë votuan pro shkarkimit të presidentit edhe pse e dinin se kjo nismë do refuzohej nga Senati; kështu edhe ndodhi dhe po e lemë mënjanë këtë nismë të fundit, dukshëm partiake, e në thelb jo proporcionale madje edhe të pabazuar. Por në tërësi publiku amerikan i interesuar pati mundësinë të njihej me faktet dhe me pikëpamjet e palëve mbi një çështje të cilën Dhoma e Përfaqësuesve e kosideroi se lipsej t'a hetonte. Po kështu edhe organet gjyqësore.

Skandali Rama-McGonigal është shumë më problematik sesa krijimi i avantazhit në një fushatë përmes një afere korrupsioni në rrethin familjar të kundërshtarit. Me sa dimë deri tashti synimi ishte shantazhimi i kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha përmes "kompromatit" që do të ofronte lobisti Muzin nën presionin e FBI-së; përmes shantazhimit do të arrihej nënshtrimi i shefit të opozitës dhe më tej, duke i mundësuar Bashës të mbante për një kohë të gjatë postin partiak do të arrihej në përgjithësi neutralizimi i opozitës politike. Siç kemi parë ky skenar u realizua për njëfarë kohe.  Edhe mjetet e përdorura janë jo thjesht banale por edhe kriminale: nuk kemi më një kërkesë të papërshtatshme gjatë një bisede diplomatike (që në fakt mbeti e papërmbushur). Por kemi "qiramarrjen" e segmenteve të FBI-së përmes ryshfeteve në çanta sporti të mbushura me dollarë e të dorëzuar në parkingjet e New York-ut; si në filmat e Hollywood-it. Më tej kemi bashkëpunim ekonomik me oligarkë të Putinit aktualisht nën sanksione, favorizime në alokimin e burimeve natyrore ndaj subjekteve privatë e të tjera.

Të tëra këto janë vepra penale sipas ligjit shqiptar; për të cilat parashikohen dënime të rënda nëse provohen në gjyq. Por nga SPAK-u, organi kompetent në këtë rast, deri sot nuk kemi lajm se kanë filluar hetimin. Ndërkohë që, në një farë paraleleje me vjeshtën 2019 në Washington DC, opozita parlamentare nismoi një komision hetimor në Kuvendin e Republikës. Bazuar edhe në përvojat e mëparshme të Kuvendit por edhe nga raste të tilla në ShBA e në demokracitë e tjera mund të biem kollaj dakord se një komision parlamentar hetimor do të ishte shumë i dobishëm për shëndetin e demokracisë tonë.

Por a do e lejojë Edi Rama miratimin e nismës në plenare apo do ta bllokojë përmes mazhorancës parlamentare pa ndërgjegje siç bëri në vjeshtë 2017 në çështjen Tahiri apo edhe së fundmi në çështjen ‘charter’?

Këtë do e shohim javët e ardhshme e mbi këtë do të flitet e do të shkruhet shumë. Por sot kushdo mund t'i thotë Ramës se vërtet "karma is a bitch", por edhe Edi është fiksimi i karmas.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco