McGonigal, përvëlimi i Ramës dhe zjarrëfiksja Elisa!

McGonigal, përvëlimi i Ramës dhe zjarrëfiksja Elisa!

Nga Armand Maho - 02/02/2023

Në përpjekje për të zhvlerësuar apo sfumuar skandalin më të madh në marrëdhëniet shqiptaro amerikane, Edi Rama delegoi Elisa Spiropalin, ministren e tij për marrëdhëniet me parlamentin pët t’ju përgjigjur mocionit të opozitës. Natyrisht, një barrë e rëndë për supet e brishta të Spiropalit e cila pavarësisht se nuk lë rast pa u shfaqur si kamikaze e kryeministrit, me çështjen, ka pak ose aspak lidhje. Kjo sepse ajo ishte aq e pafuqishme  të ndërhynte mes marrëdhënies Rama – McGonigal sa as sekseri Agron Neza nuk denjonte ta takonte

Por pavarësisht se kryeministri  kërkon ti japë nuancat një casusi të parëndësishëm, duke bërë burracakun dhe fshehur pas Spiropalit,  duket se skandali McGonigal nuk do kalojë aq lehtë. Kongresi Amerikan me anë të republikanit Jim Jordan, kryetar i komisionit për çështjet ligjore atje ka premtuar një hetim të thelluar. Në një intervistë për NBC news ai u shpreh se komiteti që ai drejton do përqendrohet  në lidhje me aktivitetin e FBI-në në përgjithësi, dhe për rastin McGonigal në veçanti. Buxheti i pakufizuar që i është akorduar komitetit për hetimet, flet për rëndësinë dhe vëmendjen e veçantë që ka marrë ky skandal tek politika amerikane.

Edi Rama që nuk ka lënë aferë pa mbrojtur në këtë vend, këtë herë vendosi qartazi të bënte burracakun. Natyrisht fjalët që hedh nga Twitter nuk bindin askënd. Dhe fundja nuk ka se çfarë të thotë. Shpallja e Oleg Deripaskës investitor strategjik në Shqipëri vetëm dy javë pasi Departamenti i Shtetit i kish vënë sanksione mbi pasurinë, është një akuzë që vetëm nga spiropalizmi mund të mbrohet.

Kjo çështje nuk është si ajo e Bilal Shehut. Këtë herë Rama ka shkuar shumë larg me sjelljen e tij malinje. Ka korruptuar dhe favorizuar shefin e kundërzbulimit për të forcuar pozitat e tij të pushtetit, dhe kjo sado të thërrasë ai në cicërimat e tij, është një çështje po aq amerikane sa dhe shqiptare, ndoshta mos më shumë. Rama duhet të shpjegojë se pse i duheshin këto veprime. Pse duhej që privilegjet që ia jep posti i ka përdorur për interesa personale të pushtetit dhe jo në interes të vendit. 

Nga bataku ku e futi makutëria e tij s’mund ta nxjerrë më detashmenti i servilëve apo i propagandës, ku natyrisht zonja Spiropali ka një vend nderi. Informacionet që vijnë nga selia e kryeministrisë thonë se amerikanët kanë këmbëngulur që të kenë protokollin e takimeve mes McGonigal dhe Ramës, si dhe bisedat që janë zhvilluar. Charles McCgonigal nuk ishte njeri i zakonshëm, qoftë dhe në periudhën kur kish lënë detyrën.  E gjithë kjo është një çështje e sigurisë amerikane.

Ja pse?

Në rast se do hetohet nga Kongresi dhe Gjykata  marrëdhënia e zotit McGonigal me oligarkun rus Deripaska ( ku janë dhe dyshimet kryesore)  atëherë detyrimisht do hetohet dhe aktiviteti i tij në Shqipëri. Sipas të dhënave të thesarit kompania e Derpaskës  në vitet 2019-2022 ka marrë diçka më shumë se 88 milionë dollarë tenderë në Shqipëri, ku në sy bien kryesisht ato të përfituar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë.  Pra shteti shqiptar ka favorizuar me fonde dhe buxhet të drejtpërdrejtë një njeri të shpallur haptazi kundërshtar i SHBA. Se sa kanë ndikuar takimet e McCgonigal, Agron Nezajt apo Dorian Duçkës tek favorizimet që i bëheshin Deripaskës, kjo mbetet për tu parë. Por Rama askënd nuk mund të bëjë për budalla dhe të thotë se nuk e dinte që zoti Deripaska, aksionar me paketë kontrolluese  i një prej kompanive më të mëdha të vendit që përfiton nga fondet publike nuk e dinte se ishte në listën e të sanksionuarve nga departamenti i thesarit në SHBA për lidhje me Putinin,  ose me pak fjalë i shpallur zyrtarisht armik i aleatit tonë të madh. Pra SHBA e nxirrte nga dera dhe Rama e fuste nga dritarja.  Dhe kjo sipas Ramës qenka vetëm çështje amerikane.

Por siç e thamë më lart supet e brishta të Spiropalit s’mund ta mbajnë këtë barrë. Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë kombëtare amerikane, nuk bëjnë punë lavdet apo broçkullat  për Skënderbeun me të cilat ajo tenton të gënjejë militantët. Në fakt do bënte mirë që nën shembullin e kolegëve të saj në qeveri të qëndronte larg kësaj çështjeje. Mjaft i ka akuzat për korrupsion në dogana.  Këtë aferë le tja lerë në dorë t’a sqarojnë atyre që sot janë deri në grykë, Ramës, Gjiknurit, Ballës.  Ky është një skandal, flaka e të cilit do djegë të gjithë ata që janë përfshirë dhe të tentosh të ngatërrohesh, është si ta kërkosh belanë vetë. Zonja Spiropali nuk ka asnjë fuqi për ta fashitur. Ajo mund të imitojë shumë mirë zhurmën e një zjarrfikëseje  në favor të Ramës por kjo s’do të thotë që është zjarrfikësja.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco