Dosja “McGonigal” është amerikane, problemi shqiptar

Dosja “McGonigal” është amerikane, problemi shqiptar

Nga Alfred Lela - 25/01/2023

Spektakolarizimi i dosjes “McGonigal-Rama” është një nga mënyrat më të shpejta për të zhvendosur thelbin dhe larguar vëmendjen prej impaktit dhe rëndësisë së ngjarjes. Nuk janë dhuratat që Rama ka marrë nga agjenti i FBI, dhe as statusi prej spiuni të dyfishtë të Personit A, apo as edhe fakti që ky i fundit vjen nga Tropoja, është kushëri i Besnikut, mik i Azemit, apo fotodalës me Doktorin.

Të githë këto janë interesante, si pandehma apo qoftë si fakte, por çka i vlen diskutimit është se balancat politike dhe shoqërore në Shqipëri vendosen jo nëpërmjet garës, zgjedhjeve, përplasjes së ideve, por lidhjeve të dyshimta, të paligjshme dhe të dy apo trefishta.

Opozita shqiptare ka sot një ish-kryetar dhe një lider aktual, njëri i skeduar për një ‘dosje ruse’ dhe tjetri i shpallur non grata nga Departamenti i Shtetit. (Nuk është ky rasti për të hyrë te teza që me anë të ‘dosjes ruse, që sa duket Rama prodhoi, ai edhe ‘e përpunoi’ L. Bashën).

Të kthyerit e pasqyrës nga Amerika nuk na ndihmon megjithatë, dhe as e zgjidh problemin, i cili është në thelb shqiptar, pavarësisht përthyerjeve ndërkombëtare. Shqipëria ka një kryeministër që, qartësisht, operon në politikë dhe jashtë saj, me qëllim asgjësimin e kundërshtarit. Një vazhdim i luftës së dikurshme të klasave me mjete të tjera. Nuk është Amerika problemi, dhe e theksoj sërish, sepse siç dëshmon rasti “McGonigal” ti mund t’i shpëtosh një dege të qeverisë apo drejtësisë amerikane, por të kap një tjetër, mund t’ja hedhësh për një vit apo disa, por jo përgjithmonë.

Ndryshe është këtu: simfonia e së keqes prihet nga kryeministri dhe ndiqet në sintoni nga media, nga drejtësia, nga grupet e shoqërisë civile, e me radhë. Këtu nuk ka ndarje pushtetesh, sepse ka vetëm një pushtet. Në këtë kuptim problemi nuk është amerikan, por shqiptar.

Ja dy momente: e vetmja pyetje që iu bë kryetarit të PD kur doli në konferencë shtypi për dosjen “McGonigal” ishte, jo për temën, por për 21 janarin. Kjo është media. Drejtësia, të përbetuarit e së cilës mburren se është e re, mund të krijonte menjëherë një dosje hetimore duke funksionalizuar atë që lejon ‘reforma’, që çdo prokuror, kudo në Shqipëri, mund të hapë një çështje.

Por, çfarë është edhe më sistemikja e më e dëmshmja si përpjekje, është helmatisja e pusit të përbashkët të sferës publike. Shpikja e opozitës pro-ruse dhe anti-amerikane ka qenë një thikë e mprehtë e ngulur në shpinën e paqes dhe standardit politik në Shqipëri.

Dyfish e tillë kur kjo prodhohet nga trashëgimtarët e një të majte që vjen drejtpërdrejt nga Partia e Punës, dhe ka pasur me jugosllavët, rusët dhe të gjithë rrangallat e Lindjes, një soft spot të përhershëm, dhe i mvishet një force që, mirë a keq, ka përfaqësuar të nëpërkëmburit e diktaturës, dhe ka parë te Rusia persekutorin dhe te Amerika yllin polar.

Kjo ka prodhuar një distrofi politike dhe shoqërore, një amulli etike që i shtyn ata më të ndjeshmit të largohen nga vendi apo të tërhiqen nga interesi publik, dhe më të paskrupulltit të vazhdojnë në thellimin e saj.

Te kjo pikë e fundit ka një pjesëmarrje ‘amerikane’. Çfarë shijeje e keqe e Ambasadores Kim postimi i fotove të vizitës së James Baker, ku mungonte silueta e Sali Berishës, asokohe një prej krerëve të lëvizjes demokratike dhe, në fjalët e Sekretarit amerikan, një prej ftuesve të tij në Tiranë.

Kjo teknikë, një thupër e cancel culture, aq e dashur për të majtën ekstreme amerikane, është edhe më e dëmshmja në afat të gjatë. Është ideja e saj që i prin ndërrimit të vendeve që ceka më lart, pro-amerikanët që paraqiten si anti dhe filo-rusët si kalorës të oksidentalizmës.

Edi Rama ka kaluar, ashtu si ai të cilin vetë etiketonte si ‘turp të qytetërimit’, Donald Trump, te post truths dhe alternative facts. Ndihma që i vjen nga ata që i dërgon Amerika dhe janë anti-Trump atje dhe ‘pro-Trump’ këtu, është e pahijshme dhe madje katastrofale për një vend të vogël si Shqipëria.

Spektakolarizimi i një ngjarjeje që na rrëfen se ku është e teposhta jonë, tregon se ne nuk kemi mbërritur ende te shoqëritë e lira. Duke mos pasur as institucionet e forta që të na drejtojnë, gremina është e pashmangshme.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco