Ironia e shëmtuar e arrestimit të McGonigal: FBI ndoqi rusët e gabuar

Ironia e shëmtuar e arrestimit të McGonigal: FBI ndoqi rusët e gabuar

Nga The New York Post - 25/01/2023

Editorial nga ‘The New York Post’

Në vend që të shpenzonte vite duke ndjekur bashkëpunimin 100 përqind të rremë mes rusëve dhe Donald Trump, FBI duhej të ishte më e shqetësuar për të kuqen poshtë krevatit të saj.

Në këtë rast, e kuqja është ish-agjenti i lartë i kundër-inteligjencës Charles McGonigal, i arrestuar të shtunën për punën e tij të paligjshme (pas pensionimit nga byroja) për oligarkun rus, Oleg Deripaska. Ai është akuzuar gjithashtu për aktivitet të paligjshëm në emër të një agjenti të Deripaska-s, teksa shërbente ende në zyrën e FBI-së në Nju Jork.

Po, është e njëjta agjenci që hapi dosjen fiktive ‘Steele’ për një rast përgjimi kundër stafit të fushatës së Trump- dhe nxiti një furi kombëtare për lidhjet joekzistente të Trump me inteligjencën ruse- ndërsa tani sheh se njëri prej tyre është arrestuar pikërisht për ato marrëveshje të errëta, për të cilat agjencia ka kaluar vite të tëra duke dhënë alarme të rreme.

Në të vërtetë, McGonigal ishte një nga nxitësit kryesorë të hetimit famëkeq ‘Crossfire Hurricane’ ndaj Trump dhe rrethit të tij, dhe që nuk zbuloi asgjë: ai dërgoi emailin që shkaktoi gjithë këtë mesele!

Ironia shtesë: Si autori i dosjes, Christopher Steele, ashtu edhe firma FusionGPS që e punësoi për ta bërë këtë, gjithashtu punuan për Deripaskën. E vetmja mënyrë për ta bërë akoma më inçestuoze këtë histori është nëse këta emra do të shfaqen edhe në fushatën e brendshme të dezinformimit nga ish-zyrtarët e inteligjencës për të treguar se edhe historia e laptop-it të Hunter Biden ishte një vepër ruse.

FBI është agjencia kryesore e zbatimit të ligjit në vend, me një përgjegjësi të madhe dhe kompetenca të jashtëzakonshme. Politizimi i dukshëm i saj është mjaftueshëm i rëndë, por, që ajo duhej ta kishte drejtuar gishtin nga vetja dhe jo nga Trump për çështjen e ‘Rusisë’, kjo është më shumë se e tmerrshme.

Ata hetues republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve me siguri do të përballen me një mjedis të pasur me objektiva.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco