100-Vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane u mbyll me ‘flakjen’ e Yuri Kim

100-Vjetori i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane u mbyll me ‘flakjen’ e Yuri Kim

Nga Frank Shkreli - 10/12/2022

Diplomatët perëndimorë e sidomos Yuri Kim, të hipnotizuar nga Edi Rama dhe pushteti i tij kanë theksuar “vlerat e përbashkëta” me regjimin autoritar e të korruptuar të Tiranës që kontrollon të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore, parlamentin, mediet dhe gjykatat, pa marrë parasysh krizën dhe që po zbrazjen e vendit nga rinia dhe nga elita e Kombit.  Deklarata e MPJ të Shqipërisë ishte një ofendim i rëndë karshi SHBA-ve, si për t’i vënë kapak dhe për të mbyllur këtë farsë mashtruese nga ana e Tiranës zyrtare, që po përfundon me shpalljen e përfaqësueses amerikane në Tiranë, pothuaj si “non-grata”.

 “Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë dukeshin si të hipnotizuar nga Edi Rama dhe regjimi i tij.  Sidomos Yuri Kim, u theksuan “vlerat e përbashkëta” me regjimin e Tiranës. Betohej për punën e bërë “krah për krah”, me një regjim që kontrollon të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore, parlamentin, mediet kryesore dhe gjykatat, teksa vendi po zbrazet nga rinia dhe nga elita e Kombit.”
 

Ka disa vite që paralajmëroj për rrezikun që i kanosej marrëdhënieve amerikano-shqiptare për arsye të asaj që unë e kam konsideruar si sjellje jonormale dhe aspak diplomatike, midis Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, regjimit të tij autoritar e të korruptuar dhe ambasadorëve të vendeve perëndimore, përfshirë ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, zonjën Juri Kim dhe përfaqësues të enteve të tjera ndërkombëtare në Tiranë.  

Dukej sikur të gjithëve u ishte mbushur mendja se po përfaqësonin vendet e tyre në shtetin më të lirë e më demokratik në rajon, në Evropë e ndoshta edhe në botë. Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë dukeshin si të hipnotizuar nga Edi Rama dhe regjimi i tij.  

Vazhdimisht është folur për ato që diplomatët perëndimorë e sidomos Yuri Kim, kanë theksuar “vlerat e përbashkëta” me regjimin e Tiranës. Betohej për punën e bërë “krah për krah”, me një regjim autoritar të korruptuar që kontrollon të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore, parlamentin, mediet kryesore dhe gjykatat, pa marrë parasysh se ç’po ndodhte në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që përballë këtyre krizave, vendi po zbrazet nga rinia dhe nga elita e Kombit.  

Fatbardhësisht, ndonëse shumë vonë diplomatët perëndimorë kanë filluar të dalin nga kllapia e kësaj sëmundjeje, por është tepër vonë. Si është e mundur që diplomatët perëndimorë, përfaqësues të vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë  nuk shikonin korrupsionin, drogën dhe keqqeverisjen, shkatërrimin e opozitës, vjedhjen e votave e tjera?!

Si është e mundur dhe normale që diplomatët e vlerave të demokracive perëndimore, të përfliten në Tiranë nga media dhe të tjerë, si palë me qeverinë dhe përçarës të opozitës edhe ashtu e ndarë dhe e shkatërruar në vetvete?!

Pa pluralizëm politik nuk ka demokraci! 

More, nuk i shihni kolonat e shqiptarëve duke u larguar nga atdheu i tyre, të zhgënjyer me “demokracinë” shqiptare, me korrupsionin, me shkeljet e lirisë së fjalës dhe të normave demokratike, në përgjithësi, me mungesën e drejtësisë e tjera e të tjera?!

 E ju të gjithë perëndimorët pa dallim aty në Tiranë, keni heshtur për vite, përballë këtyre dukurive.

Është tepër vonë tani, reagimi juaj. Tani, po të flisni, MEPJ u jep ju urdhër të largoheni, të merrni valixhet dhe ikni, duke koritur ju personalisht, të nderuar diplomatë perëndimorë, po për më tepër duke poshtëruar vendet tuaja që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.

A mund të më thotë dikush se bazuar në cilat norma dhe cilat parime, vlerat dhe rregullat diplomatike ndërkombëtare, Shqipëria mund të japë një njoftim të tillë për diplomaten më të lartë amerikane në Tiranë?!

Dikush duhet të japë një shpjegim për këtë njoftim ofendues ndaj Amerikës, qoftë Ambasada Amerikane në Tiranë ose Departamenti Amerikan i Shtetit në Ëashington. E turpshme!

Unë e kam thënë vazhdimisht se marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk janë ashtu siç pretendohet se janë dhe aspak ashtu siç do të dëshironim të ishin, në këtë 100-vjetor të themelimit të tyre. Shyqyr që ky përvjetor po merr fund se na kanë lodhur me gënjeshtra të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve, “krah për krah” dhe gjoja të bazuara në “vlera të përbashkëta”, me udhëheqësin e tyre të preferuar në krye të qeverisë shqiptare.  

Jam munduar gjatë viteve që këto marrëdhënie t’i paraqes si lidhje midis dy popujve tanë dhe jo me regjime ose individë autoritarë që s’kanë asgjë të përbashkët me Amerikën as me vlerat perëndimore.

Për fat të keq atmosfera në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sot, në përmbylljen e 100-vjetorit të vendosjes së këtyre marrëdhënieve. 

Dua që këto marrëdhënie të jenë gjithmonë popull me popull dhe të mos varen nga individë të papërgjegjshëm, nga cilado palë qoftë, që i përdorin ato për qëllime që nuk janë në favor të lidhjeve, historikisht, miqësore e të ngushta midis dy popujve tanë miq.

Uroj që këta njerëz, të cilëve u kishim besuar zhvillimin normal dhe diplomatik të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të mos u kenë shkaktuar lidhjeve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona, dëme të pariparueshme afatgjata.

Disa analistë e komentues shqiptarë u shprehën, pas njoftimit të MEPJ të Shqipërisë se Edi Rama po e hedh Yuri Kim si një “limon të shtrydhur”, por unë besoj se në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe, Edi Rama po i tregon gishtin edhe Shteteve të Bashkuara, në shenjë mosaprovimi për gjëra që ne ndoshta nuk i shohim në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Kur shikoj pas zhvillimet e disa viteve të fundit në marrëdhëniet midis ambasadores amerikane Yuri Kim në Tiranë, por edhe të përfaqësuesve të tjerë perëndimorë në Shqipëri, si për shembull trajtimit dhe përpjekjeve të tyre për ta paraqitur Ramën dhe regjimin e tij si pro-perëndimor e madje edhe si pro-amerikan, me të cilin Shtetet e Bashkuara, sipas tyre ndajnë “vlera të përbashkëta është e pamundur të mos bëj pyetjen më normale që mund të jetë, drejtuar diplomatëve perëndimorë në Tiranë: More, a ka mbetur gjë më nga integriteti diplomatik në këtë botë!?

Z. Rama është tallur në të kaluarën me Bashkimin  Evropian, me Shtetet e Bashkuara dhe me zonjën Kim, personalisht, duke iu referuar asaj, pak a shumë, si “sekretare e Partisë së Punës (Komuniste) Frank Shkreli: Kryeministri Rama tallet me Amerikën në prani të Yuri Kim/Gazeta Telegraf , ndërkohë që dihet se flamuri i Shteteve të Bashkuara, nuk është një prej flamurëve botërorë të preferuar nga Edi Rama. Por ishte njoftimi i fundit që erdhi si rrufe nga një qiell i kaltër, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë – në ditët e fundit të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Ishte si një kapak për të mbyllur këtë farsë mashtruese nga ana e Tiranës zyrtare që po përfundon me shpalljen e përfaqësueses amerikane në Tiranë, pothuaj si “non-grata”, ndoshta jo me këto fjalë, por është një dëbim i njëanshëm nga regjimi Rama, ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet.

“Si është e mundur që diplomatët perëndimorë , nuk shikonin korrupsionin, drogën dhe keqqeverisjen, shkatërrimin e opozitës, vjedhjen e votave, e tjera. Si është e mundur dhe normale që diplomatët e vlerave të demokracive perëndimore, të përfliten në Tiranë nga media dhe të tjerë, si palë me qeverinë dhe përçarës të opozitës edhe ashtu e ndarë dhe e shkatërruar në vetvete?!”

Deri në këtë moment, nuk kam parë ndonjë njoftim nga Departamenti Amerikan i Shtetit sa i përket njoftimit të njëanshëm për “zëvendësimin e ambasadores Kim”, si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Ky njoftim nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë është krejtësisht jashtë normave diplomatike.  Ja lexojeni njoftimin e njëanshëm të Tiranës zyrtare ku një regjim autoritar siç është ai i Tiranës, njofton largimin/dëbimin e një ambasadori të huaj – dhe jo vetëm të dosido ambasadori – por përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fuqisë politike, ekonomike dhe ushtarake më të madhe botërore me të cilin deri më sot me fjalë boshe pretendonte se ishte aleatja kryesore strategjike e Shqipërisë. Çfarë hipokrizie!?

“Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë është krejtësisht jashtë normave diplomatike me deklaratën  sikur po i thotë z. Yuri Kim merr valixhet dhe ik! Por është një ofendim i rëndë karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Cilatdo që të kenë qenë marrëdhëniet midis ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim dhe regjimit të Kryeministrit Rama gjatë tri viteve të kaluara, njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme e Shqipërisë është ofendues për zonjën Kim të cilës në realitet, Tirana zyrtare i thotë, merr valixhet dhe ik! Por është një ofendim i rëndë karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një njoftim jashtë normave normale diplomatike në marrëdhëniet midis shteteve dhe dikush duhet të japë shpjegim se pse ndodhi dhe çfarë do të thotë, pasi është një dukuri e paparë më parë, në analet diplomatike.

Çfarë sinjali është ky njoftim për vetë zonjën Kim dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

Duke e shikuar prej së largu, më duket se njoftimi i MEPJ nuk ka të bëjë fare me zonjën Kim, por me pakënaqësinë e qeverisë Rama me Shtetet e Bashkuara, si një shenjë protestues nga Tirana se qeveria shqiptare aktuale është e pakënaqur me politikat e vendit që përfaqëson zonja Kim. Por mund të jetë edhe njëfarë bullizmi, një kërcënim se në qoftëse shtohet presioni ndaj regjimit të tij mund të ketë masa të tjera edhe më dramatike për marrëdhëniet dypalëshe, për ndryshe kjo nuk mund të kuptohet nga njerëz normal.

Për diplomatët amerikanë dhe perëndimorë në Tiranë, që përfaqësoni Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për hir të atij populli të vuajtur properëndimor në Shqipërinë tonë të dashur — ka ardhur koha që të hiqni maskën e hipokrizisë dhe të flisni haptas për realitetin tragjik të politikës shqiptare dhe të gjendjes në përgjithësi në atë, përfshirë dështimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, një politike të dështuar, që tani, fatkeqësisht mund të prekë negativisht edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin.

Megjithatë, unë jam optimist se marrëdhëniet miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar për pothuaj një gjysmë shekulli, njërit prej regjimeve më të egra e barbare në botë, diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqes në Ballkan dhe në botë!/ Marrë nga Telegraf.al

Image

*Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA për Euro-Azinë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Qazimi10/12/2022 14:30

Po kesaj i mbaroi mandati,pse e komentoni su flake?!

Shto koment

Denonco