Vërtet, me valixhe në dorë do vijojmë t’i shohim ëndrrat?!

Vërtet, me valixhe në dorë do vijojmë t’i shohim ëndrrat?!

Nga Sonila Meço - 10/12/2022

Në hyrje të një institucioni privat, një roje i qeshur, dashamirës ua bënte të lehtë pritjen njerëzve. Për të shuar monotoninë e radhës, shkëmbente ndonjë batutë me secilin nga ne, pa u bërë i mërzitshëm.

“Po ti ç’deshe që le Tepelenën more, i kishe tokë e shtëpi për bukuri?!”, i drejtohet me të qeshur një burri babaxhan, që qahej për koston e jetesës në Tiranë.

“Më gënjyen”, gjegjet me ofshamë tepelenasi i moshuar.

Të tjerët qeshin, por në fund lëshojnë nga një duhmë si për të pranuar shijen helm të batutës në fytin e realitetit të tyre.

“Erdha në Tiranë, por do t’ja mbath për Europë se po jetoj vetëm për të paguar e për t’u zhvatur”, ia pret një mesoburrë me faqe të skuqura e frymëmarrje gjithë ngecje. Ngjan sikur mbyt një dënesë, por shton atypari: “Mirë të tjerat, po të lija klimën malore për këtë ajër që ma bëri azmën litar në fyt është mallkim o lum miku!”

“Po se mos vetëm ajrin, na sëmuri me të tëra Tirana”, ia beh një grua, që nga biseda kuptova se qe mësuese letërsie në Paskuqan, ardhur nga Gramshi para disa vitesh.

“Po pse sha Tironën ti, që të hapi dyrët, sha qeveritë, që ia morën erzin. Se ishim për bukuri me vilat gjith lezet, selvitë e kopshtet me hurma e limona. S’ke pa gjo ti, nusen e re, ke pa kët’ t’rraskapitmen nga betoni e era e keqe”, iu përvesh një tirons i vjetër, që kish mbaruar punë, por nuk i ndahej dot bisedës.

Gruaja, e artikuluar, zysh letërsie vijoi sikur mos kish dëgjuar tironsin denbabaden: “Na ka bërë palë-palë, na shtrydh e na fyen përditë me pisllëkun, trafikun, egërsinë”, shton, por më shumë flet me veten, pa iu drejtuar askujt nga ne.

“Jam nga Berati, erdha në Tiranë për fëmijët, të bëjnë një shkollë të hajrit, por po sakrifikoj aq shumë sa Zoti më dhëntë fuqi t’ua mundësoj arsimin e jetën”, më drejtohet roja, që ka humbur atë gazmendin e natyrshëm dhe është përfshirë nga një dëshpërim grupi.

“Epo vetë e kini fajin, rrini ore ku ua ka bërë Perëndia kësmet, doni Tiranën yve”, thotë një korçar me kostum të zi e zinxhirë të ekspozuar floriri.

“Po ç’të bëja unë në Peqin o byrazer, të numëroja pleqtë?”, i kthehet një djalë i imët. “Ja ti i paske vënë ca lekë mënjanë, pse mos t’i ve dhe unë?”, shton ndërsa i ngjesh sytë tek kuleta e kolme që mban në dorë korçari.

“Ore si unë të ishe, llotarinë të bëje e mos i bie më qafë Tiranës që s’ka vend për kaq njerëz! E kuptove?”

Disa prej tyre kthenin herë pas here nga unë shikimin, në pritje të reagimit të gazetares që nuk përton të flasë për këto tema. Por doja të dëgjoja, rrëfimet ishin aq të forta sa doja të merrja Shqipërinë në një gotë me fund.

Çdo dialekt dëshmonte zbrazjen e vendit për të gjetur shpëtim në Tiranë dhe çdo ankesë dëshmonte zhgënjimin e tyre dhe vuajtjen e një qyteti të përçudnuar që nuk i përgjigjet dot më banorëve të vet. Përkundrazi, ngulçon, ulëret, rënkon e përpëlitet duke i dalë shpirti çdo ditë.

Më erdhi radha, e prerë krahësh, me një cimbim të fortë koke në anën e majtë (migrena kish gjetur terren), e ndjekur nga sytë e njerëzve, që prisnin një fjalë a reagim. Pasi kreva punë i kthehem rojës dhe i them: “Do ta kalojmë edhe këtë!”.

Më panë të dëshpëruar e të zhgënjyer, se prisnin t’u bashkohesha në dhimbje, vuajtje e trishtim e mandej të gjenin strehë në fshikullimin tim, të një njeriu me zë publik.

Pasi bëra një pauzë, duke pritur cazë hapjen e derës qendrore nga roja i qeshur, kthehem dhe u them: “Në Tironë si në terminal na duket vetja, o duke prerë biletën për fluturimin e parë me ia mbath o duke duru jetën në listë pritjeje lufte të përditshme. Tani siç po shoh e po dëgjoj ka ardh koha me zgjedh, do jetojmë si pasagjerë në tentativë, apo do ndërrojmë bravat mos na vjedhin më?”

Nuk ua dëgjova përgjigjet, sepse sakaq u gjenda në trotuar me derën e blinduar, që kërciti pas meje. Dhe mendova, ore me të vërtetë ç’do bëjmë ne? Me valixhe në dorë do vijojmë t’i shohim ëndrrat?
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco