6 dhjetori i atentatit ndaj Berishës me sytë e 8 dhjetorit të studentëve

6 dhjetori i atentatit ndaj Berishës me sytë e 8 dhjetorit të studentëve

Nga Ndriçim Kulla - 08/12/2022

Qielli i së vërtetës mbi goditjen e paprecedentë të liderit të opozitës në një miting paqësor, ka filluar të kthjellohet e të qartësohet çdo orë, nga retë e mjegullimit të propagandës qeveritare. Gjithçka tashmë duket e bardhë mbi të zezë, dhe kjo është pikërisht ajo që duhet thënë e duhet reflektuar: kuptimi më i thellë dhe më i ndërgjegjshëm i çdo shqiptari, pa dallim partiak, ndaj një ngjarje të tillë. Janë shumë shenja që djallëzisht dhe me regji, duke mos mundur të ndalojnë të vërtetën, tashmë po kërkojnë ta vogëlojnë dhe parëndësojnë incidentin, që në fakt, nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me një fuqi të tillë pamjeje live, në ditën për diell dhe në sy të të gjithë popullit. Kanë ndodhur rrahje, incidente me gjakosje ose dhe më keq, edhe vrasje, por që sidoqoftë nuk kanë pasur këtë mundësi mbulimi të menjëhershëm ( live dhe online në të gjitha llojet e kanaleve të komunikimit) të kronikës së një gjakosje të paralajmëruar, si në romanin e famshëm të Markezit. 

Ja, kjo është e bardha e parë mbi të zezën që duhet kuptuar. Regjimit dhe Edi Ramës kjo i duhej parësisht, goditja në sy të të gjithëve i liderit të padiskutueshëm të historisë shqiptare të të gjithë këtyre dekadave. Është një strategji frikësimi, një sinjal me prapavijë destabilizimi, të filluar tashmë të përshkallëzohet këto kohët e fundit, për të arritur kulmin në këtë akt burracakërie të paparë. U fillua me burracakërinë e sharjes dhe ofendimit të gjithë popullit opozitar në parlament, me një grusht verbal fjalësh që nuk kanë asnjë bazë racionale pse të përdoreshin në atë kontekst. U vazhdua me një grusht selektiv tritoli ndaj medies dhe biznesit, në një mënyrë aspak të një mendje të shëndoshë që nuk do të lërë një pamje monstruoze, të frikshme shkatërrimi, një ditë përpara ngjarjes më të madhe të Shqipërisë evropiane, samitit të BE. Dhe u vazhdua me grushtin fizik ndaj liderit historik të demokratëve, mu  në gjirin e aq shumë simpatizantëve, enkas për të ndezur zjarrin e hakmarjes së tyre. Një mendje e shëndoshë, e kthjellët, shqiptar-dashëse i kishte të gjitha mundësitë që ti shmangte, ti anashkalonte e mënjanonte të gjithë këto dimensione të dhunës, në prag dhe në ditën e tij më të madhe të propagandës.

Aq më tepër që në ligjërimin e Ramës për opozitën termat janë gjithmonë zvogëlues, shpërfillës e përbuzës: opozitë e përçarë, e katandisur si mos më keq, opozitë e shitur me rubla, plak qyqar që nuk do të dalë në pension, etj, etj. Atëherë, pse vallë i gjithë ky përshkallëzim i paprecedentë dhe irracional, hakmarrës dhe i sëmurë, ndaj liderit të opozitës? E vërteta e një njeriu aspak budalla,  përkundrazi të kthjellët, të sigurt e shumë të disiplinuar në kryerjen e veprimit më të vogël, që mund t’ia shkatërronte qëllimin, tashmë nuk mund të fshihet me shoshën e një të marri, me kartelë, me të cilin tallen njerëzit në tik-tok. Rëndësia e veprimit, duhet të marrë përmasën e duhur, dhe të dëgjohet e vërteta e një njeriu që ka marrë patentë, kredi, që është liruar nga një dënim i rëndë burgimi, para disa muajsh, etj.

Shumë indicio e shenja bëjnë prova që rrëfejnë se grushti që është hedhur tinëzisht është hakmarrja e verbër e një njeriu që ka frikë nga opozita dhe suksesi që ajo po korr në popull. Ai gjak që nuk çoi në asnjë rebelim apo destabilizim, e tmerroi akoma dhe më tepër, sepse i hoqi shumë fisha të altoparlantit të propagandës së tij për një Berishë të dhunës së vjetër dhe brutale të së shkuarës.

Po akoma dhe më shumë fisha besimi, i hoqi arsyes dhe ndërgjegjes së popullit shqiptar, qëndrimi gati mos-përfillës dhe qëllimisht zvogëlues i rolit dhe funksionit të vërtetë që kryen zoti Berisha, për opozitën e bashkuar, për frontin opozitar, si lideri historik dhe real i saj, ne raport me ambasadën e shtetit amerikan, për të cilin në kemi mirënjohje zemre, jete dhe shpirti. Se si mund të jetë një deputet i thjeshtë Berisha paqësor dhe i grushtuar në boulevard kur ai është realisht dhe i vërtet është kryetari i opozitës që shpuri shqipërinë në NATO dhe realizoi procese të pa fundme ekonomike ,kulturore,arsimore dhe demokratike,ish president dhe ish kryeministër?!. Askush, as mendja më e çartur nuk arrin ta perceptojë përveç kryeministrit që ka dhënë kontribute të pa llogaritshme për të lobuar për ta bërë”non grata”, por gjithashtu edhe ambasadorja Juri Kim ,e cila edhe në këtë flagranc çnjerëzore dhe antidemokratike duket qartë ,se megjithëse foli në mënyrë anonime po vazhdon arrogancën, madje edhe më fort me filozofinë e ushqimit me barë ,që i ka rezervuar popullit opozitar këtu e një vit më parë.

Dhe si në çdo rast, një qasje e skajshme, jo vetëm që  është e pavërtetë, por dhe e dëmshme. Ajo zbulon qartë dhe hapur, si e bardha mbi të zezë,  sintoninë e ambasadores  me qasjen zvogëluese dhe shpërfillëse  që mban kryeministri ndaj opozitës. Gjuha e dhunës verbale në parlament, gjuha e tritolit të një resorti që dihet se   ushqen fjalën e lirë duan një përgjigje të ndërgjegjshme nga çdo shqiptar, i çdo partie qoftë. Paprekshmëria e opozitës është e shenjtë, është demokracia vetë, e gjallë dhe reale, ndaj dhe përgjigja përtej se morale, juridike dhe civile, duhet të jetë dhe politike. Politike, parësisht nga aleatët tanë më të mëdhenj, BE dhe SHBA, në mënyrat dhe fuqitë e tyre të drejta dhe të drejtpërdrejta. Kjo është ajo që gjaku në fytyrën e Berishës kërkon urgjentisht: qartësim, ndërgjegjësim, veprim të koordinuar politik, në emër të një populli që ndihet tërësisht i dhunuar në liritë e tij më themelore. Kompleksi i inferioritetit të një regjimi, më 6 dhjetor, arriti majën e përshkallëzimit të vet, veç në dukje, superior,  dhe sot, më 8 Dhjetor, në ditën e lirisë studentore, ai duhet të ndërgjegjësojë çdo njeri të arsyeshëm se fundi i tij ka nisur. E ardhmja është në sytë tanë, shumë më përpara se ajo të ndodhë, thotë Rilke. E ajo që sytë tanë shohin sot në këtë ditë feste, është që ai do të shkërmoqet me gjithë fuqinë e mëkatit, ligësisë dhe hajdutërisë së vet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco