Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

‘Heroi’ që nuk prodhoi dot këtë herë Edi Rama!

‘Heroi’ që nuk prodhoi dot këtë herë Edi Rama!

Nga Armand Maho - 07/12/2022

Askush s’duhet të ketë dyshime se në rast se mesditën e 6 dhjetorit, në incidentin me kreun e opozitës Sali Berisha autori do i kish mbetur në dorë turmës, sot nga propaganda e majtë do kishim një qëndrim krejt tjetër. Ai do ishte heroi i Edi Ramës, Avni Rustemi i Elisa Spiropalit apo Vasil Laçi i Taulant Ballës,  i cili dha jetën për një “shuplakë”, siç do e quante Rama, e cila shprehte “urrejtjen për të gjitha zararet e Sali Berishës”. Në një rast të tillë, nuk do nxitonin të paraqisnin letra bakalli të firmosura te Ura e Tabakëve, po do nxitonin të ngushëllonin prindërit e “heroit”, i cili u vra nga “shpellarët në protestën e organizuar kundër integrimit”.

Më pas do fillonte ajo logorrhea tipike (ky term mjekësor përdoret shpesh në psikiatri. Një person me logorrhea ndjen një dëshirë të pashtershme për të folur. Rrjedha e fjalëve të tij është e vrullshme, e përhapur dhe e vazhdueshme. Logorrhea është shpesh një shenjë e një çrregullimi psikiatrik dhe zakonisht ndodh gjatë sulmeve maniake. Ajo përdoret sa herë autori është kapur gafil në ndojë aferë dhe kërkon të zhvendosë vëmendjen duke ia ngarkuar gjithmonë fajin kundërshtarit. Është një sindromë, që nën shembullin e tij, ka prekur thuajse të gjithë rilindjen, qoftë kjo e përfaqësuar në detashmentin politik qoftë në atë mediatik.

Në fakt, në lidhje me profilin dhe arsyet që mund të kishte ai për të urryer Sali Berishën, e kam vrarë mendjen gjatë. Ai ka një moshë 31 vjeç. Pra kurba e kohës që ka përshkruar nuk ia mundëson të jetë një nostalgjik i diktaturës. Në vitin 1990-1991 kur u shënua rënia e saj, ai ose nuk kishte lindur ose ishte foshnjë motake. Ai s’mund t’i bjerë as tamtameve të vitit 1997, atëmot ai ka qenë një fëmijë i moshës 6-vjeçare dhe s’mund ta kuptojë çfarë ndodh. Por le të shkojmë dhe më tej përgjatë viteve të pushtetit të Berishës. Në 2005-ën rezulton vetëm 14 vjeç, pra një adoleshent i pas viteve 2000, me një formim nën mesataren, dhe që pak ia ndjen për çështjet politike. E meqë po flasim për këtë, po ta mendosh hollë- hollë periudhën më të mirë të investimit të jetës e ka pasur gjatë qeverisjes Rama dhe s’ka bërë asgjë përveç trafikantit dhe përdoruesit të drogës.

Por le ta lemë mënjanë këtë dhe të bëjmë avokatin e djallit. Pra të dhe supozojmë se në rastin më të mirë rilindja nuk paska gisht në këtë histori! Por sërish dhe këtu lind pyetja. Pse i është akumuluar ajo urrejtje në të pandërgjegjshmen e tij për një njeri, kohën e të cilit as e ka jetuar, as nuk e njeh? Dashje pa dashje këtu sërish gishti shkon tek Rama. Retorika që ai përdor për të linçuar opozitën, tek ushtria e tij mbështetëse e propagandës që të vjellat e tij mundohen t’i shpërndajnë në çdo TV, në çdo faqe Facebook-u, Instagram-i ka prodhuar një frymë armiqësore në shoqëri, duke i shndërruar përkrahësit e tij në çeta banditësh. Se domosdo, po fjete me qentë, do zgjohesh me pleshta thotë një fjalë. Dhe kjo nuk na qenka politike?!!

Dhe ky është skenari më i mirë sepse goditja e kreut të PD ka qenë e orkestruar. Që të shpjegosh se përse i duhej kjo Ramës në një ditë kur prozhektorët ishin kthyer ndaj tij, duhet shpjeguar dhe se përse dha atë spektakël eksplozivësh dy ditë para samitit në “Prestige Resort”. Mesditën e 6 dhjetorit Ramës, i duhej një trazirë, për t’i thënë ndërkombëtarëve, se sado ai është i korruptuar, sado është autokrat, sado i ka mbushur vendet e tyre me drogë, sado shqiptarët po ikin në masë drejt La Manshit, sado shkel të drejtat e njeriut, sado vjedh zgjedhjet, sado që e batërdis popullin e tij, ai sërish mbetet zgjidhja më optimale. Se evropianët që jo pak herë e kanë parë me skepticizëm, apo në disa raste me kundërshti mënyrat e drejtimit të vendit të vogël në Ballkan prej tij, s’mund të tolerojnë që të sjellin në pushtet një parti të dhunshme, që nuk e do shumica e shqiptarëve. Fakti do ishte ajo goditje mbi Berishën dhe autori i mbetur viktimë. Dhe kjo natyrisht do i shijonte shumë...

Si person me çrregullime mendore u përcaktua dhe Lee Osvald, vrasësi i John Kennedy-t, dhe çështja u mbyll aty. Por faktet më pas treguan se pas tij qëndronte një komplot që përfshinte klanet mafioze të drogës në Kolumbi, interesat politike brenda vendit apo dhe disa industrialistë nafte. Natyrisht, Ramës dhe të tijve nuk i interesonte shkrehja e armës, atyre i duhej vetëm një goditje mbi Berishën, pa e dëmtuar shumë. I dëmtuar i duhej autori, që të paraqitej si viktimë.

Dihet se personat me çrregullime mendore, kur nuk janë të manipuluar, nuk kanë një target të caktuar. Pra, viktimë e atij sulmi mund të ishte kushdo në atë protestë. Mund të ishte ai djaloshi, fjala vjen, që tentonte ta mbante për krahësh. Por jo, ai e dinte mirë se ku po shkonte dhe nga të shkonte. I vetmi shteg që të kalonte te Sali Berisha ishte të kalonte përmes kameramanëve, madje dhe gjesti duhej pikërisht në momentin kur i gjithë fokusi i televizioneve ishte drejtuar ndaj Berishës dhe aleatëve që po shkonin drejt vendit ku do mbahej protesta. Nuk ulëriti siç bëjnë tipa të tillë para se të sulmojnë, nuk bëri asnjë veprim tjetër të pamenduar, thjesht priti me durim momentin e tij për të arritur qëllimin e tij që më pas do i shitej si lavdi. Në mes të turmës ai i duhej vetëm Sali Berisha dhe askush tjetër. Çdokush tjetër do ishte dëm kolateral dhe si i sëmurë mendor që paska qenë (sipas drejtorit të policisë) nuk ka logjikuar dhe aq keq po të mendosh.

Prandaj është e kotë të lodhesh dhe të mendosh se çfarë do thotë autori në ditët në vazhdim. Ai është vetëm ekzekutuesi në këtë histori dhe në mos e gjetshin të “vetëvrarë” në ndonjë qeli, mund të ndodhë që kur të dalë nga prej andej të ketë harruar dhe emrin e tij. Edhe besnikët më të regjur të rilindjes e dinë fort mirë se ai s’ka vepruar në kokë të tij, pavarësisht ekzaltimit që shfaqën në rrjete sociale. Por dhe ata që thonë se Edi Rama është i gëzuar nga ky incident, gabohen. Atij i duhej një viktimë që ta kthente në hero dhe kjo nuk ndodhi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco