Lajmi i fundit

TASK FORCE/ 'Aktivisti', presioni mbi administratën e shtetit

28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri

28 nëntori 1944, Shqipëria – nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri

Nga Sali Berisha - 29/11/2022

Data 28 nëntor 1944 mbahet si dita e çlirimit të Shqipërisë dhe siç dihet, edhe sot vazhdon debati mbi saktësinë e datës së çlirimit, nëse kjo ka ndodhur me datë 28, për ç’ka ekzistojnë të gjitha provat, apo me datë 29 nëntor, siç pretendon e majta shqiptare, datën e falsifikuar nga Enver Hoxha me urdhër të Beogradit, madje edhe pasi festoi dy vitet e para këtë festë me datën 28 nëntor. Rëndësia e këtij debati qëndron në faktin se Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë për ta njehsuar këtë festë jo me ditën e çlirimit, por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, me ditën e shpalljes së saj në Jajcë, më 29 nëntor të vitit 1943. Pra ai falsifikoi datën e çlirimit në mënyrë që pas bashkimit të Shqipërisë si Republikë e 7-të me Federatën e Jugosllavisë të festonin edhe shqiptarët me 29 nëntor së bashku me republikat e tjera, por natyrisht jo Jajcën, se aty nuk kishin qenë, por çlirimin e vendit.

Mirëpo mjerisht, ende sot e kësaj dite, jo pak shqiptarë dhe në tërësi e majta shqiptare që edhe sot vazhdon të ketë si Mekë Beogradin nuk janë ndalur në një aspekt tjetër themelor të kësaj date, nuk janë ndalur në të vërtetën më të pamohueshme historike, se 28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, por dhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim të dyfishtë, një tjetër pushtim të huaj dhe një të brendshëm si kurrë ndonjëherë me parë. Kjo mbasi në fronin e pushtetit në Tiranë ulet një klikë shqiptaro-serbe me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.

Sot historianë dhe studiues vendas dhe të huaj, me botimet e tyre serioze dhe të shumta, të bazuara në mijëra dokumente të arkivave të vendit të tyre, të aleatëve të luftës dhe vendeve të tjera, kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave historike të pamohueshme. Ata me veprat e tyre tejet të rëndësishme kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të falsifikimeve të historiografisë hoxhiste. Prandaj sot, bazuar në të vërtetat historike shkencore, është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar kudo që jeton për historinë tonë në tërësi si dhe në rastin konkret dhe rreth kësaj date.

Studimet, botimet themelore të këtij çerek shekulli, të bazuara në mijëra dokumente dhe raporte të kohës, kanë provuar në mënyrë shteruese se J.B.Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, për interesa të serbomadhisë, themeluan me dy qëllime kryesore me të dërguarin e tyre në nëntor të vitit 1941 në Tiranë, Partinë Komuniste të Shqipërisë. Qëllimi i parë dhe me kryesor ishte krijimi i “Kalit të Trojës”, pra i një partie dhe lëvizjeje jugosllave në Tiranë të drejtuar, urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjes shqiptare. Qëllimi i dytë ishte që, në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptaro-serbe të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve.

Në këtë kontekst, komunistët serbo-malazez shkruan programin e kësaj partie pa iu referuar as dhe një herë të vetme Kosovës dhe çështjes shqiptare, vendosën në krye të saj Miladin Popoviç dhe emëruan rreth tij Enver Hoxhën dhe vasalet e tjerë. Pra, përfaqësuesit serbo-malazezë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë (PKJ) siç pohon dhe vet Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan Partinë Komuniste të Shqipërisë (PKSH) dhe njësitë e saja partizane gjatë gjithë luftës si parti dhe lëvizje jugosllave.

PKJ me “Kalin të Trojës” PKSH arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe bashkimin e kombit shqiptar në tërësi në luftën kundër pushtueseve. Ata me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova si Fadil Hoxha etj, që u dërguan aty me mision, arritën të vendosin Kosovën nën vartësinë e PKJ, pavarësisht se Mbretëria e Sllavëve të jugut as dhe federata e tyre nuk ekzistonin. Tito dhe PKJ, nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që themeluan në Tiranë, realizuan sa më sipër duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH.

Po kështu ata imponuan anulimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, injorimin dhe asgjësimin e Marrëveshjes së Bujanit dhe urdhëruan dërgimin e brigadave dhe divizioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë në pretekstin e çlirimit nga gjermanët, por në fakt si pararojë e pushtimit të saj nga divizionet serbo-malazeze dhe vendosjes së saj nën administrimin ushtarak nga Tito.

Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumente të pakundërshtueshme se: udhëheqësit e jugosllavë dhe vegla e tyre Enver Hoxha pas shtatorit 1943 luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve e degraduan në një luftë kryesisht vëllavrasëse civile, dhe se PKSH siç pranon unanimisht vetë Enver Hoxha dhe udhëheqja e tjetër e kësaj partie në plenumin e dytë të Beratit zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë terroriste duke kryer në dhjetëra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.

Studimet e dekadave të fundit të bazuara në dokumente të panumërta kanë provuar se serbët dhe Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë në krye të ushtrisë partizane të Shqipërisë kryen gjatë luftës kundër pushtuesve, gjenocid dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.

Kjo klikë terroriste dhunoi në qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës etj, etj.

E vërteta të detyron, prandaj sot është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij me të vërtetën historike të kombit të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtet ne shqiptarët, me datë 28 nëntor 1944?

Në përpjekjen për një përgjigje objektive të kësaj pyetje do të gjejmë se e vërteta e çlirimit tonë, dhe këtu nuk e kam fjalën për datën 28 apo 29, por për çlirimin si të tillë, është një medalje me dy faqe.

Në njërën anë është e vërtetë se në raport me pushtimin gjerman ne u çliruam mbasi gjermanët në humbje e sipër të luftës u tërhoqën nga Shqipëria dhe ne dolëm nga Lufta e Dytë Botërore të renditur në anën e aleatëve fitimtarë.

Po këtë ditë, Enver Hoxha u instalua në Tiranë me qeverinë e tij si fitimtar dhe mbajti fjalimin e gjatë të fitores. Për këtë akt historik, flijuan jetën dhe rininë e tyre, gjatë luftës mijëra djem dhe vajza, burra e gra të kombit tonë dhe, dhjetëra mijëra të tjerë luftuan me guxim, vendosmëri pushtuesit nazifashistë dhe renditën kështu Shqipërinë, në anën e drejtë të historisë. Nderimi për ata që flijuan jetën për idealet e lirisë do mbetet i përjetshëm. Gjaku dhe sakrifica e tyre qëndron në themele të lirisë tonë kombëtare. Sikundër i tillë do mbetet nderimi edhe për të gjitha ata që luftuan kundër pushtuesve për lirinë kombëtare dhe nuk u sollën gjatë luftës si kainë ndaj vëllezërve të tyre, nuk kryen akte terroriste, gjenocide dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa këta te fundit për krimet e tyre kanë përfunduar aty ku dhe e kanë vendin si xhelatë të popullit tyre, në koshin e plehrave të historisë.

Dua të shtoj këtu se këto të vërteta historike nuk mund të mohohen, pavarësisht nga manipulimet dhe falsifikimet monstruoze te luftës nga historianët hoxhistë, si: rritja me disa herë i numrit të të rënëve, shpikja e betejave edhe të paqena, stërfryrja e humbjeve të shkaktuara armikut etj, etj. Këto të vërteta për luftën partizane nuk mund të mohohen as nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit qe udhëheqja komuniste shqiptaro-sllave kreu gjatë luftës dhe për të cilat meriton çdo dënim, madje nuk mund të mohohen as dhe nga karakteri vëllavrasës dhe civil që dominoi këtë lufte pasi Enver Hoxha dhe klika e tij, për qëllime te pushtetit personal dhe i urdhëruar nga padronet e tij serbë, i dhanë asaj pas shkelmimit nga ai të Marrëveshjes historike të Mukjes në shtator të vitit 1943.

Në idenë e saj, lufta kundër pushtuesve ishte një luftë e drejtë.

Aleatet anglo-amerikanë kishin njohur, vlerësuar dhe mbështetur, financuar dhe furnizuar me armë, uniforma, ushqime, specialistë ushtrinë partizane. Qeveritë e tyre kishin përshëndetur që në fillim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve. Në mënyrë të pamohueshme forcat partizane komuniste ishin dhe njësitë më të organizuara dhe më numerike në teatrin e luftës në Shqipëri dhe kjo jo për shkak te mbështetjes së tyre të gjerë në popull. Por para se gjithash për shkak të dobësive të pamohueshme të nacionalistëve shqiptarë. Është i drejtë dhe plotësisht i justifikuar, dhe mendoj unë i detyrueshëm, dënimi me ashpërsi i te gjitha qëndrimeve çnjerëzore antikombëtare të klikës serbo-shqiptare qe udhëhoqi luftën partizane. Por është tejet i gabuar mohimi i luftës, i gjakut te derdhur dhe sakrificave të mëdha që partizanët bënë për liri.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se renditja në anën e drejtë të Luftës së Dytë Botërore pati një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kjo jo vetëm për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, por edhe për faktin se me gjithë mbështetjen që aleatët i kishin dhënë luftës se popullit shqiptar kundër pushtueseve, ata që në krye të herës kishin lënë të hapur, dhe këtu me sa duket nën ndikimin e Greqisë, çështjen e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre, kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin pas luftës në Konferencën e Paqes. Këtu qëndron më shumë se në çdo drejtim tjetër dhe rëndësia e pamohueshme e renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve. Mbasi renditja në anën e kundërt edhe mund të shoqërohej me ndëshkime të rënda si palë e humbur. Por çështja e vendosjes së kufijve te Shqipërisë në Konferencën e Paqes mbarte në vetvete mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe të trojeve tjera shqiptare me Shqipërinë, natyrisht kjo në rast se shqiptaret do luftonin të bashkuar kundër pushtuesve nazifashistë siç vendosen edhe me ndërmjetësimin e aleatëve britanikë në Mukje.

Por ana tjetër, ana e zezë e medaljes së datës se 28 nëntorit 1944, pra datës së çlirimit, është se kjo datë në të vërtetë nuk do të shënonte çlirimin e vërtetë të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm do të shënonte apo sillte zëvendësimin e pushtimit gjerman me specifikat e tij, me pushtimin serbo-jugosllav shumë herë më të rrezikshëm për vetë ekzistencën e kombit shqiptar si dhe vendosjen diktaturës 46-vjeçare më të egër, me moniste, si pushtimi i brendshëm më barbare, që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre. Kështu qe kjo dite e nëntorit te vitit 1944 ne vend qe te ishte dita e mrekullisë kombëtarë dhe viti 1944 te ishte ‘annus mirabilis’ është dita e vendosjes se një pushtimi te zi dhe një ‘annus horribilis’ për shqiptaret.

Këtu më poshtë do të ndalem shkurtimisht në vendosjen e pushtimit serb, jugosllav pas 28 nëntorit të vitit 1944 në Shqipëri.

Zëvendësimi i pushtimeve ndodhi sepse, në Tiranë, në pushtet do të vinte partia dhe ushtria e themeluar, e drejtuar dhe e udhëhequr nga serbët e PKJ dhe Tito, dhe vegla e tyre Enver Hoxha, të cilët pasi shitën Kosovën, kishin vendosur dhe punonin së bashku me Beogradin për projektin ogurzi e antikombëtar, aneksimin e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Jugosllavisë. Pra, më 28 nëntor të vitit 1944, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, duke brohoritur për një klikë terroriste jugosllavo-shqiptare që u instalua në pushtet në Tiranë dhe hynë në një pushtim të ri të dyfishtë, pushtimin jugosllav dhe pushtimin komunist.

At Zef Pëllumbi, dëshmitar i çlirimit të Shkodrës, shkruan në kryeveprën e tij ‘Rrno vetëm me tregue’ se: me datën 29 nëntor Shkodra u gdhi e mbushur me flamuj jugosllavë dhe se në kambanoren e Katedrales së qytetit, flamuri shqiptar pa yll u zëvendësua nga një partizan me flamurin jugosllav. Pra në qytetin e përjetshëm të shqiptarëve valëvitej flamuri i pushtuesve të rinj si dëshmi tragjike e zëvendësimit të pushtueseve. Flamuri i pushtuesit që iku u zëvendësua jo me flamurin kombëtar, por me flamurin e pushtuesit të ri. Kështu, më 28 nëntor të vitit 1994 shqiptarët festuan çlirimin, lirinë të mashtruar si kurrë më parë në historinë e tyre, dhe duke mos e kuptuar ndofta shumica e tyre se pikërisht këtë datë ata hynë në një pushtim te ri. Më saktë, ata brohoriten atë ditë një klikë shqiptaro-jugosllave me në krye Enver Hoxhën, që u instalua në pushtet me projektin makabër të asgjësimit të lirisë së tyre kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe aneksimin e saj si Republikë e 7-të në federatën e sllaveve të jugut, të dominuar nga serbët, armiqtë shekullorë të kombit shqiptar.

Pas kësaj dite, pra 28 nëntorit 1944, instalimit në Tiranë të klikës shqiptaro-serbe të Enver Hoxhës, vendosjes së veriut të Shqipërisë dhe me pas edhe Kosovës nga Tito në pushtim dhe administrim ushtarak, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit në Shqipëri dhe në Kosovë, do të merrnin dhjetëra mijëra jetë të pafajshme ose do të largonin nga vendi mbi qindra, mijëra shqiptarë. Me këtë dhunë dhe terror të egër ndaj shqiptarëve, Tito me vasalin e tij Enver Hoxha, me ushtritë e tyre partizane do të vazhdonin të ecnin me vendosmëri në zbatimin e doktrinës së Çubrilloviçit në Kosovë, por ne njëfarë mënyre dhe në veriun e Shqipërisë dhe ‘manu militari’ do të zhduknin çdo pengesë në rrugën e rianeksimit të plotë të Kosovës si krahinë e Republikës së Serbisë, si dhe për asgjësimin e pavarësisë se Shqipërisë dhe bashkimin e kësaj te fundit me Federatën e Sllavëve të Jugut, si Republikë e shtatë e saj.

Aneksimi i Shqipërisë nga Federata Jugosllave, ishte akti i fundit i tragjedisë së madhe shqiptare që Josif Broz Tito dhe PKSH dhe Enver Hoxha, po realizonte ndaj shqiptarëve. Ky akt, vinte si kurorëzim i instalimit te kalit te Trojës ne Tirane, injorimit total gjatë luftës nga Enver Hoxha, të çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosjes se tyre ne vartësi te PKJ dhe mbështetjes së plotë të pushtimit serb të këtyre trojeve shqiptare. Aneksimi i Shqipërisë si Republikë e 7-të e ish- Jugosllavisë, ishte një projekt i Titos dhe udhëheqjes jugosllave, që në vitet e luftës. Me përfshirjen e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Federatës Jugosllave, përveç ëndrrës së vjetër të Serbisë, daljes së saj në Durrës, sipas tyre do të merrte një zgjidhje përfundimtare edhe problemi i shqiptarëve të Kosovës ne kuadrin Federatës se Jugosllavisë. Madje, duket se për këtë projekt, ata kishin bindur edhe vetë Stalinin, i cili në takimin me Titon dhe delegacionin e tij në Moskë, i kishte porositur që të “gllabëronin Shqipërinë”. Në të vërtetë, në dokumentin e AVNOJ-it, në nëntor 1943, udhëheqja komuniste jugosllave, nuk ftoj fare përfaqësuesit e Kosovës dhe ne kundërshtim me atë që kishte premtuar, Kosovën e la si krahinë të Serbisë. Ne këtë konferencë Tito shpalli në letër Republikën Federative të Jugosllavisë dhe njësitë apo republikat e saj. Ai në këtë dokument kishte lënë të hapur mundësinë e pranimit në federatë të republikave të tjera, natyrisht pa cituar nominalisht Shqipërinë, por duke vetëkuptuar, para së gjithash, atë.

Kështu që pas datës 28 nëntor 1944 jo rastësisht, por në funksion të zbatimit të projektit të aneksimit të Shqipërisë nga federata e Titos, në zyrat e pushtetit të ri në Tiranë, në të gjitha nivelet e tij në parti, qeveri, ushtri, polici, sigurim, arsim, tregti, ndërtim, miniera, etj, etj, do të vërshonin mijëra këshilltarët jugosllavë, vendim-marrësit e vërtetë të vendit. Jugosllavizimi me shpejtësi dhe ne çdo qelizë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare ishte misioni i tyre më kryesor. Madje, autoritetet jugosllave me lejen e Hoxhës, do të instalonin në Shkodër, legalisht një seksion të shërbimit te tyre famëzi OZNA, që vepronte e ushtronte terror njëlloj si në Kosovë, i pavarur dhe me autoritet të plotë mbi qytetarët shqiptarë në mbarë veriun e vendit. Ky seksion i OZNA-s, në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare, ndalonte, arrestonte, rrëmbente për në ish-Jugosllavi, madje edhe pushkatonte brenda territorit të Shqipërisë, qindra dhe qindra shqiptarë, të cilët ky shërbim i konsideronte anti-jugosllavë. Në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e Titos dhe me zell dhe entuziazëm të veçantë, udhëheqja komuniste e Shqipërisë, do të përfundonte dhe do të firmoste me shpejtësi të rrufeshme, që në muajin dhjetor të vitit 1944, Traktatin e Bashkëpunimit dhe Ndihmës së dyanshme midis Tiranës dhe Beogradit, si paradhome ligjore e bashkimit midis dy vendeve. Traktatin rrufeshëm e firmosi vetë Marshalli Tito.

Të dy qeveritë, po në procesin e bashkimit të plotë të të dy vendeve, firmosën një seri marrëveshjesh të tjera për bashkimin ekonomik, doganor, monetar. Krejt ndryshe nga sa paraqitej më vonë nga historianët hoxhistë, E. Hoxha, firmosi dhe pranoi që të dislokoheshin në Shqipëri divizione të ushtrisë jugosllave, dhe pas kësaj, ai i propozon Titos, bashkimin e ushtrive me një Komandë dhe Shtatmadhëri të përbashkët, pra unifikimin e komandës ushtarake të të dy ushtrive

Në sistemin arsimor të vendit, në të gjitha nivelet, serbishtja do të bëhej gjuha e detyruar. Të gjitha shkollat, klasat dhe oborret e tyre, buçisnin nga këngët dhe brohoritjet për Marshallin Tito. Muzika, folklori, prodhimet e tjera artistike jugosllave, do të mbushnin boshllëkun e krijuar me ndalimin e veprave letrare artistike të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, që nuk kishin mbështetur apo kishin kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Enver Hoxha do të mbante fjalime në Kuç e gjetiu kundër Fishtës, do të krahasonte gjeniun e epikës së letrave tona me Vladan Gjeorgjeviçin, ish-kryeministrin serb në vitin 1913, që kishte kryer masakrat më të mëdha ndaj shqiptarëve dhe ishte shprehur se “shqiptarët, janë njerëz primitivë”.

Ekonomia shqiptare u vendos e tëra në duart dhe kontrollin e dhjetëra e qindra ndërmarrjeve jugosllave, që u krijuan me shpejtësi në Shqipëri. Të gjitha shkëmbimet tregtare bëheshin pothuaj ekskluzivisht me Beogradin. Vetëm në këto shkëmbime, midis të tjerash, Beogradi grabiste nga Shqipëria sasinë kolosale te mbi 200 tonelata flori, dhe mijëra tonelata mallra te tjera, të cilat pushtetarët komunistë ua konfiskuan, me gjak e hekur, tregtarëve, sipërmarrësve, qytetarëve shqiptarë dhe morën nga Jugosllavia si kundër vlerë punishte, vagona, hekurishte të pa vlerë. Për Enver Hoxhën dhe suitën e tij serbofile antishqiptare, zhdukja nga harta e Shqipërisë së pavarur, bashkimi i saj me Federatën e Jugosllavisë si Republikë e 7-të e e saj, ishte e ardhmja më e mirë, më e sigurt e kombit shqiptar.

Në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë, asgjësimit të pavarësisë së saj, në mbledhjen e Byrosë Politike, të datës 8 janar 1945, Enver Hoxha si promotor kryesor i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, propozon “bashkimin e PKSH me PKJ, mbi baza federative, me Sekretar të Përgjithshëm te PKSH Mareshalin Titon, si kusht i domosdoshëm i bashkimit të Shqipërisë me Federatën Jugosllave”. Vendosmërinë e tij për zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj si republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Enver Hoxha, do ta dëshmonte edhe nëpërmjet një letre drejtuar Josif Broz Titos, lidhur me bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në këtë letër, ndër të tjera, Enver Hoxha shkruan: “nga shoku Savo, na është sugjeruar ... një hap tjetër përpara në lidhje me formimin e shteteve tona, d.m.th., në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e dy popujve tanë”, dhe se: “ky bashkim, s’ka asgjë formale por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne duhet të punojmë konkretisht për federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet me të gjitha format”, dhe vazhdon “por çështja që ne duhet të marrim iniciativën e parë për të kërkuar këtë gjë, sikundër na është sugjeruar nga shokët jugosllavë që përmenda më lartë” dhe lidhur me këtë çështje Hoxha vazhdon “ne kemi nevojë të na thuhet nga ju, nëse ka ardhur momenti kur neve duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të mbërrimë në konkluzione”, dhe së fundi “ne kemi bindjen se, sikundër Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona”.

Po në këtë linjë është edhe deklarata e Titos, dhënë agjencisë AP, në vitin 1946, se, “Kosova dhe territoret e tjera shqiptare do t’i aneksohen Shqipërisë”. Kjo deklaratë është bërë vetëm e vetëm me projektin e “gllabërimit të Shqipërisë etnike” pra, Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, si dhe shndërrimin e tyre në Republikën e shtatë të Jugosllavisë.

Ky projekt ogurzi, në të cilin ora e kombit shqiptar kishte ndaluar edhe ecte me orën e Beogradit, që po shkonte i sigurt dhe pandalshëm drejt realizimit të tij, do të dështonte vetëm për shkak të keqësimit dhe prishjes së shpejtë të marrëdhënieve midis Stalinit dhe Titos, prishje kjo që nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave, por që sigurisht, tashti Stalini nuk do të pranonte aneksimin nga armiku i tij Tito, të Shqipërisë.

Këto të dhëna dëshmojnë në mënyre të pakundërshtueshme se ajo që quhet date çlirimi, dhe që e majta shqiptare në tërësi që nga Enver Hoxha gjer te neobllokmenet e sotëm e mbajnë për arsye të mirëfillta ideologjike si kryefestën e tyre, e festojnë gjithnjë, më shumë se çdo festë tjetër është njëkohësisht për kombin shqiptar një ditë me hipotekë të zezë, madje më të zezën në kalendarin e shtetit shqiptar. Kjo ditë shënon largimin, tërheqjen e gjermanit te fundit nga Shqipëria dhe vendosjen e pushtimit te ri dhe të plotë të shqiptarëve nga serbët, armiqtë e tyre shekullorë. Shqiptarët dhe serbët në shekuj ishin përballur me dhjetëra e dhjetëra herë. Nga mesi i viteve 1800 e këtej serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalë në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve tona, kishin kryer gjenocide dhe masakrat më të tmerrshme ndaj nesh. Por në të gjitha këto luftëra, serbet kishin patur ndihmën politike, ushtarake, financiare te perandorive më të mëdha të kohës, përveç Austro Hungarisë. Kurse fitoren e tyre më të madhe ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit të vitit 1994, serbët e arritën jo me mbështetjen dhe ndërhyrjen direkte në anën e tyre të fuqive te mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë me Enver Hoxhën dhe veglat e tyre. Tragjike është se sot pas 76 vitesh e majta shqiptare në Shqipëri me në krye argatin e Beogradit, Edi Ramen, megjithëse ish-pushtuesit e asaj kohe janë miqtë dhe partnerët tanë strategjikë, mban si krye-festë të saj ditën e largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe ditën e parë të pushtimit serb dhe kjo vetëm si trashëgimi të etërve barbarë e tradhtarë. Tragjike se sot pas 7 dekadash Edvin Kristaq Rama deklaron para shqiptarëve se ai ka mik dhe është krenar me miqësinë me presidentin serbomadh Aleksander Vuçiç, ish-Gëbelsi i Millosheviçit, i cili gjatë vizitës së tij të fundit në Veriun e Kosovës do të betohej se Serbia do të bëhet me e madhe, vetëkuptohet pra duke marre dhe spastruar territore tjera të Kosovës.

Vetëm dy muaj më parë ky serbomadh do të deklaronte se qëllimi i udhëheqjes shqiptare në Kosovë është: ‘shkatërrimi i shtetit tone’ d.m.th i kërkon të mbajë shtetin e Serbisë në republikën e pavarur të Kosovës.

Tragjike është se sot pas dy dekadave të çlirimit të Kosovës, argati i Beogradit në Tiranë njëlloj si dikur Enver Hoxha, Miladinët, Dushanët, Fadil Hoxhët, mban në duar dhe tund flamurin e zi të Serbisë së Madhe. Në projektin e ndarjes dhe copëtimit te Kosovës, Edvin Kristaq Rama në akt tradhtie të hapur kombëtarë ka lidhur Shqipërinë në Aleancë Trelaterale Beograd-Shkup-Tirane dhe vendosur Kosovën në darën e klikave armiqësore serbo-shqiptaro-maqedonase në nismën Ballkani i Hapur, e cila i kundërvihet haptas nismës se Berlinit.

Pas agresionit barbar të Rusisë së Vladimir Putinit ndaj Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve nga Bashkimi Europian dhe NATO ndaj Rusisë, Putini i vogël i Ballkanit, Aleksandër Vuçiç refuzoi zbatimin e këtyre sanksioneve. Edi Rama, si vasal i Vuçiçit, kalon nga samiti në samit duke bërë haptas thirrje që te mos i kërkohet Serbisë të zbatojë sanksionet dhe mbrojtur direkt padronin e tij dhe shndërrimin e Serbisë në një prapavijë të fuqishme të Rusisë de facto më shumë se kurrë në një Rusi të vogël në Ballkan.

Përveç këtyre, Edi Rama si vasal i Beogradit po zbaton në Shqipëri politikën e shpopullimit dhe shkombëtarizimit kombëtar. Me dhunën, terrorin, vjedhjen e votës, grabitjen e miliarda e miliardave euro nga fondet dhe pasuritë publike te shqiptarëve më keq se sa çdo pushtues tjetër në tërë historinë e tij, ai shndërroi shqiptarët në popullin e gomoneve dhe dëboi me vrasje shprese nga vendi ne 7 vite 744 mijë shqiptar apo 27% te popullatës, d.m.th me shume se çdo lufte civile ndonjë komb tjetër.

PS. Ky artikull ribotohet me ndryshime për shkak te aktualitetit. Shtoj gjithashtu se në këtë shkrim unë u ndala vetëm në njërin aspekt tragjik që mbart në vete, ajo që festohet si dite çlirimi dhe jo në aspektin e saj më katastrofal si ditë e parë e vendosjes së diktaturës më barbare të të gjitha kohërave në Shqipëri, diktaturës hoxhiste.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco