29 Nëntori është një ditë reflektimi për të dënuar krimin komunist

29 Nëntori është një ditë reflektimi për të dënuar krimin komunist

Nga Besim Ndregjoni - 29/11/2022

Sot mbushen 78 vjet kur kombit tonë të dashur iu instalua me forcën e armëve “guberna komuniste” e diktatorit Enver Hoxha, e cila për 45 vite u bë diktatura më e pashembullt për gjysmë shekulli që pasoi.

Ne sot i kujtojmë shoqërisë se çfarë solli kjo ditë e zezë për shqiptarët - bilancin e krimit komunist dhe këtë bilanc nuk e kishim ne në arkivat tona, por e kishin ata që morën pushtetin me 29 nëntor 1944, se ne nuk kishim arkiva, shtetin e kishin marrë kriminelët, të cilët krenoheshin me krimet e tyre ndaj nesh.

Bilanci që solli data 29 nëntor 1944 është publikuar nga shteti shqiptar, ku mbi 6000 veta u pushkatuan dhe sot atyre iu janë zhdukur kufomat.

29 nëntori 1944 erdhi me reprezalje të paimagjinueshme për popullin shqiptar.

Xhelatët komunistë vranë mbi 109 shqiptarë në Tiranë, ku në mes tyre ishin dhe 39 intelektualë të fushave të ndryshme, që i shërbenin administrimit të shtetit shqiptar. Partizanët komunistë hodhën në erë varrin e pinjolles, fisnikes së njohur tiranase, Nënës Mbretëreshë, Sadie Toptani.

Përdhunimet e varreve kishin filluar që në Berat kur u instalua qeveria e sadistit Enver Hoxha, kur partizanët komunistë nxorën eshtrat e kryeministrit Vrioni dhe  i hodhën në lumin Osum. Vazhduan me hedhjen e eshtrave të “Homerit shqiptar”, At Gjergj Fishtës në lumin Drin. Vazhduan me pushkatimin e elitës së kombit, ku etërit e Pavarësisë i pushkatuan dhe sot në 110-vjetorin e mëvetësisë së kombit tonë, shumica e këtyre korifenjve që i dhanë pavarësinë Shqipërisë, ndodhen pa një varr në tokën e tyre.

29 nëntori 1944 vrau 28 nëntorin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.

Vazhduan me pushkatimin e deputetëve që kishin bashkëpunuar me to në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Mbi 36  mijë shqiptarë u burgosën politikisht dhe u torturuan në mënyrë çnjerëzore, vetëm se nuk deshën “gubernën” e krimit; mbi 50.000 familje u internuar që nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 90-vjeçare.

Shkatërrimi total i shoqërisë me formimin ideologjik të “njeriut të ri" duke e zhveshur nga çdo lloj mentalitet moral e shoqëror.  

Sot atdheu im, Shqipëria, mbas 78 vitesh ndodhet i ndarë, se nuk u dënua krimi i 29 nëntorit 1944.

29 nëntor 2022, mbas 78 vitesh, në pushtet është një mazhorancë politike që evokon “betejat e lavdishme” të epopesë së luftës kaçaçke nën drejtimin e “komandantit legjendar” - sajesa të fantazive të poetëve dhe historianëve të regjimit, që kurorëzohet me një shifër imagjinare të 28.000 dëshmorëve, lista e të cilëve nuk e pa kurrë dritën në historigrafinë 78-vjeçare, si për të dëshmuar faktin se ishte gjetje e bukur e imagjinatës se ndonjërit që vendosi t’i japë çdo kilometri katror të truallit shqiptar, një martir imagjinar të luftës për komunizëm.

Data 29 nëntor 1944 i bëri shqiptarët komunistë, vrasës të vëllezërve të tyre dhe spiunë të tyre.

Diktatura komuniste në Shqipëri para 78 vjetësh u lind nga gënjeshtra, u rrit me dhunë të organizuar, u mbajt me arbitraritet e çizme ushtarake dhe u mbështet nga antishqiptarët, armiq shekullorë të ekzistencës së kombit tonë.

Sot pushteti politik i udhëhequr nga Rama  e quan këtë datë “Nata e Bardhë”, e quan nderim dhe sakrificë luftën imagjinare të komunistëve.

Sigurisht, ne familjet antikomuniste, përulemi ndaj viktimave, se ata u vranë pa faj. Çdo jetë shqiptari që është flijuar me besim në mbrojtje të kombit kundra pushtuesve duhet të nderohet.

Ne çmojmë dhe nderojmë Borovën dhe përulemi me nderim ndaj jetëve të tyre... por nuk mund të nderojmë veprimet kriminale të njësiteve guerile që vrisnin ata shqiptarë që s’pranonin të ishin komunistë. Dhe ata të vrarë shqiptarë, janë trefishi i pushtuesve që u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë.

Ne nderojmë ata të rinj shqiptarë që u vranë për idealet e lirisë, pavarësisht se ishin me bindje komuniste, ashtu siç nderojmë luftëtarët antifashistë, Abaz Kupin, Mujo Ulqinakun - dëshmorin e parë antifashist në Europë, Hamit Matjanin, Hysni Lepenicën, Muharrem Bajraktarin e Gani Beg Kryeziun, Safet Butkën e Llan Destan Ndregjonin, homazhe në varrezat që pushteti diktatorial i pat vendosur dhe në atë varrezë nuk ke asnjë dëshmor që është vrarë kundra fashizmit, nazizmit, vetëm se ata nuk njiheshin dëshmorë nga regjimi që ndërtoi atë parcelë.

Është ky kaos moral e shoqëror, është kjo zbrazëti shpirtëror qe lejoi kaosin politik që kemi jetuar e jetojmë për afër 32 vite tranzicion. Dhe është ky kaos politik që lejon sot daljen në skenë të partive politike në mbrojtje të terrorit, varfërisë çnjerëzore, që na i imponuan satrapi aziatik shqiptar dhe këlyshët e tij.

Me pompozitetet dhe delirin e tij, kryeministri i vendit, përpara atyre që i quan veteranë dhe janë pjesëmarrës direkt në vrasjet e kundërshtarëve të komunizmit më 29 nëntor, etiketoi “tradhtarë” mijëra shqiptarë që i vrau kjo datë.

Kryeministër, po ju a jeni tradhtar i sistemit ku jemi, që përbuzni shqiptarët që u vranë nga data 29 nëntor?!

Nënat, motrat, djemtë kërkojnë eshtrat t’iu bëjnë një varr dhe atë mundësi nuk e kanë, se ju heshtni ndaj së drejtës njerëzore të tyre.

Juve nuk ju dhimbsen as dëshmorët komunistë, po mos të jetë data 29 nëntor e Enver Hoxhës. Ashtu siç bëri grupi parlamentar socialist, që fyeu jetët e intelektualëve të Tiranës kur iu kërkua që të mbante një minutë heshtje në parlament me 17 nëntor 2022.

Pesha e luftës së djeshme para degradimit moral ku kishin rënë komunistët shqiptarë dhe sot trashëgimtarët e tyre nuk mund të njihet e të jetë pjesë e historisë kombëtare.

Cila mendje normale, cila ndërgjegje njerëzore, cila gojë që shqipton fjalën dashuri gjen sot guximin e marrëzishëm dhe shtazarak me rikujtue tmerret e së kaluarës komuniste dhe me një farë krenarie neveritëse?!

Ata që rikujtojnë datat simbol të diktaturës ata janë turpi i kombit. Sot diktatori e ka një varr dhe shtëpinë të ngritur në këmbë. Lëreni të pushojë në gjumin e vdekjes pa ringjallje!

Por, çfarë të themi për mijëra qytetarë të ekzekutuar në errësirat e burgjeve të natës pa hënë që sot akoma janë pa varr?!

Çfarë të themi për mijëra familje me shtëpi të prishura dhe sot pa një vatër familjare ku të mblidhen së bashku?!

6000 familje presin eshtrat dhe një parcelë memorizimi, të cilën kryeministri hesht dhe nuk denjon ta japë.

Pse kjo nostalgji këmbëngulëse për diktaturën dhe mosdënimin e një sistemi shkatërrimtar të dënuar nga e gjithë bota e qytetëruar?!

Para një gjendjeje kaq dëshpëruese, që pasqyron nostalgjinë për terror, varfëri e izolim nga bota e jashtme, mijëra viktima shqiptare të datës 29 nëntor përsërisin së bashku me poetin:

“Na lini, në ëmbëlsi, jetën të rijetojmë

Mos na tregoni përsëri qen që kafshojnë”

(Nellie Saks)

29 nëntori 1944 është data e vendosjes së diktaturës komuniste dhe s’ka asnjë lidhje me çlirimin e vendit. Fatkeqësisht, Shqipëria u pushtua në 1939 nga fashizmi, në 1943 nga nazizmi, dhe në 1944 nga diktatura komuniste.

Ne, çdo datë 29 nëntor do të kujtojmë krimet që solli kjo datë diktatoriale dhe do t’i kujtojmë ata e do të reflektojmë mbi krimet komuniste që mos t’i rivrasim përsëri.               

Ne  përfaqësojmë paqen, pushteti politik - urrejtjen që fillon me 29 nëntor.

Paqja jonë do të fitojë mbi urrejtjen dhe urrejtësit që krenohen me krimet. Paqja mbi urrejtjen do të jetë triumfatore e lirisë dhe e dashurisë njerëzore. Përbuzja dhe heshtja u përket kriminelëve. Ne, na përket nderimi si detyrim për mos t’i rivrarë si data 29 nëntor, shqiptarët!

*Autori është Kryetar i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Nik29/11/2022 12:15

Bravo per shkrimin realist.

Shto koment

Denonco