Sondazhi që nxori zbuluar 'qetësinë' false të Erion Veliajt

Sondazhi që nxori zbuluar 'qetësinë' false të Erion Veliajt

Nga Armand Maho - 30/09/2022

Sondazhi i kryer nga analisti Eduard Zaloshnja dhe i publikuar në emisioni Top Story duhet ta ketë sëkëlldisur jo pak kryetarin aktual të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj. I realizuar në muajin shtator të këtij viti, pyetjes se në rast se zgjedhjet do zhvilloheshin më datë 1 të këtij muaji për kë do votonin qytetarët, 44.6% e tyre kishin zgjedhur kandidatin e opozitës ndërsa 55.4 do preferonin kryetarin aktual Erjon Veliaj.

Një sy i pavëmendshëm me këto shifra do e konsideronte si një kapitull të mbyllur garën për Tiranën, por në fakt nuk është kështu dhe këtë më shumë se çdo kush e dinë shtabet elektorale apo patronazhistët. Duhet pasur parasysh se sondazhi është kryer 8 muaj para zgjedhjeve, në një kohë që opozita nuk ka nxjerrë akoma një kandidat të sajin. 45% e atyre që marrin pjesë rregullisht në zgjedhje do të votonin symbyllur këdo që t'i dilte përballë Veliajt mjaft që ky i fundit të shporrej nga ai post dhe ky është një rekord pakënaqësie. Kjo ishte ndoshta dhe arsyeja se përse tre kolegët Balla, Minxhozi dhe Zaloshnja përkrahës tradicionalë të së majtës, u munduan që fajin për katrahurën urbane t’ia mveshnin...Ramës. 

Sipas tyre Veliaj këto vite ka zbatuar projektin e shfazuar të kryeministrit për Tiranën që nga koha kur ishte kryetar bashkie por që s’mundi ta realizojë për shkak të përplasjeve me Nanon dhe Berishën. Apo tjetra që fajin për përbindëshat e betonit që kanë zaptuar qendrën e ka Kryeministri, pasi Veliaj s’mund të japë lejë për ndërtime mbi dhjetë kate. Ndoshta është dhe kështu, por do ishte mendjelehtësi që ta përjashtoje Veliajn nga përgjegjësia për batërdinë e kryeqytetit. 

E megjithatë ta mendosh hollë-hollë, Erjon Veliaj asnjëherë nuk ka fituar në një përballje të ndershme zgjedhore. Në vitin 2015, Halim Kosovës kandidatit të opozitës iu desh të garonte me koalicionin më të madh të së majtës kundër tij, dhe jo vetëm. Rezultati 160 mijë vota për Veliajn kishte në brendësi të tij, votat e LSI, PDIU që aso kohe i ishin bashkangjitur pushtetit si dhe çarjen e votave të opozitës. 

PS me në krye Ramën s'kishte mbushur dy vjet që kishte ardhur në pushtet ku jehona e premtimeve të bujshme për punësim, rritje pagash, legalizime falas e më the e të thashë ishte ende e freskët në veshët e votuesit. Ndërsa LSI e asaj kohe arriti të fuste në thesin e së majtës rreth 53 mijë vota, të paktën kjo është shfruar e publikuar në faqen e KQZ kur flitet për rezultatet e Këshillit Bashkiak.

Në krahun tjetër, kandidatit të së djathtës i duhej të mbartte në kurriz dhe administrimin e dështuar të paraardhësit të tij, që kish shkaktuar jo pak zhgënjim ndër votues. Megjithatë ai ia arriti të merrte 116 mijë vota ose 38% të totalit dhe gati 40 mijë vota më shumë se PD. 16 mijë vota i mori Gjergj Bojaxhi një ish-eksponent i së djathtës, 3300 vota ambjentalisti Sazan Guri i njohur për qëndrimet e tij kundër Ramës, ndërsa rreth 2000 vota të tjera Arben Tafaj, dhe ky një personazh i ardhur nga e djathta, që si target ka kryesisht votën e tiranasve autoktonas. Në total kandidatët opozitarë nëse mund të themi kështu, asokohe të përçarë arritën të merrnin diku tek 138 mijë vota së bashku.  

Më tej sa i takon zgjedhjeve të vitit 2019 ato dihet si shkuan. Veliaj hyri në garë i vetëm, por edhe atëherë nuk duhet harruar se angazhimi i PS-së në Tiranë për të nxjerrë njerëzit të votonin ishte maksimal, me kërcënime për vendin e punës, për heqjen e ndihmës ekonomike, për legalizimet e më the e të thashë. Veliaj kërkonte me çdo kusht të krijonte imazhin fals se vazhdonte ende ta kish mbështetjen e katër viteve më parë. E megjithatë nuk ia arriti. Në bilanc i mungonin 7 mijë vota, ndërsa dhjetë mijë qytetarë kishin nxjerrë të pavlefshme votën duke shprehur hapur revoltën e tyre në fletën e votimit.  

Duhet theksuar se Erion Veliaj vjen në këto zgjedhje me bilancin më negativ që mund të ketë një kryetar Bashkie. Betonizimi dhe dëmi që i ka shkaktuar ai Tiranës në këto vite është një fakt smund të fshihet pas ahengjeve që kreu i baskisë organizon herë mundet. Tirana aktualisht është një qytet i pabanueshëm, pa parqe, pa parkingje, stresues, me ajër të ndotur, me shkolla që ushtrojnë mësimin me nga dy apo tre turne. Pra situata më e keqe që mund të imagjinohet. Me një shtrenjtim ndoshta kampion në Evropë në raport me të ardhura.

Erjon Veliaj ka pjesën tij jo të vogël të fajit, dhe qytetarët e dinë. Në këto vite ai ka rritur dhe mbledhur taska me një grykësi si askush tjetër. Qytetarët e Tiranës paguajnë më shumë se 200 milionë euro në vit taksa për shërbime që nuk i marrin. Këtu nuk përfshihet financimi nga buxheti i shtetit i i cili është thuajse sa 50% e të gjitha bashkive të marra së bashku. Paratë hyjnë në bashki dhe shkojnë më së shumti për paga administrate të tej fryra, evente me këngëtarë që kërkojnë të japin një imazh tjetër, apo ndërhyrje tek tuk në infrastukturë të cilat i paguajmë sa frëngu pulën. 

Por pavarësisht spërdredhjeve të kreut të bashkisë duket qartë se gjërat nuk shkojnë aq mbroth. Nga ana tjetër vetë Veliaj është bërë një bela dhe për Edi Ramën. Karshillëqet me Fatmir Xhafën, takimet e sforcuara në Washington, lobingjet që kërkon të krijojë me biznesmenë nuk është se i vijnë fort për shtat kryeministrit idhnak. Rama e di fort mirë se çfarë është i zoti të bëjë Veliaj për pushtet.

E njeh që nga koha e “Mjaft”-it. Beniamini i tij politik, atë që e mori nga hiçi dhe e bëri atë që është sot, mund të kthehet në një rrezik potencial në një të ardhme jo fort të largët po arriti t’i rrëmbejë karrigen e tij. Për këtë ai është i sigurt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco