Pro-perëndimorët që bëjnë biznes me rebelët e Libisë

Pro-perëndimorët që bëjnë biznes me rebelët e Libisë

Nga Klodian Tomorri - 23/09/2022

I gjithë zelli i maxhorancës për t'u shfaqur si një forcë pro-perëndimore herë pas here pëson ndonjë aksident.

Ka dyshime shumë të forta se muajt e fundit Shqipëria ka thyer embargon e OKB-së për naftën e Libisë. Në Shqipëri ka hyrë karburant nga zonat që kontrollojnë rebelët e Ushtrisë Kombëtare të Libisë. Në mënyrë të përsëritur, madje. 

Këta po mundohen ta mbajnë të fshehtë, por Shqipëria është përfshirë në një skandal shumë të rëndë ndërkombëtar. Në korrik të këtij viti, Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën 2644, që vendos embargo edhe për karburantet e importuara nga zonat që kontrollojnë rebelët e ish-gjeneralit Khalifa Haftar. Porti i Benghazit është një prej tyre.

Anija që u kap me 2275 tonë naftë karburant ishte nisur pikërisht nga Benghazi. Policia bëri një deklaratë zyrtare me info të pasakta, kur tha se anija dyshohej se kishte naftë kontrabandë dhe u kap pas një hetimi disamujor të autoriteteve vendase. E vërteta është shumë ndryshe.

Së pari, nuk ishte naftë kontrabande, por ishte thyerje e embargos, një krim disa herë më i rëndë.

Së dyti, nuk u kap nga hetimet e autoriteteve tona, por anija u sinjalizua nga shërbimet sekrete mike dhe autoritetet tona u detyruan ta ndalojnë. Madje dyshimi është se edhe e dekonspiruan informacionin e shërbimeve të huaja se prandaj mbeti anija në mes të detit, nuk e shkarkonte njeri. Por vetë kapiteni i anijes thotë se ka shkarkuar disa herë më parë karburant në Shqipëri.

Ndaj na i kurseni ato përrallat si dashnorë të mëdhenj të Perëndimit. Por hapni sytë se këtë të embargos nuk e kaloni dot lehtë. Sanksionet për thyerjen e embargos përfshijnë edhe listimin në listën e zezë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco