14 muaj e 1 sulm kibernetik më parë...

14 muaj e 1 sulm kibernetik më parë...

Nga Ilda Zhulali - 22/09/2022

Në pranverë të 2021 media ekspozoi faktin e parë se ekzistonte një bankë paralele të dhënash personale të shtetasve shqiptarë. Ndryshe nga sa sugjerohet, kjo nuk ishte “rrjedhje e të dhënave” nga një hallkë e prishur e zinxhirit, por ishte transferim i kundraligjshëm nga regjistrat shtetërorë tek regjistrat partiakë, që sugjeron një operacion politik qelizor. 

Fakti i dytë ishte se kjo bankë të dhënash nuk kufizohej vetëm me qytetin e Tiranës, por ishte e shtrirë në rang kombëtar bashkë me ushtrinë e patronazhistëve. 

Fakti i tretë ishte se pjesë e zbatimit të kësaj skeme ishin një numër i madh punonjësish të administratës shtetërore. 

Fakti i katërt ishte se struktura organizative e PS me akses të plotë në bankën e të dhënave paralele ishte krejtësisht e pashqetësuar për shkeljen flagrante të ligjit. 

Fakti i pestë ishte se lista e patronazhistëve që u mor me shpejtësi nën mbrojtje politike, ishte një listë shumëemërore shantazhuesish, të cilët kishin për detyrë (të parë) tjetërsimin e votës. Patronazhistët kishin urdhrin dhe autorizimin politik për të përdorur të dhënat personale të qytetarëve si “armën e tyre të sulmit”. Sa më jetik halli i qytetarit, aq më “goditëse” arma e patronazhistit. 

Fakti i gjashtë është se asnjë prej institucioneve ligjzbatuese nuk reagoi, edhe pse, ata, më mirë se kushdo tjetër, ishin të vetëdijshëm:

* Për transferimin e kundraligjshëm të të dhënave që qytetarët ia kishin mirëbesuar shtetit tek një bankë paralele partiake;

* Për thyerjen e protokolleve të sigurisë pa asnjë pengesë dhe pa asnjë pasojë;

* Për rreziqet e ekzistencës së një banke paralele të dhënash në përdorim të personave jashtë funksionit shtetëror;

* Për rreziqet e keqpërdorimit të këtyre të dhënave në dëm të qytetarëve shqiptarë;

* Për rreziqet dhe pasojat në rast zotërimi të këtyre të dhënave nga krimi, qoftë ai ordiner, i organizuar, apo i sponsorizuar prej aktorëve jo-miqësorë;

* Për minimin e besimit të publikut tek institucionet, si shpërdorues të parë të të dhënave personale të shtetasve.

Publikimi i mëvonshëm i të dhënave të pagave, telefonave, dhe targave u trajtua me të njëjtën indiferencë, e pa më të voglin shqetësim se banka e të dhënave shtetërore mund të shenjestrohej si objekt sulmi, dhe jo vetëm si objekt përfitimi zgjedhor.

Kjo qe sjellja e shtetit shqiptar ndaj të dhënave personale para sulmit kriminal kibernetik. Kjo qe përgatitja ndaj paralajmërimit të shtuar të NATO dhe BE për rritjen e sulmeve hibride, e veçanërisht atyre kibernetike. Kjo është dhe arsyeja pse qeveria është fajtore jo vetëm për dështimin fatal në mbrojtjen e infrastruktures kritike digjitale, por edhe për keqpërdorimin e saj.

Sulmi kriminal kibernetik e ka dëmtuar Shqipërinë jo vetëm në raport me shërbimet publike të ofruara on-line për qytetarët, por shumë më rrezikshëm se kaq, i ka ekspozuar ata ndaj veprimeve keqbërëse, krejt të paimagjinueshme nga mendjet e padjallëzuara.

Mënyra e reagimit shtetëror ndaj kësaj ngjarjeje i ka lënë gjithashtu të vetmuar të gjithë individët që mund të bëhen shenjestër goditjeje/hakmarrjeje jo vetëm prej autorëve të identifikuar të këtij sulmi, por edhe prej keqbërësve të tjerë që mund të jenë tashmë zotërues të këtyre të dhënave shtetërore pasi ato u ofruan si “objekt shitjeje” on-line.

Si konkluzion, veprimtaria e të gjitha hallkave të këputura të shtetit vazhdon të ofrojë një territor pjellor për shtrirjen e veprimtarisë kriminale të aktorëve me axhenda destruktive.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë një vlerësim integral të dëmit dhe rreziqeve që i kanosen Shqipërisë.

Si rrjedhojë, nuk kanë asnjë plan reagimi të koordinuar në nivel kombëtar, dhe as mundësinë për të mobilizuar ndihmën shumëdimensionale që nevojitet për menaxhimin e pacënueshëm të kësaj situate.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Lomy22/09/2022 17:58

Dakort po vete je nendetese apo shitese??

Shto koment

Denonco