Giorgia Meloni, një shans për shpëtimin e Italisë dhe Evropës dhe ogur i mirë për Shqipërinë

Giorgia Meloni, një shans për shpëtimin e Italisë dhe Evropës dhe ogur i mirë për Shqipërinë

Nga Nikola Kedhi - 22/09/2022

Italia prej kohësh e gjen veten në një situatë anormale. Proceset demokratike, vendimmarrja politike dhe llogaridhënia u lanë mënjanë për mbi një dekadë dhe u zëvendësuan nga një teknokraci e pazgjedhur e gjithëfuqishme, me prirje të majtë, me bekimin e burokratëve të Brukselit.

Hera e fundit që vendi ka pasur një kryeministër të zgjedhur me vullnetin e elektoratit italian ishte në vitin 2008, kur Silvio Berlusconi mori një mandat për të qeverisur. Që prej puçit që ju bë kryeministrit Berlusconi në vitin 2011, me ndërhyrjen e kancelares gjermane, Presidentit francez dhe funksionarëve të lartë të shtetit italian, Kryeministri është zgjedhur nëpërmjet marrëveshjeve të fshehta, me anë të cilave Partia Demokratike e qendrës së majtë italiane është gjetur në qeveri për pjesën më të madhe të dekadës së fundit shumë herë pa fituar as në zgjedhje.

Pas dhjetë viteve të papërgjegjshmërisë elektorale dhe sundimit teknokratik, Italia është sigurisht më keq. Një analizë e Carlantonio Solimene, gazetar i gazetës Il Tempo, tregon se gjatë periudhës 2011 – 2021, PBB-ja italiane u ul me 1.4%, krahasuar me një rritje prej 12.9% për Gjermaninë (ekonomia më e fuqishme e Eurozonës) ose 5.1% për Spanjën (ekonomi e ngjashme me Italinë).

Për më tepër, raporti i borxhit ndaj PBB-së kërceu nga 119% në 150.8%, duke arritur një rekord prej 2.8 miliardë në prill 2022, edhe pse në krye të qeverisë ishte bankieri Mario Draghi, i parë si shpëtimtari i shumëpritur i Italisë. Presioni fiskal ka shkuar nga 41.3% në 43.5%, dhe familjet italiane e shtresa e mesme janë më të varfëra dhe nataliteti ka rënë në nivele rekord.

Pikërisht në këtë kontekst ekonomik dhe politik, Italia e gjen veten në mes të një fushate elektorale agresive pas rënies së qeverisë së kryesuar nga kryeministri dhe ish-guvernatori i BQE-së Mario Draghi. Ishte një qeveri e mbajtur nga një koalicion jo natyral i të gjitha partive politike në parlamentin italian, me përjashtim të konservatorëve të Fratelli d'Italia të Giorgia Melonit, thirrjet e të cilës për zgjedhjet të parakohshme nuk u dëgjuan për vite me radhë, pasi partitë e majta dhe të djathta, populiste dhe të establishmentit, ish-kundërshtarëdhe ish-aleatë u përpoqën të bënin çdo koalicion të mundshëm për të mbajtur karriget e tyre dhe për të parandaluar përballjen me elektoratin.

Populli italian duket se është ngopur me rendin e panatyrshëm të gjërave në vendin e tyre. Falë koherencës, ndershmërisë, dinjitetit, shpirtit të zjarrtë, forcës, karizmës dhe vlerave konservatore që Giorgia Meloni mbronme guxim, partia e saj ka shkuar nga 4% në 25% brenda 4 viteve. Ajo është gati të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë, pasi çdo sondazh tregon se koalicioni i qendrës së djathtë ka të ngjarë të marrë një shumicë dërrmuese në të dy dhomat e Parlamentit. Dhe nuk po bëhet gati të marrë një post për shkak të kuotave apo nga gjinia e saj – siç përpiqet pa sukses të bëjë e majta. Ajo po fiton falë meritokracisë, vlerave e virtyteve të saj dhe punës së palodhur.

Sigurisht, ajo nuk e ka bërë e vetme. Nga ajo që kam parë dhe njerëzit me të cilët kam biseduar duke shkruar këtë artikull, Fratelli d'Italia ka arritur të mbledhë jo vetëm një ekip të madh ekspertësh, por politikanë me reputacion që gëzojnë respekt brenda institucioneve italiane në çdo nivel të qeverisjes, si dhe në Parlamentin Europian ku janë pjesë e grupit të konservatorëve. Vetë Meloni është zgjedhur kryetarja e konservatorëve europianë para pak vitesh – grupim i themeluar nga konservatorët britanikë.

Me ndihmën e tyre, Meloni ka një dekadë që lufton kundër kënetës burokratike italiane. Shumë faktorë –aleatë dhe kundërshtarë – janë përpjekur ta pengojnë atë të krijojë një forcë të vërtetë politike konservatore, që të përfaqësojë të djathtën italiane në mënyrë të pa kompromis.

Megjithatë, ajo i ka dëshmuar vendit të saj dhe komunitetit ndërkombëtar se koherenca dhe mbrojtja e vendosur e vlerave në të cilat njeriu beson shpërblehet në fund politikisht – një mësim për shumë politikanë që vënë interesat afatshkurtra përpara një vizioni afatgjatë për idealet e tyre dhe vendin. E djathta fiton kur forcon identitetin e saj dhe nuk shndërrohet në kopje të së majtës. Vetëm një e djathtë e vërtetë mund të fitojë.

Të vetëdijshëm për mungesën e popullaritet të politikave të tyre kulturore, taksave të larta, borxhit të lartë dhe shpenzimeve masive që e kanë sjellë Italinë në një gjendje zombifikimi, e majta po përdor taktikën e vjetër të ringjalljes së fantazmës së fashizmit. Të njëjtët politikanë që pranuan me vite ftesat e Giorgia Melonit në eventet e partisë së saj, kur ajo nuk ishte kërcënim për sundimin e tyre dhe e trajtuan atë si një kundërshtare të denjë e të respektueshme politike, po e quajnë atë një fashiste në çdo media të majtë italiane dhe ndërkombëtare.

Ishte lideri i qendrës së majtë, Enrico Letta, i cili pak muaj më parë deklaroi se ‘e respektonte Melonin, edhe pse mbetejkundërshtar i ideve të saj’, duke arritur në përfundimin se ajo ka ‘aftësi të padyshimta politike’. Politikanët e establishmentit janë ulur me Giorgia Melonin në panele dhe konventa. Nëse ajo është fashiste apo ekstremiste, atëherë pse këta politikanë të majtë ulen dhe diskutojnë normalisht me të – madje e lavdërojnë atë, dhe kujtohen për fashizmin vetëm në kohë zgjedhjesh?

Sa herë që kërcënohet hegjemonia e së majtës dhe ekspozohen pikëpamjet e saj jopopullore, fantazma e fashizmit vjen në shpëtim. Nëse e majta do të ishte serioze në përpjekjen e saj për të luftuar ekstremizmin, ajo nuk do të bashkohej me forcat komuniste dhe socialiste. Nazizmi, fashizmi, komunizmi dhe socializmi, si katër ide totalitare të ekstremit të majtë, duhet të denoncohen dhe të shmangen në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Për më tepër që, nga këto të katërta, vetëm socializmi dhe komunizmi janë ende duke shkatërruar kombe e njerëz.

Vizioni konservator i Melonit ofron një shans për të shpëtuar jo vetëm vendin e saj, por – ndoshta – edhe Evropën. Nëse BE-ja vazhdon të përsërisë modelin kinez siç ka bërë deri tani, ajo do të dështojë. Nëse duam që balanca e fuqisë të mbetet në Perëndim, BE-ja duhet të ndryshojë drastikisht e me vendosmëri kursin e vet nga socializmi i centralizuar drejt një Europe kombesh të forta, demokratike dhe të lira që bashkëpunojnë për çështjet kryesore bazuar në parime të përbashkëta, interesa gjeopolitike, vlera morale, llogaridhënie dhe kapitalizëm tregu të lirë.

Liderja e Fratelli d'Italia premton të shkundë situatën duke i kthyer pushtetin e zaptuar individit dhe familjes italiane, duke mbrojtur e forcuar të gjithë liritë e individit, duke ulur taksat, duke inkurajuar investimet dhe sipërmarrjen, duke rritur punësimin, duke promovuar meritokracinë, duke forcuar markën Made in Italy, duke garantuar ligjin dhe rendin, dhe duke luftuar për pavarësi energjetike dhe një rol më të fortë për Italinë dhe Evropën në botë.

Në të njëjtën kohë, ajo merr përsipër të mbrojë traditat, kulturën, trashëgiminë dhe mjedisin. Larg pozicioneve ekstremiste, vizioni i saj është më i lidhur me Presidentin Reagan dhe Kryeministren Thatcher. Ashtu si Margaret Thatcher ndryshoi Mbretërinë e Bashkuar nga një vend i varur nga shteti, duke vuajtur ekonomikisht dhe në rënie, në një komb të pavarur, që lulëzon dhe është krenar për traditat dhe kulturën e tij, ashtu dhe Meloni mund ta transformojë Italinë dhe të tregojë se BE-ja nuk është një rast i pashpresë.

Kriza energjetike që po afrohet, kërcënimet gjeopolitike nga Rusia dhe Kina, ndryshimi i balancave të fuqisë, borxhi masiv, rritja e ngadaltë, dhe humbja e konkurrencës mund të përballen dhe të zhbëhen vetëm nga e kundërta e asaj që i shkaktoi - d.m.th., me politika konservatore – siç ndodhi me sukses në vitet tetëdhjetë në SHBA dhe në MB. Regani, Thatcher dhe Papa Gjon Pali II ishin thelbësorë në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik dhe ofrimin e një alternative ndaj mjerimit të socializmit. Fitorja e Melonit mund të jetë hapi i parë në rindërtimin e një koalicioni perëndimor të vlerave.

Italia mund të bëhet sërish e madhe dhe të shndërrohet në një forcë shtytëse për ndryshim brenda një BE-je të sëmurë dhe një ndikim të rëndësishëm në Mesdhe dhe Ballkanin Perëndimor. E djathta italiane përherë ka kërkuar të ketë një rol më aktiv në Mesdhe dhe në vende si Shqipëria. Vendi ynë ka interes të ketë një aleat si Italia me një zë të fortë e me ndikim në Europë në ndihmë të kauzave shqiptare, aspiratave europiane dhe për t’u larguar nga vendet dhe projektet që dëmtojnë interesin kombëtar. Aq më tepër që Italia është partneri ynë më i madh tregtar.

E djathta italiane në pushtet është një fillim i mirë dhe një mundësi e madhe dhe për shqiptarët, nëse do të dinë ta përdorin si duhet. Gjithashtu, shqiptarëve të shumtë që jetojnë në Itali u intereson të kenë një vend më të fortë, e më të begatë ekonomikisht. Nga ana tjetër, ngritja dhe forcimi i konservatorëve italianë ofrojnë një shembull të shkëlqyer për të djathtën shqiptare, për të gjetur rrugën e vetme drejt ringritjes dhe fitores.

Përballë agresioneve dhe aspiratave ruse dhe kineze, për të pasur sukses së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe aleancën e NATO-s, Evropa ka nevojë për liderë të fortë, parimorë si Meloni që të ecin përpara dhe të ofrojnë një model konservator funksional tani më shumë se kurrë, ndërsa kontinenti vazhdon spiralen drejt humnerës ekonomike dhe parëndësisë gjeopolitike.

*Nikola Kedhi është ekspert ekonomie, konsulent financiar, studiues i ideve të djathta dhe kontributor në media të ndryshme si Fox News, Newsmax, Il Giornale, The Federalist, CapX, The European Conservative dhe The American Thinker. Opinionet janë personale të autorit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Naim Cope25/09/2022 18:40

Te shpresojme qe Meloni do te beje me mire per Italine, ne dhe Europen.

Elton22/09/2022 16:52

Nga Kinezo Ruset Italia ka fituar para.Problemet Italia i ka nga BE

Shto koment

Denonco