Përse ndihmat qeveritare dhe paga minimale dëmtojnë ekonominë

Përse ndihmat qeveritare dhe paga minimale dëmtojnë ekonominë

Nga Nikola Kedhi - 16/09/2022

Në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera, e majta ka mundur të përcaktojë debatin ekonomik dhe termat e diskursit publik sipas ideologjisë së vet. Kështu, nuk zhvillohet asnjë diskutim për alternativa të djathta ndaj rishpërndarjes, varësisë së individit ndaj shtetit, shpërdorimit të taksave me programe masive qeveritare, pagës minimale dhe ndërhyrjes shtetërore në çdo aspekt të jetës.

E njëjta gjë u përsërit dhe kësaj radhe me paketën e prezantuar nga qeveria shqiptare si përgjigje ndaj krizës. Një krizë, duhet thënë, e krijuar në rang global nga vetë politikat e ndjekura nga qeveritë perëndimore – pa përjashtuar dhe tonën, siç analizova pak ditë më parë në këtë media. Paketa qeveritare ishte e përqëndruar në rritje të subvencioneve dhe transfertave qeveritare si dhe në rritjen e pagës minimale, pa ulur shpenzimet e tjera qeveritare apo barrën fiskale te individët dhe sipërmarrjet. Në thelb, ishte një paketë që rrit borxhin, nuk ndihmon në uljen e inflacionit dhe as në përballimin e çmimeve të larta. Ndërkohë, diskutimi i vetëm që bëhet ndër ekspertë dhe në media është madhësia e paketës. Një pjesë e konsiderueshme e ekonomistëve kanë vërtetuar se rishpërndarja e të ardhurave nga programet e qeverisë dhe rritja e pagës minimale nuk ndikojnë në mirëqenie dhe as zhvillojnë ekonominë. Ato thjesht rrisin varësinë e individit ndaj burokratëve. Atëherë, nëse diçka nuk funksionon në parim, a mund të funksionojë në sasi më të madhe?

Shkrimi i kaluar u morr me propozimet e anës së ofertës, që siç e kanë treguar qeverisjet e Presidentit Reagan dhe Kryeministres Thatcher i dhanë fund inflacionit dhe rritën ekonomitë e tyre respektive. Qëllimi i këtij shkrimi është të tregojë përse politikat e anës së kërkesës, rishpërndarja dhe rroga minimale nuk funksionojnë, por vetëm sa rrisin borxhin, rëndojnë brezat e ardhshëm, ulin konkurueshmërinë e rritjen ekonomike dhe madje rrisin papunësinë.

Është shumë e lehtë për politikanët të premtojnë më shumë para për të tërë, apo se do të rrisin rrogat. Në fund të fundit, politikanët mendojnë në terma afat-shkurtra, duke vënë interesat elektoralë të parat. Dhe njerëzit në masë të gjerë duan para, pa menduar se nga vijnë ato, apo se janë vetë ata që paguajnë shumëfish nëpërmjet taksave. Taksim, borxh dhe shpenzime qeveritare nuk janë rruga drejt prosperitetit, por receta e vdekjes së ngadaltë ekonomike. Një qeveri, ashtu si një familje nuk mund të shpenzojë përtej atyre të ardhurave që mbledh, që duhen kanalizuar në ekonomi në mënyrë që rikthimi të jetë më i madh se sasia e investuar. Nëse ka krizë, duhen ulur dhe jo rritur shpenzimet që nuk përkthehen në produktivitet. Është detyrë e ekspertëve ekonomikë që të paktën të sensibilizojnë për rrezikshmërinë e politikave të ndjekura, pavarësisht se të thuash të vërtetën mund të mos jetë politikisht popullore.

Nëse qeveria vendos një pagë minimale, dhe aq më keq nëse e rrit atë, nuk çon në mirëqenie më të madhe për individin. Paga nuk është diçka arbitrare, por një element në funksion të prodhimtarisë që individi ka. Të paktën, kështu është në një ekonomi tregu, ku shteti nuk deformon parimet dhe funksionin e tregut. Tregu është institucioni më demokratik e meritokratik, pasi vepron sipas nevojave dhe kërkesave të shumë njerëzve. Ligjet e tregut janë si ligjet e fizikës apo matematikës, dhe shkojnë në linjë me parimet e natyrën njerëzore. Nëse qeveria ndërhyn në mënyrë arbitrare duke thënë që 2+2 bëjnë 5, kjo nuk e bën këtë të vërtetë.

Nëse qeveria ndërhyn duke thënë që rroga duhet të jetë X, kjo nuk e bën këtë detyrimisht të vërtetë, nëse ligjet e tregut (kërkesa e oferta e individëve që e përbëjnë atë) e vendosin rrogën Y, sipas prodhimtarisë në ekonomi. Dhe nëse ka abuzim nga kompani të ndryshme me punonjësit e vet, kjo është prova se tregu nuk po lihet i lirë të funksionoje si duhet, dhe ka ndërhyrje në të.

Kur në treg kërkesa dhe oferta për pagën arrijnë në ekuilibër, kërkohet një sasi e caktuar të punësuarish. Nëse qeveria vendos një pagë të ndryshme nga ajo e tregut, dhe bëhet e paligjshme për të vendos një pagë më të ulët, sasia e punës ulët, siç shihet në grafikun e mëposhtëm, dhe kjo çon në rritje të papunësisë. Pra, një rritje arbitrare e pagës, e pajustifikuar me rritjen ekonomike, krijon më shumë njerëz të papunë. Punëtorët me kualifikim të ulët ndjejnë ndikimin e madh të rritjes së pagave minimale pasi firmat reduktojnë punësimin për punonjësit e tyre më pak produktivë.

Në vitin 2015, Instituti i Politikave të Punësimit anketoi 166 ekonomistë në Shtetet e Bashkuara për këtë temë. Gati tre të katërtat e tyre kundërshtuan një pagë minimale federale prej 15 dollarë në orë. Shumica e tyre besonin se një pagë minimale e tille do të kishte efekte negative në nivelet e punësimit të të rinjve (83%), nivelet e punësimit të të rriturve (52%), numrin e vendeve të punës në dispozicion (76%). 67% e tyre mendonin do të kishte impakt negativ dhe në sipërmarrjet me 50 ose më pak punonjës, duke u vështirësuar aktivitetin.

Studimet empirike gjithashtu dalin në të njëjtin përfundim. Në vitin 2008, ekonomistët David Neumark dhe William Wascher përdorën të dhënat e dy dekadave për të studiuar efektet e pagës minimale dhe rritjes së saj. Rezultatet e studimit të tyre treguan se rritja e pagës minimale rrit papunësinë, ul fitimet për punonjësit me paga të ulëta, bën punonjësit e rinj me më pak aftësi, duke u ulur të ardhurat në të ardhmen, si dhe çon në shtrenjtim të produkteve dhe shërbimeve.

Një tjetër studim nga Terry Gregory dhe Ulrich Zierahn merret me ndikimin e një ligji për pagën minimale të vitit 1997 në Gjermani në sektorin e ndërtimit. Ata zbuluan se punëdhënësit punësuan më pak punëtorë me kualifikim të lartë për shkak të rënies së të ardhurave (nga produktiviteti më i ulët) midis kompanive. Një analizë nga Joseph J. Sabia tregoi se ligjet e pagës minimale nuk kanë efekt të rëndësishëm (pozitiv ose negativ) në produktin e brendshëm bruto të shtetit (PBB). Megjithatë, midis industrive me kualifikim të ulët si tregtia me shumicë dhe prodhimi, ai zbuloi një rënie të butë deri të konsiderueshme të produktivitetit në krahasim me industritë me kualifikim të lartë si financat ose pasuritë e paluajtshme, pasi pavarësisht sa produktiv janë, punonjësit me kualifikim të ulët e dinë se sa do e kenë minimumin që do të marrin. Ndaj, dhe ata do jenë të parët që do hiqen nga puna, kur kostoja e tyre të rritet për punëdhënësin, ndërsa produktiviteti qëndron i pandryshuar ose ulet. Pra, rritja e pagës minimale dëmton shtresat me të ardhura më të ulëta.

Projeksionet e Zyrës së Buxhetit të Kongresit Amerikan (CBO) tregojnë për humbje të konsiderueshme në punësimin duke pasur parasysh një rritje të pagës minimale kombëtare, me një kosto prej 1.4 milionë deri në 2.7 milionë vende pune të humbura. Pra, kur bizneset detyrohen të paguajnë më shumë punonjësit pa rritje përkatëse të prodhimit e të ardhurave për të justifikuar në pagimin e tyre, ata duhet të shkurtojnë orët e punonjësve, t’i pushojnë ata nga puna, t’i zëvendësojnë me automatizim, ose të kalojnë kostot te konsumatorët – pra të rrisin çmimet.

Në një periudhë kur inflacioni në vendin tonë është i lartë, njerëzit janë më të varfëruar dhe ekonomia drejt ngadalësimit të sigurt, sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, nuk mund të jetë zgjidhja një politikë që rrit papunësinë dhe çon dhe më lartë çmimet. Ndaj, siç është provuar herë pas here, dhe siç të çon dhe logjika e ligjet ekonomike, mënyra e vetme për të rritur pagat është rritja e produktivitetit të punëtorëve. Produktiviteti rritet duke ulur barrën tatimore, duke zvogëluar ndërhyrjen dhe favorizimet në treg, duke i lënë kompanitë të konkurrojnë me njëra tjetrën për të ulur kostot, dhe për të gjetur rrugën drejt inovacionit. Sa më konkurrencë të ketë në një treg mes kompanive, aq më të larta pagat e aq më të ulëta çmimet e produkteve. Vetëm kështu, pa ndihmë nga qeveria, kompanitë kanë incentivat e nevojshme për të qenë sa më efecientë, për të punësuar më shumë, për të investuar në punonjësit e tyre, për të rritur prodhimtarinë. Vetëm kështu mund të rriten pagat. Natyrisht, kjo heq nga ekuacioni politikanët dhe premtimet e tyre, dhe ndaj nuk është rruga e preferuar për ta. Nga ana tjetër, kjo mbetet rruga e vetme për të fuqizuar individin, familjen shqiptare dhe ekonominë tonë.

Për më tepër, një zgjidhje tjetër që paraqet qeveria është shpërndarja e parave për grupe të ndryshme të popullsisë. Shumë politikanë, në Shqipëri e gjetke, gjejnë shpëtim te premtimi i subvencioneve apo transfertave të parave për kategori specifike, duke anatemuar kategori të tjera. Në princip kjo është diçka e gabuar, pasi qeveria merr nga një shtresë dhe ja jep tjetrës duke i bërë të duken kundërshtare dhe duke ngulitur në mendje rrenën se që një grupim të prosperojë, një tjetër duhet të jetë më keq. Një shoqëri nuk mund të ecë përpara mbi bazat e zilisë apo konfliktit social. Ekonomia nuk është një lojë me shumë zero, sepse me politikat e duhura të gjitha shtresat mund të ecin përpara dhe të begatojnë. Dhe nuk mund t’u takojë burokratëve të vendosin arbitrarisht se sa duhet të fitojë një individ. Ndërkohë, kapitalizmi i tregut të lirë shkëlqen pikërisht në prodhimin e pasurisë dhe shpërndarjen e saj gjerësisht. Në një treg pa ndërhyrje, me incentivat e duhur fiskalë, të gjithë përfitojnë nga produktiviteti i tregut.

Por, edhe sikur të aplikohet një politikë e tillë rishpërndarëse, ajo patjetër duhet shoqëruar me reduktim masiv të shpenzimeve të tjera qeveritare që nuk janë të nevojshme, pasi në të kundërt rritet niveli i borxhit, që rëndon ekonominë dhe do të paguhet po nga taksapaguesit. Ose, do të printohen më shumë para për të financuar këto pagesa. Por, nëse printohen para pa mbështetjen e prodhimit në ekonomi, e merret borxh për shpenzime që nuk rrisin produktivitetin, kjo nxit inflacionin e përkeqëson rritjen ekonomike – që do të thotë rëndon situatën në të cilën jemi ne. Pyetjet që secili duhet të bëjë është nëse jemi të gatshëm të paguajmë taksa më të larta nesër, për të paguar borxhin e marrë sot dhe a jemi të gatshëm të përballojmë inflacion më të lartë për më shumë sasi parash? Apo është më mirë të gjejmë një rrugë që rrit produktivitetin dhe pagën e secilit, ul borxhin dhe peshën e qeverisë?

Sa më shumë rishpërndarje të ardhurash të bëjë qeveria, aq më shumë zmadhon peshën e saj, nëpërmjet influencës së vetë në jetën e qytetarit dhe përmes borxhit që merr. Nëse zmadhohet pesha e qeverisë në Produktin e Brendshëm Bruto, atëherë detyrimisht zvogëlohet pesha e sektorit privat, që është sektori i cili prodhon në ekonomi dhe financon sektorin publik. Sa më shumë të zvogëlohet sektori privat, aq më të vogla mundësitë që të paguhet borxhi, administrata, apo punë të tjera publike. Ndërkohë, në rast krize ka një mënyrë fare të thjeshtë për të lehtësuar jetët e individëve dhe familjeve – ulja e taksave për pagën, kompanitë, dhe produktet e shportës e energjisë, e në të njëjtën kohë reduktim i shpenzimeve qeveritare.

Rruga e vetme para nesh – dhe sidomos opozitës së djathtë – është propozimi i një modeli ekonomik bazuar në kapitalizmin e tregut të lirë, me reduktim të ndërhyrjes së qeverisë, rritje të konkurrencës së lirë, ulje të taksave e burokracisë, për të çliruar individin shqiptar nga zinxhirët e burokracisë e ndërhyrjes shtetërore dhe incentivuar sipërmarrjen.

Si shoqëri, duhet të kemi parasysh se nuk ka drekë falas. Çdo gjë që premtohet si subvencion apo paketë parash stimuluese ka në fakt një kosto të madhe që paguhet nga vetë taksapaguesit. Siç na tregon dhe kurba e mirënjohur e Laffer, sa më shumë të taksohet, aq më pak do të prodhohet. Dhe pa treg të lirë, konkurrence,  prodhim e industrializim nuk ka mirëqenie në një vend, sado para të shpërndajë qeveria.

Për një analizë të thelluar mbi situatën ekonomike në Shqipëri dhe rrugët e daljes nga kriza, klikoni në artikullin Dimri ekonomik i Shqipërisë: Shkaqet e krizës dhe rruga e vetme për shpëtimin.

Nikola Kedhi është ekspert ekonomie, konsulent financiar dhe kontributor në media të ndryshme si Fox News, Newsmax, Il Giornale, The Federalist, CapX, The European Conservative dhe The American Thinker. Opinionet janë personale të autorit.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Naim Cope17/09/2022 19:07

Si shpjegohet qe pak njerez komntojne mbi artkujt ekonomike. Ndersa per akuaza politike dhe te tjera nuk reshtin komentet.

Naim ope16/09/2022 15:13

Esence: pa treg të lirë, konkurrence, prodhim e industrializim nuk ka mirëqenie në një vend

Naim ope16/09/2022 15:12

Esenec: pa treg të lirë, konkurrence, prodhim e industrializim nuk ka mirëqenie në një vend

Naim ope16/09/2022 13:10

Aksiome: Pa treg të lirë, konkurrence, prodhim e industrializim nuk ka mirëqenie në një vend.

Shto koment

Denonco