Na duhen këllqe për SPAK-un

Na duhen këllqe për SPAK-un

Nga Klodian Tomorri - 18/08/2022

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, paguhet 5 mijë euro në muaj ose 10 herë më shumë se punonjësi mesatar i shtetit shqiptar. Nicola Gratteri, kryeprokurori italian i antimafias paguhet 7200 euro në muaj ose 4 herë më shumë se punonjësi mesatar i shtetit në Itali. Shkurt, në terma relativë, prokurorët shqiptarë janë ndër njerëzit më të paguar në planet nga paraja publike.

Pyetja shtrohet, pse shoqëria shqiptare është duke e bërë këtë sakrificë kaq të madhe financiare duke i mbuluar prokurorët dhe gjyqtarët më para? Teorikisht përgjigja është e qartë. Ky është një investim. Ne i paguajmë këta kaq shumë, që këta të na e kthejnë investimin mbrapsht duke parandaluar vjedhjen e parasë publike. Çështja është, a po e bëjnë?

Këtu përgjigja është komplekse, siç thotë zoti Kraja për inceneratorët. Meqë ra fjala. Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK bllokoi inceneratorin e Elbasanit dhe shpalli në kërkim Klodian Zoton me Stela Gugalljan për korrupsion dhe evazion fiskal me faturat fiktive. Por SPAK nuk e preku inceneratorin e Tiranës.

Tani faktet janë kështu. Formalisht koncesionari i inceneratorit të Tiranës thotë se nuk ka lidhje pronësie me Klodian Zoton. Por sipas dokumenatave zyrtarë, inceneratori i Tiranës i ka paguar 20 milionë dollarë kompanisë ITS të Klodian Zotos si nënkontraktor.

Vetë SPAK thotë se Klodian Zoto ka blerë dhjetra milionë euro fatura fiktive. Në fakt, ai vetëm këtë ka bërë. Nëse inceneratori i Tiranës i ka paguar Zotos 20 milionë dollarë për nënkontraktim, dhe ky i fundit është provuar se ka blerë fatura fiktive, çfarë pune ka bërë kompania e Zotos për inceneratorin e Tiranës?

Ja pra që nuk është aq komplekse sa thotë zoti Kraja. Inceneratori i Tiranës merr para kot, pasi nuk bën investime. Dhe meqë nuk ka se si të justifikojë paratë që merr nga buxheti, paguan Zoton si nënkontraktor, edhe këtë kot. Ky i fundit shkon blen fatura fiktive. Përtej kësaj njerëzit e inceneratorit të Tiranës janë njerëzit e Zotos. Sot personi i autorizuar për të kryer veprimet ligjore të inceneratorit fantazmë të Tiranës është Elton Bualli. Ky është ish punonjës i Zoto Consulting dhe përfitues nga grantet e AZHBR-së.    

Tani pse na duhen gjithë këto lidhje? Për një arsye shumë të thjeshtë. Nga dhjetori I vitit të kaluar deri më sot, inceneratori i Tiranës është paguar 7 milionë euro nga buxhetet publike.  Ne e paguajmë zotin Kraja dhe prokurorët e SPAK-ut me rrogat me të larta në planet, sipas standardit të fuqisë blerëse, që të na parandalojnë vjedhjen e parasë publike. Por inceneratori i Tiranës po na vjedh, kurse zoti Kraja, që duhet ta ndalonte, na thotë që çështja është komplekse. Çështja nuk është hiç komplekse. Është shumë e qartë. Ashtu siç është e qartë edhe diçka tjetër.

Praktikisht inceneratorët dhe SPAK-u nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri. Inceneratorët marrin lekët e buxhetit dhe nuk bëjnë punë. Edhe SPAK-u merr lekët e buxhetit dhe nuk bën punë. Ndaj nuk është çështje kompleksiteti. Në fakt është cështje topash. Se mund të paguhesh edhe më shumë se Gratteri, por nuk i ke dot topat e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptari19/08/2022 14:46

I nderuar Klodian!
Je brilant ne analizat dhe saktesite e tua ekonomiko-financiare lidhur me aferat kriminale te narko-qeverise se rilindjes se qelbesirellekut dhe heshtjes kriminale te SPAK ndaj ketyre krimeve!! Te heshtesh dhe te mos veprosh ndal aferave kriminale, kur paguhesh nga populli per t'i luftuar dhe ndalur ato, behesh jo vetem 100% bashkepunetor ne krim, por me i keq se sa ata qe kryejne krimin te mbrojtur nga heshtja jate.
Ti me shume te drejte i barazon ata kriminele, qeveritaret kriminele dhe SPAK, po, shume e vertete, te tre palen nga marrin miliona euro. Por, te lutem shume, mos e quaj më kete akt kriminal te tyre vjedhje, as korrusion. Joooo, joooo! Nuk quhet vjedhje, sepse nga perkufizimi themelor, VJEDHJE do te thote qe te marresh dhe te pervetesosh nje send, nje krijim, nje projekt, nje objekt ose nje shume parash fshehurazi, pa te pare askush, nen erresiren e nates, te mjegulles, te shut, apo ne oret e para pas mesnates, kur rojet e tyre,qente roje dhe njerezit jane ne gjume. Ndersa keto afera kriminale, keto marrje dhe pervetesim miliona eurosh dhe pasurish publike apo objektesh publike, rrogash marramendese, ne mes te dites, me ligje dhe vendime kriminale antikushtetuese, ne sy te publikut, ne sy te institucioneve te shtetit, pa u trembur fare syri dhe e pa e rruajtur fare bythen as nga ligji, as nga policil dhe as nga SPAK-u, i kapur KAPS nga krimi i organizuar qeveritar, quhet GRABITJE si ato grabitjet e bandave kriminale dhe PLACKITJE si ato te bandave kriminale te organizates terroriste ISIS!!
Pra SPAK sot po bashkepunon me keto banda kriminale qeveritare GRABITESE dhe PLACKITESE, duke heshur dhe duke mosvepruar, duke u paguar njekohesisht nga te dy palet, me pagat dhjetra milioneshe nga populli per te luftuar kunder bandave kriminale dhe njekoheshisht ndoshta me miliona euro nga pala kriminale per kete heshtje dhe kunder popullit. Ne kete pozicion te SPAK, ka veten dy opsione: ose je me POPULLIN ose je me BANDAT KRIMINALE!!
Deri tani SPAK ka treguar me prova dhe me fakte qe eshte me BANDAT KRIMINALE.

Shto koment

Denonco