Politika arsimore kombëtare dhe Edukimi, i duhen rikthyer shkollës sonë!

Politika arsimore kombëtare dhe Edukimi, i duhen rikthyer shkollës sonë!

Nga Ndriçim Kulla - 17/08/2022

Dëgjova me vëmendje të përqendruar një prezantim divulgativ të arsimit në Shqipëri nga PD në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 2021. Por më tepër m’u duk se ndjeva koncepte teknikësh dhe specialistësh për buxhete të caktuara, si duhej të harxhoheshin këto buxhete, si duhej të ndërtoheshin disa organizime të reja në sistemin tonë arsimor në tërësi, si duhej me të drejt të zhbërë një ligj i keq për Arsimin e Lartë, të cilat edhe pse ishin novatore m’u dukën jo fort të qarta se për çfarë duhej të shërbenin këto organizime dhe pse duhej të harxhoheshin këto para.

Arsimimi i mandatit të formacionit politik të ri, që sot duhet të vijë në pushtet duhet të ndryshojë nga qëllimet dhe gjithçka duhet të vihet në shërbim të këtyre qëllimeve.

Arsimi i ri që duhet të zëvëndësojë arsimimin e dështuar të Edi Ramës duhet të ndryshojë nga qëllimi i qartë që duhet të ketë.

Ai duhet që të jetë një arsimim, i cili duhet të ndryshojë në mënyrë krejtësisht cilësore përmirësimin e arsimimit në vazhdimësi.

Ai duhet të jetë një arsimim, që duhet të përfshijë ose të forcojë në mësimdhënie edukimin pedagogjik, edukimin e munguar krejtësisht patriotik, edukimin familjar, por edhe edukimin europian.

Branko Merxhani thoshte se Shqipërinë duhet ta kthejmë në fabrikë pedagogjike.

Çfarë do të thotë kjo pjesë e formulave të neo-shqiptarizmës e cilësuar 70 vjet më parë, në realitetin e sotëm shqiptar, kur fëmijët tanë janë më tepër nën ndikimin e grupit paralel se sa të shkollës dhe shoqërisë?!

Ndërkohë që pedagogjia sot më shumë se kurrë në kushtet e modernitetit teknologjik dhe në kohën e internetit dhe telefonisë celulare duhej të ishte një anti-virus i gjallë për të ruajtur fëmijët nga efektet anësore të këtij zhvillimi, sigurisht të domosdoshëm, është gati anemike për t’i paraprirë një mbrojtje të tillë.

Gjithashtu, edukimi patriotik , plotësisht i shpërfillur nga sistemi arsimor aktual , që është pothuaj i pandjeshëm sot në kushtet e integrimeve europiane dhe globale, po vazhdoi me këtë rrjedhë shqiptarët do të transformohen në njerëz pa ndërgjegje kombëtare.

Është trishtuese kur shikon nga politika, që problemet e arsimit i trajton thjesht si çështje politikash dhe jo si qëllime me objektiva të qarta në funksion të së cilave duhet të bëhen reforma transformuese.

Në çfarëdo zgjedhjesh të ardhshme që do të bëhen nuk mund t’i drejtohesh më me gjurmët e eksperiencës së keqe të humbjes, elektoratit  si në drejtim të programeve, strategjive, taktikave apo gjallërisë së artikulimit të ideve si në 2017-ën edhe në 2021-in.

Realisht nuk kemi një plan të strukturuar  pedagogjik në politikën tonë arsimore që të krijojë një shkollë për edukatën shoqërore?

Besoj se krahasuar me parimet e Evropës së sotme mentaliteti shoqëror dhe ideologjia kombëtare janë dy cilësorët që lipset të korrigjohen urgjentisht e përmirësohen më tepër në strukturën e arsimit shqiptar.

Kësaj i thonë të bësh reformë.

Kjo nënkupton drejtpërdrejt parimin që sistemi pedagogjik më i mirë dhe më i përshtatshëm për shkollën shqiptare, nuk mund të porositet e imitohet vetëm e vetëm nga Evropa, ashtu siç është bërë deri më sot nga shumë formulues të politikave tona arsimore.

Nga Evropa dhe Perëndimi, e vetmja gjë që mundemi dhe duhet të marrim patjetër është shkenca e saj në tërësinë e vet, pedagogji, psikologji, filozofi edukimi e kështu me radhë. Mirëpo mënyrën e zbatimit të saj ne duhet të përpiqemi ta puthitim me mjetet e aktivitetit tonë shkencor, me konditat psikologjike, bio-gjenetike dhe sociologjike të vendit tonë.

E në këtë predispozitë urgjente, do të na vinte në ndihmë studimi i mendimit shqiptar të traditës, veçanërisht i atij të viteve 30-të, sidomos tashmë që ai është përmbledhur dhe botuar në kolana të veçanta e të përshtatura edhe për arsimin tonë bazë e të mesëm. 

Nga ana tjetër, pa një pedagogji të ngritur mbi shtyllat e psikologjisë dhe sociologjisë shqiptare nuk mund të ndërtohet asnjë politikë arsimore që të kristalizojë ndërgjegjen kombëtare dhe kolektive të brezit tonë të ri.

Një mësues që nuk zotëron në radhë të parë një dozë të caktuar krijuese të didaktikës metodike dhe një përgatitje të caktuar psikologjike, nuk është pedagog, por thjesht një nëpunës.

Edukimi nuk mund të jetë një ligj apriori, as diçka që mund të arrihet dhe të përsoset me një lustër të jashtme.

Edukim do të thotë, bazuar në parimin e zbulimit të shpirtit të fëmijës, të formuluar nga  Maria Montesori, njëra nga edukatoret më të mëdha të shekullit, do të thotë kulturim që mund të arrihet vetëm brenda shpirtit të fëmijës dhe të krijohet brenda unit djalëror apo vajzëror.

Për të vazhduar në këtë logjikë, e për të vënë në jetë një tjetër koncept të Montesorit, sipas së cilës “sistemi pedagogjik më i mirë është ai sistem që ka për bazë larine do të shtonin idenë që “çdo klasë shkolle të marrë një fizionomi të veçantë, shpirti i së cilës të jetë mësuesi që e dashuron nxënësin dhe që ka në zemrën e vet jo inatin e urdhëronjësit, po impozimin shpirtëror të një kryetari të mirë, të një mbrojtësi e të një miku simpatizues  e të pandarë të nxënësve.

Vetëm në këtë mënyrë shkolla transformohet në një shtet të vogël, brenda të cilit mësuesi nuk luan rolin e një autoritari, por rolin e qytetarit të dashur dhe të mirë.

Mirëpo për mbrujtjen e një edukate mësuesore të këtij lloji, lipset përveç një studimi të thjeshtë psikologjiko-pedagogjik, edhe një studim estetik.

Lipset një pedagogji shkencore e cila të jetë e lidhur ngushtë me kulturën kombëtare. Një nocion i tillë nëse do të përshtatej në epokën e sotme ku sundon teknologjia, do të përkthehej në parimin se arsimi pedagogjik nuk duhet të konsiderohet kurrsesi vetëm si një vepër e thjeshtë teknologjike ose e thënë ndryshe e internetit apo teknologjive të informacionit në çdo shkollë.

Përkundrazi, në mes të gjithë përpjekjeve shkencoro-pedagogjike nuk qëndron teknologjia, por kultura dhe ideali i edukimit, i cili nga ana e vet kërkon që mësuesi, para se të nisë ushtrimin e profesionit të tij, të fillojë më parë një jetë dhe aktivitet të vet mendor e studimor, të cilën ta vazhdojë në shkollë.

Një komb nuk mund të jetë kurrë i sigurt për të ardhmen e tij pa organizuar një ushtri ideale e të fortë mësuesish.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco