Fund, pandëshkueshmërisë!

Fund, pandëshkueshmërisë!

Nga Kastriot Islami - 17/08/2022

Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme. Kjo është e nevojshme, por nuk do të mjaftonte për të nxjerrë vendin nga humnera ku gjendet apo ndaluar rrukullisjen e saj më thellë. Që vendi të futet në rrugën e normalitetit dhe të mos zhytet më thellë apo të rikthehet përsëri në të njëjtën trajektore vdekje ku e futi “rilindja”, duhet ndëshkim.  Ndëshkimi do të ishte një element që do të gjeneronte shpresë  për të rinjtë që të mos emigrojnë.

Për të fituar përkrahjen masive të qytetarëve, duhet të ndëshkohen veçanërisht rastet e kapjes së shtetit nga kupola e qeverisë së tij dhe të sekuestrohen të gjithë pasuritë e politikanëve oligarkë, të biznesmenëve oligarkë e të gjithë manjatëve të medias; të ndëshkohen të gjitha rastet e lidhjes së qeverisë me oligarkët biznesmenë, zhvatës të pasurisë e pronës publike e private, me kriminelët e të sekuestrohen të gjithë pasuritë e vëna prej tyre përmes aferave korruptive; të ndëshkohen të gjithë rastet e lidhjes së qeverisë me trafikantët, brenda e jashtë vendit e të sekuestrohen pasuritë e vendosura nga të gjithë oligarkët biznesmenë, manjatët e medias e trafikantët e lidhur me politikanët në pushtetit qendror e lokal, pa përjashtuar ato të vendosura në offshore apo investuar në kullat gjigante; të ndëshkohet rëndë po ashtu blerja e votave me paratë e korrupsionit e kërcënimi i votuesve nga kriminelët.

Por së pari, duhet të ndëshkohet, ideatori, frymëzuesi, organizatori e përfituesi kryesor i kësaj skeme korruptive e kriminale. S’mjafton që ky personazh të japë dorëheqjen si kryeministër, por duhet të ndëshkohet:  

si kryeoligarku, që zotëronte ditën e parë në karrigen e kryeministrit 200 milionë euro pasuri të paligjshme;  

si personi që ka ideuar e realizuar lidhjet me krimin dhe ka promovuar kriminelët si deputetë e zyrtarë të lartë; si organizatori i kultivimit të kanabisit dhe trafikut të drogave të forta; si ideatori i vjedhjes së pasurisë kombëtare e private dhe buxheteve të shtetit;

si ideatori dhe orkestruesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve;  

si ideatori dhe organizatori i keqpërdorimit të reformës në drejtësi për të vënë nën kontroll gjyqësorin e përdorur atë kundër opozitarëve politikë e kundërshtarëve;

si ideatori i nxitjes së emigrimit masiv dhe cenimit të rëndë të identitetit e ekzistencës së kombit;

si njëri nga lojtarët më të rrezikshëm të destabilitetit të rajonit përmes rolit të tij kryesor në zbatimin e projektit famëkeq të “Ballkanit të Hapur” që po e çon vendin e rajonin në konflikt të armatosur.

Duhet të ndëshkohen po ashtu disa nga anëtarët më aktivë të kupolës së ngushtë qeverisëse, pranë tij apo që formalisht janë larguar për të mos rënë në sy, por që punojnë për sektin. Në filtrin e institucioneve ndëshkuese duhet të kalojnë të gjithë ata punonjës që për përfitime kanë firmosur shkresa të paligjshme.

Që të realizohet ky ndëshkim kaq masiv e i thellë duhet të ringrihet dhe bëhet funksional shteti ligjor që nis duke rivendosur në shinat e ndershmërisë dhe të normalitet reformën në Drejtësi, e cila me pak vullnet do të mund të gjeneronte një gjyqësor profesional, me integritet dhe mbi të gjitha të pavarur nga politika dhe që ndëshkon çdo politikan apo ish-politikan të korruptuar, të lidhur me krimin e trafiqet. Dhe kjo nuk është aspak e vështirë të realizohet, por nëse s’do të realizohet qeverisja e ardhshme s’do të mund të rezistojë as 3 muaj sepse do të bllokohet apo hidhet në erë nga anëtarët e sektit kriminal që kanë grabitur shumë para e kanë kapur mjaft pushtet.

Që të realizohet ky ndëshkim, do të duhet që “kjo gijotinë ndëshkimi e së keqes” të bjerë pa asnjë hezitim mbi këdo që ka qenë pjesëtar i ndërtimit të modelit të Së Keqes. Kujtdo, pa dallim. Nuk duhet të kursehet askush. Duke filluar nga kryeoligarku dhe vazhduar me politikanë shumë të lartë të kupolës së oligarkisë, biznesmenë “të fuqishëm”, manjatë të “fuqishëm” të medias dhe kriminelë e banditë, trafikantë e mafiozë të lidhur apo në shërbim të oligarkisë.

 Këta personazhe s’duhet të pranohen në tavolinën e bisedimeve për gjetjen e zgjidhjes së ardhshme. Nuk duhet të jetë asnjë prej tyre pjesë e zgjidhjes. Sepse edhe nëse këta personazhe bëjnë sikur largojnë duart nga pushteti, ata mendojnë çdo ditë për të riardhur në pushtet nga frika e ndëshkimit.

Atyre duhet t’u konfiskohet pasuria e paligjshme dhe t’u kthehet me forcën morale e ligjore qytetarëve të nëpërkëmbur, të varfëruar, të nxitur për të emigruar.

Në Shqipëri, që e keqja të mos përsëritet, duhet ndëshkuar. Thënë ndryshe, duhet të marrë fund mendimi se një skandal zgjat vetëm tri ditë dhe ai zëvendësohet nga skandali i radhës.  

Duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë praktika se ai që vjen në pushtet s’ndëshkon të keqen që luftoi për ta çrrënjosur, por sapo ulet në karrigen e qeveritarit e ka mendjen të rruajë ndonjë gjë për vete për të mos u futur në konflikt me bartësin e së keqes së mëparshme që vazhdon të gëzojë gjithçka kishte realizuar pa iu futur asnjë gjemb në këmbë në kurriz të qytetarëve të pamundur, sepse kështu s’do t’i ndjekin qytetarët për çmontimin e së keqes.

 Shqipëria s’do të mund të marrë kthesën e nevojshme nëse s’i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë.

Vendi do të vazhdojë të zhytet thellë e thellë në greminë dhe (ose) do të boshatiset gjithnjë e më shumë nëse bartësit e së keqes s’ndëshkohen.

Uroj që këtë radhë të mos ndodhë  më zëvendësimi i së keqes së mëparshme, me të keqen e radhës.

Nëse e keqja s’do të ndëshkohet duke u pranuar bartësit e saj si pjesë e zgjidhjes,  atëherë cunami i revoltës qytetare do të ishte i parapashikueshëm ose turravrapi i shqiptarëve për të emigruar do të ishte i pashembullt.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj17/08/2022 09:19

Të shkruhet e shpërndahet në të gjithë mënyrat e mundshme që ta lexojnë sa më shumë SHQIPTAR!

Shto koment

Denonco