Tirana, qyteti nga duhet ikur

Tirana, qyteti nga duhet ikur

Nga Andi Bushati - 15/08/2022

Ka dhe ditë kur propaganda i dorëzohet realitetit dhe padyshim që kjo e sotmja është njëra prej tyre. Lapsi.al ka rimarrë dhe përkthyer dy lajme të botuar si në botën virtuale, po ashtu dhe në mediat ndërkombëtare, që flasin për anën e errët të kryeqytetit tonë.

I pari është një shkrim, këtë radhë jo nga ata të sponsorizuarit të prestigjiozes ‘The Guardian’, e cila bën një radiografi të pamëshirshme të kullave që po ngrihen në Tiranë. Interesant në thelbin e tij nuk është shkatërrimi i traditës, prishja e shtëpive të vjetra, ndërtimi me paratë e krimit, fluturimi i papërballueshëm i çmimeve të apartamenteve, tema të cilat janë shtjelluar gjatë edhe në Shqipëri, nga ata që kryeministri ynë i ka skualifikuar me një të rënë të lapsit si ‘kullofobë’.

E veçanta e artikullit të ‘The Guardian’ është ironia me faktin se koka gjigante e Skënderbeut, që po lartësohet në krah të hotel Tiranës, nuk është çudi të ngjajë gjithnjë e më shumë me portretin e autokratit tonë, duke lënë të kuptohet se ai vendos gjithçka për këto grataçiela.

E dyta qëndron në faktin se shkrimi nxjerr zbuluar hipokrizinë dhe falsitetin e atyre që këtu pompohen si mjeshtra të mëdhenj të arkitekturës botërore, por që në Tiranë i lejojnë vetes vepra nacionalisto-korruptive mbi projektet e të cilave nuk do të kishin guxuar kurrë të nënshkruanin në vendet e tyre.

E pra, sipas The Guardian, Tirana nuk është qyteti modern të cilit po i rilind fytyra, por kryeqyteti i një vendi ku një njeri i vetëm po e përçudnon sipas orekseve dhe tekave të tij.

Ajo nuk është gjithashtu as qyteti tashmë më i pastër falë inceneratorëve, më i lehti për të bashkëjetuar të gjitha shtresat sociale, më i sigurti, apo më joshësi nga pikëpamja e cilësisë së jetesës. Të gjithë ata që shohin përditë Erion Veliajn në ekranet e mëdha që janë shndërruar në bori të promovimit të tij, ose duke mbjellë një pemë, ose duke inauguruar një park, ose duke prerë shiritin e një rruge të re, duhet të dinë se ai është kreu i qytetit më të ndotur në Evropë.

Sipas Numbeo, një organizëm me baza jo saktësisht shkencore, por që mbledh të dhëna nga e gjithë bota, kryeqyteti ynë ka cilësinë më të keqe të jetës në kontinent dhe klasifikimi i tij renditet poshtë e më poshtë, çdo vit që kalon.

Edhe nga kosto e jetesës edhe nga siguria edhe nga shtrenjtësia edhe nga çmimet e shtëpive, Tirana klasifikohet nga fundi dhe e vetmja gjë që bën diferencën është ajo që nuk varet tërësisht nga njeriu, klima e saj që i ngre disa pikë.

Pra për pastërtinë, trafikun, krimin, kujdesin shëndetësor dhe shtrenjtësinë, ndryshe nga ç’buçasin daullet e propagandës që na shurdhojnë përditë, Tirana renditet mes vendeve të pajetueshme. Një qytet ku të mbyt zhurma dhe tymi i betonierave dhe ku nuk jeton dot denjësisht me të ardhurat që fiton nga puna.

Po të shohësh këto të dhëna, që janë tejet larg nga imazhi që na përcjellin pronarët e TV që janë pothuajse të gjithë ndërtues, Tirana është një qytet që duhet braktisur, nga i cili duhet ikur një orë e më parë për të shpëtuar cilësinë minimale të jetës.

Por, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Sepse vite e vite të tëra ethesh për fitim dhe politikash të mbrapshta që nuk i kalojnë dot interesat e xhepit të vendimmarrësve, kanë ndjekur një rrugë që ka sjellë shpopullimin e gjithë krahinave të tjera dhe mbledhjes së parasë, kapitaleve apo vendeve të punës në kryeqytet. Kështu është krijuar një rreth vicioz, që për të jetuar më mirë duhet ti ikësh, por ama kjo arratisje bëhet e pamundur për arsye financiare.

Tani për tani këtë luks, kanë të drejtën dhe mundësinë ta ëndërrojë vetëm një grusht i vogël të kamurish. Por as ata nuk largohen, sepse janë të njëjtit që po lartësojnë ato monumentet nacionalisto korruptivë që herë marrin formën e atdheut e herë atë të Skënderbeut.

/Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shqiptaro-Amerikani15/08/2022 18:17

Lerini shkrimet, klithjet dhe hartimet!!! Shqiperia po falimenton dhe po shkaterrohet me nje shpejtesi sketerre ne cdo aspekt!!!
Shqiperia eshte me te vertete ne nje situate te rrezikshme mjaft te rende te ekzistences se saj si kurre me pare ne historine vet mijera vjecare!! Ne kete rrezik nuk ka qene kurre me pare as ne prag pushtimit romak, as ne prag te pushtimit turk, as ne ate te luftrave ballkanike,as nga kercenimet shoviniste serbo-malazeze dhe greke, dhe as ne luften e pare dhe as ne luften e dyte boterore!! Sot Shqiperia po rrezikon jo pushimin e huaj, por eshte ne prag te shperberjes si shtet dhe te kalimit ne nje cifik te nje rendi feudal mesjetar, ku pronari i vetem i ketij cifliku feudal eshte krimineli Edvin Kristaq Rama!!
Shqiperia po kthehet ne nje shtet perandorak skllavopronar, ku gjithcka po vendoset nga Perandori!! Nje shtet ku nuk ka fare gjykata, prokurori, sistem drejtesie, arsim, shendetesi, polici, ekonomi, dogana dhe institucione finanaciare dhe shoqerore ne sherbim te popullit, por jane kthyer ne mjete sundimi, dhune dhe shtypje te popullit ne sherbim te regjimit feudal!!
Revanshi kriminal i skllavopronarit Edvin Kristaq Rama po ecen me shpejtesi te madhe!!
Prandaj, ka ardhur koha qe ne menyren me urgjente te mblidhet nje Komitet Kombetar dhe Mbarekombetar per Shpetimin e Shqiperise me burrat dhe grate, te rinjte dhe te rejat patriote te kombit shqiptar!! Mos u vononi asnje minute sepse neser do te jete teper vone!!
Nje Komitet Kombetar dhe Mbarekombetar Patriotik si Kuvendi i Madh i Lezhes, Lidhja Shqiptare e Prizrenit apo Kongresi i Lushnjes!!
Shqiperia po rrezikon te kthehet ne nje diktature shume te rrezikshme!!
O sot, o kurre!!

Direkt n riedukim15/08/2022 15:44

Ja ikëm nga Tirana, ku të vemë? Në Qeparo? S'kemi lekë të blejmë ndonjë copë toke në plazh nëse ka mbetur akoma. Apo të ikim në Britani me gomone?

Shto koment

Denonco