Pse Rama e provokon vazhdimisht BE-në?

Pse Rama e provokon vazhdimisht BE-në?

Nga Agim Nesho - 14/08/2022

Përpara se të hapeshin negociatat për anëtarësim në BE për Shqipërinë, kryeministri Rama në mënyrë të përsëritur godiste politikat europiane për zgjerim, inefikasitetin e BE-së në kohën e pandemisë dhe ndjente ‘trishtim’ për atë që quhej Europa e Bashkuar.

Shqiptarët dhe klasa politike e opozitës e shikonin këtë politikë agresive ndaj BE-së si kundërproduktive dhe të dëmshme për integrimin e vendit, por përkrahësit e tij të verbër justifikonin se politika e presionit e ushtruar nga Rama është politika më e mirë dhe rezultative për ta shkundur Europën. 

Europa e Bashkuar mbylli sytë përpara ‘erës së qelbur’ që vinte nga Ballkani Perëndimor, të shoqërive hibride, që demokracinë e përdornin si vello makiazhi, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar vallëzonte hapur dhe kontrollonte dhe shtetet, kur shteti ishte i kapur dhe institucionet e palegjitimuara, por Europa hodhi hapin e madh të pranimit të nevojës për një zgjidhje gjeopolitike për rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Por ndërsa ‘Europa impotente’ e zotit Rama ndryshoi, autokratët e përkëdhelur të Ballkanit nuk e donin më këtë martesë. Në fakt ata me kohë nuk e kanë dashur, por për interesat e pushtetit të tyre Iu është dashur të luajnë lojën e tyre pro-europiane.

Si Vuçiç ashtu edhe Rama kanë kohë që me politikat e tyre po provokojnë Bashkimin Europian duke dalë kundër politikave të tyre në të gjitha drejtimet.

Vuçiç po rrit investimet kineze por ka hapur edhe tregun ballkanik drejt Euro-Azisë. Armët ruse dhe raketat kineze po shtohen me shpejtësi në Serbi nga rreziku i jetës dhe vlerave europiane. Skenarët për shtrirjen e konfliktit rus në Ballkan janë gati të shpërthejnë në qoftë se Rusia krijon një fitore në Ukrainë.  Komplementari i tij, për të mos i quajtur vëllezërit siamezë në brigjet e Ballkanit, po tregohet më ‘i moderuar’ por më i vendosur në provokimin e Europës.

Shqipëria e regjimit Rama ka filluar të mos pranojë asnjë kusht që BE ka vendosur për shtetet që aspirojnë aderimin në Bashkimin Europian. Rama nuk heq dorë nga kanabizimi i vendit dhe kthimi I Shqipërisë në Kolumbinë Europiane, për më tepër kërkon ta institucionalizojë atë. Kërkon amnistinë fiskale me insistim, kur BE insiston që ky veprim do ta kthejë Shqipërinë në një lavatrice të madhe të pastrimit të parave të pista.

Rama vazhdon politikat e futjes së investimeve strategjike jashtë vendeve dhe politikave europiane, si investimi i Portit të Durrësit me sheikët arabë apo aeroportet dhe linjën ajrore me Turqinë. 

Rama, megjithëse Shqipëria konsiderohet vend kandidat i BE-së, vazhdon politikat e tij për hyrjen e investitorëve të pa kontrolluar në vendin tonë, nëpërmjet programit të ‘pasaportave të arta’, kur këta individë me para do të blejnë jo vetëm kushtet lehtësuese në taksa dhe të tjera, por edhe pronat në Shqipëri, duke e bërë Shqipërinë edhe më të ndërvarur por edhe më vulnerabël përpara sigurisë europiane. 

Nuk po flasim këtu për plotësimin e kërkesave të Parlamentit Gjerman, kushtet e Parlamentit Europian për funksionimin e shtetit ligjor dhe të ardhmes së demokracisë në Shqipëri, të cilat janë hedhur në një qoshe dhe nuk përfillen nga regjimi. 

Lind pyetja: A duan vërtet Shqipëria dhe Serbia me këto regjime jo-demokratike të hyjnë në Europë, kur vlerat dhe parimet europiane janë procese të panegociueshme?  Kur kriteret për t'u bërë pjesë e BE-së duhet të zbatohen plotësisht?

Ata e kanë zgjidhjen e tyre, Ballkanin e Hapur, një inisiativë anti-europiane që jo vetëm i hap dyert influencës së Rusisë dhe Kinës por mban të fuqishëm pushtetin e tyre të korruptuar për dekada në vazhdim.

Ndërsa Vuçiç për politikat e tij ka një siguri dhe kjo siguri vjen nga Rusia revizioniste që kërkon që Ballkani Perëndimor të mbetet i përçarë dhe i paintegruar, Rama aksionin e tij politik e mbështet në poshtërimin e popullit të tij dhe impotencën e Europës.

Sfida është e hapur për të dy palët. Për Europën është sfidë, për ne është edhe detyrë.

Rama nuk e do Bashkimin Europian. Është detyra jonë ta mbrojmë këtë ide të madhe. 
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco