Pse dhemb e vërteta se presidenti serb është luftë-nxitës?

Pse dhemb e vërteta se presidenti serb është luftë-nxitës?

Nga Enver Bytyçi - 12/08/2022

Ka një debat për deklaratat e presidentes Osmani, e sidomos për ato të kryeministrit Kurti rreth kërcënimit me luftë të Serbisë kundër Kosovës. Disa analistë i konsiderojnë këto deklarata si krejt të pabaza dhe populiste. Ka prej tyre, të cilët e shohin deklarimin e kryeministrit të Kosovës si real dhe nga ana tjetër i kërkojnë më shumë diplomaci dhe jo qëndrime publike të tilla. Këta e motivojnë kritikën me atë që e quajnë “ndikim negativ te investitorët e huaj për të hedhur kapitalin e tyre në Kosovë”! Ndërsa unë e mbështes presidenten dhe kryeministrin kur e akuzojnë presidentin serb për luftë-nxitës.

As unë nuk besoj se Aleksandër Vuçiç çmendet dhe fillon një konflikt të ri në Ballkan, kur dihen pasojat e konflikteve që Serbia shkaktoi në vitet 1990. Por dyshimet janë të forta në favor të saj se kemi të bëjmë me një president serb të doktrinës dhe filozofisë së luftës. Gjermanët thonë nëse ke qenë një herë kriminel, kriminel do të jesh gjithë jetën. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk po thonë se Kosova do të sulmojë Serbinë. Përkundrazi, Vuçiç i nxjerr serbët në barrikada dhe thotë se Prishtina "po bën genocid" kundër tyre. Kjo është retorikë lufte e tipit Putin, Milosheviç, hitlerian etj.

Presidenti i Serbisë është i mësuar me gjendjen e luftës. Dikur ai ka përjetuar emocione pozitive me masakrat serbe kundër kroatëve, myslimanëve dhe shqiptarëve. Edhe me masakrën e Srebrenicës! Një president i dalë nga lufta dhe i frustruar për humbjen e saj është gjithmonë i prirur që të shkojë në çmenduri e të kërkojë rikthimin e fuqisë së Serbisë në rajon. Një president që në çdo fjalë përmend forcën dhe fuqinë e vendit të tij! Një president që nuk pranon padrejtësitë e fatkeqësitë që i ka shkaktuar popujve fqinjë, ky lloj presidenti e quan luftën si të drejtë! Jo vetëm kaq!

Por presidenti Vuçiç prej gati 9 vitesh në pushtet nuk pranon asnjë kompromis e zgjidhje në konfliktin me Kosovën. Kjo do të thotë se ai ose pret që Kosova t'ia falë atij territorin e saj, gjë që s'mund të ndodhë, ose pret momentin, rastin për luftë! Lufta në Ukrainë është shans i mirë për të! Megjithatë, humbja e Rusisë i krijon kushte shumë të disfavorshme.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë të drejtë kur thonë se Serbia përgatitet për luftë. Ndryshe nuk do të kishte kuptim gjithë ajo armatosje e saj. Fuqia ushtarake e Serbisë është gati e barabartë me atë të Rumanisë. Ajo ka një buxhet ushtarak më të madh se të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrë së bashku. Ajo është armatosur vitet e fundit me teknologji moderne kryesisht nga Rusia, por edhe nga Kina. Pse shpenzon kaq shumë Serbia për armatosjen e saj?! Kush e kërcënon atë? Kosova? Bosnjë-Hercegovina? Mali I Zi? Maqedonia e Veriut? Apo Shqipëria e Edi Ramës?!

Është iluzion të mendosh se Beogradi dhe Aleksandër Vuçiç nuk mendojnë dhe nuk përgatiten për luftë! Edhe nëse këtë e beson p.sh kryeministri Rama, nuk është ajo e vërteta. Vuçiç me Ramën nuk do të diskutojë planet e luftës. Përkundrazi do t'i flasë për "paqen", "integrimin", "Open Balkans" e do t'i tregojë përrallat magjike!

Ajo që mbetet në fund është presioni, diversioni, bllokimi i proceseve, përfshirë dhe dialogun Kosovë-Serbi. Dhe të gjitha këto janë preludi i luftës. Kjo po ndodh aktualisht në teatrin ballkanik. Nëse në Ukrainë fitojnë agresorët rusë, atëherë lufta do jetë opsioni kryesor në Ballkan. Dhe do të jenë përsëri për së katërti apo të pestën herë që serbët do ta nisin këtë luftë! Atëherë cili është mëkati i liderëve të Kosovës që akuzojnë Serbinë se përgatitet për luftë kundër Kosovës?!

Edhe sikur kjo të mos ishte e vërtetë, pra që Serbia të mos rrezikonte Kosovën, shqiptarët kudo që janë nuk mund t'i sulen kryeministrit për këtë akuzë! Ndërsa në rastin kur sulmet shkojnë kundër të vërtetës, atëherë duhet të besojmë se nuk është thjesht një qëndrim opozitar. Është përtej kësaj! Kjo është e trishtueshme!

Nëse do ta fitojë Ukraina, pra Perëndimi, luftën atëherë në Beograd do të ristartojë diplomacia e "paqes" e përmes saj do të tentohet sërishmi të ndahet pasuria e Kosovës! Nëse qeveritarët e Kosovës nuk japin asgjë nga e vetja për ta "zbut" presidentin serb, atëherë ai do të detyrohet të kapitullojë! Nuk ka ku shkon nëse Rusia e humbet luftën! Do të pranojë rezultatin e 9 qershorit 1999 firmosur në Kumanovë! Unë besoj se koha punon për këtë skenar!

Ndërkaq Kurti bën mirë që adreson oreksin për luftë të presidentit të Serbisë. Kjo retorikë e tij dhe e zonjës Osmani është e dobishme për Kosovën. Sepse qeveria e Kosovës është para zbatimit të vendimit për reciprocitet me Serbinë dhe adresimi i sjelljes më forcë nga ana e Beogradit ndikon në izolimin e veprimeve destruktive të Beogradit në veri. Ndërkaq serbët e veriut pa ndihmën e Beogradit nuk do të donin të destabilizonin jetën e tyre! Mjafton ky fakt që të motivohet akuza publike e përsëritur e autoriteteve të Kosovës për rolin agresiv e luftë-nxitës të Serbisë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco