Mësymja e FBI te Trump provon nevojën për reformim të burokracisë së politizuar

Mësymja e FBI te Trump provon nevojën për reformim të burokracisë së politizuar

Nga Jonathan S. Tobin - 11/08/2022

Mësymja e paprecedent e kësaj jave e FBI-së në shtëpinë e ish-Presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago është thjesht një arsye më tepër që Republikanët duhet të luftojnë më fort për të reformuar burokracinë e fuqishme e të politizuar.

Për tre vjet, teoria konspirative e bashkëpunimit me Rusinë shërbeu si gogol për të goditur presidencën e Trumpit, por problemi nuk ishte thjesht gënjeshtrat e armiqve të tij Demokratë dhe brohoritësit në media. Gatishmëria e agjentëve të FBI-së dhe e zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur skenarin partizan demonstroi se ideja që këto agjenci kanë personel shërbyesish civilë apolitikë është vetëm një mit.

Ndonëse ishte Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland që ndoshta urdhëroi aktin e stilit republikë bananesh për të trajtuar si kriminel ish-presidentin e me shumë mundësi një kundërshtar të ardhshëm politik, ishte zelli i shërbyesve civilë për ta zbatuar atë që e bëri realitet.

Ky absurditet tregon edhe një herë rëndësinë e reformimit të shërbimit civil. Ligjet që duhej të siguronin që ata në qeveri të mos bëjnë lojëra politike në të vërtetë po mbrojnë një status quo në të cilën Demokratët mund të mbështeten te ndihma e burokratëve për të sabotuar Republikanët.

“Deep state” nuk është më një mit i krahut të djathtë. Ndërsa administratat vijnë e ikin, më tepër se dy milion njerëz që punojnë për qeverinë federale janë kryesisht objekte të palëvizshëm që nuk mund të pushohen nga puna përveçse kur ka arsye, siç tregon skandali i IRS në kohën e Obamës, dhe jo gjithmonë.

Lois Lerner dhe punonjës të tjerë të shërbimeve civile federale që shënjestruan OJF-të konservative treguan se sa fort e kanë kapur Demokratët shtetin administrativ. Dhe fakti që shumë punonjës të IRS të përfshirë mundën të ruanin vendet e punës tregon se sa e vështirë është t’i heqësh qafe njerëz të tillë. Problemi u ilustrua edhe kur një punonjës i nivelit të lartë në Agjencinë e Mbrojtjes Mjedisore arriti të ruante vendin e punës për vite pavarësisht se kishte mijëra materiale pornografike në kompjuterin e tij.

Në fundin e viteve 1800, reformatorë si i riu Theodore Roosevelt dëshironin t’i jepnin fund “sistemit të llastimit” (në të cilin partia fituese emëronte njerëzit e saj në poste) dhe ta kthenin shërbimin civil në organ apolitik. Qëllimi ishte ta nxirrte politikën dhe mundësinë për korrupsion jashtë qeverisë. Por në shekullin e 21-të sistemi ka krijuar një problem tjetër që kërcënon demokracinë.

Për dekada, shërbimi federal është bërë gjithmonë e më shumë bastion i Demokratëve liberalë. Çdo studim tregon se anëtarët e tij janë thuajse në mënyrë uniformë nga e majta. Sa për të dhënë një shembull: 95% e burokratëve federalë që dhuruan për një kandidat presidencial më 2016 dhanë për Hillary Clinton.

Kapja e burokracisë nga Demokratët bën që këta punonjës mund të pengojnë e nxjerrin jashtë shinash çdo përpjekje të konservatorëve për implementimin e politikave që ata nuk i pëlqejnë. Kjo ishte veçanërisht problematike për një president si Trump, i cili nuk donte të luante sipas rregullave tradicionale të përcaktuara nga “ekspertët” liberalë.

Presidentëve iu lejohet të bëjnë 4000 emërime politike në poste qeveritare e rreth 1200 nga këto emërime janë subjekt i konfirmim nga Senati. Por 50 mijë burokratë kanë autoritet vendimmarrës mbi çështje politikash.

Ky “deep state” mund të jetë një ndihmë e madhe për Demokratët teksa ata përpiqen të transformojnë ekonominë dhe qeverinë sipas axhendës së tyre ideologjike. Republikanët që duan të thajnë moçalin në Washington, nga ana tjetër, përballen me një shërbim civil jo të zgjedhur e që nuk jep llogari i cili vepron si një degë e katërt ekstra-kushtetuese e qeverisë me veto efektive mbi politikat e politikanëve të zgjedhur.

Prandaj një numër në rritje Republikanësh e kanë kuptuar se nëse duan të arrijnë diçka herën tjetër që do të fitojnë Shtëpinë e Bardhë, ata duhet të reformojnë shërbimin civil. Një plan i quajtur “Schedule F” i nxjerrë gjatë ditëve të fundit të presidencës së Trumpit – dhe sërish një temë diskutimesh – propozonte ndryshimin e statusit të atyre 50 mijë burokratëve vendimmarrës nga shërbyes civilë të paprekshëm në punonjës që shërbenin sipas vullnetit të presidentit.

Liberalët e dënojnë këtë si një hap drejt një regjimi autoritar trumpist, por në të vërtetë është e kundërta. Ka ardhur e ikur koha për t’i hequr fuqinë kësaj kaste burokratësh partizanë Demokratë dhe për zëvendësimin e tyre, nëse do të jetë nevoja, me njerëz të aprovuar nga dikush që e merr pushtetin nga vullneti demokratik i votës.

Korrupsioni më i keq është aftësia e atyre me punësim të përjetshëm dhe pa mandat ligjor për të penguar verdiktet e demokracisë, siç u përpoqën të bënin pas 2016 apo, siç e pamë në Mar-a-Lago, për të vepruar si bashkëpunëtorë të politizimit të drejtësisë. Kushdo që të jetë kandidati Republikan më 2024, duhet ta ketë parësor këtë plan dhe ta thajë vërtet kënetën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco