Tragjedia e Himarës, skafi me flamur të Rilindjes

Tragjedia e Himarës, skafi me flamur të Rilindjes

Nga Armand Shkullaku - 03/08/2022

Në tragjedi të përmasave të tilla si ajo e së martës në Himarë, ku faktet dhe përgjegjësitë janë të qarta, ndonjëherë të duket e tepërt t’i përsëritësh ato. Në vorbullën shpërthyese të revoltës, patetizmit e protagonizmit masiv, kujdesi për të mos e kaluar masën në raste fatkeqësish bëhet edhe më i madh. E nëse për qytetarët ky sens mase tronditet pas ngjarjevetë tilla, për qeverinë, përgjegjëse për sigurinë e tyre, ai duhet të respektohet me përulësi dhe përgjegjësi.

Por çfarë ndodhi 24 orë pas ngjarjes tragjike në Potam të Himarës? I kapur në një krim, që nuk fillon e as mbaron tek skafi i policit të Rilindjes, kryeministri Rama, me një pandjeshmëri emblematike, nisi refrenin e tij të shpifur të akuzave ndaj opozitës dhe medias. Me një fjalor që të shkaton trazira në stomak, figura e Rilindjes, zbriti vetë nga skafi i krimit dhe ngjiti aty Berishën, Metën, gazetarët, qytetarët… Ata kanë faj që në 10 vite të qeverisjes së tij, çdo sezon turistik përsëriten tragjedi që në një vend normal janë të paimagjinueshme.

Pas figurës së Rilindjes, kolonia e veglave mediatike filloi fushatën e relativizimit të krimit. Ngjarje të tilla ndodhin kudo, në det është e vështirë të ruash sigurinë, në kohën e Berishës janë vrarë njerëz, Ilir Meta ka qënë spiun, etj, etj. Paralelisht me relativizimin, u ndez edhe makineria zyrtare e propagandës. Ministra që hidhen në aksion, lajme e kronika për 130 gomone e jetski të sekuestruara brenda ditës, shkarkimi i drejtuesve të policisë në Vlorë dhe kulmi u shënua me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, që në stilin veliaj-balluku doli të bëjë deklaratë me molin e Himarës në sfond, ku dalloheshin uniformat e policisë medemek në punë, dhe i kthyer nga drita e diellit për të patur një imazh sa më të arrirë për kamerat.

Dhe në këtë mjedis të helmuar, shfaqet figura e Rilindjes që pa pikë droje dhe turpi shpalos qëndrimin e tij plot me gënjeshtra. Sezoni më i qetë dhe më i sigurtë turistik deri në ngjarjen e djeshme, thotë kryeministri pa u skuqur, kur dy javë më parë vetëm fati e shpëtoi një çift që u fluturoi gomonia mbi kokë në bregun e Jalës. Pa përmendur dhjetra incidente të tjera e  humbje jete, pikërisht për shkak të mungesës së sigurisë. E sikur të mos mjaftonin gënjeshtrat e drejtpërdrejta, kryeministri gjen rastin që tragjedinë e një familje ta përdorë në mënyrë neveritëse për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të bërë propagandën qorre të “Shqipërisë kampione rajonale të turizmit”.

Rasti i Himarës bind edhe më shumë se tashmë Edi Rama është i dënuar ta mbyllë jetën e tij politike mes gënjeshtrës, propagandës dhe pamundësisë për të bërë diçka të mirë për ktë vend. Ai ngjiti në skaf Berishën dhe Metën sepse nuk mund të pranonte që autori i tragjedisë është një prodhim tipik i regjimit të tij. Një zyrtar i shtetit, që paguhet me taksat e shqiptarëve për t’i shërbyer Rilindjes. Ai është pasqyra e një regjimi ku dhe ministri i Brendshëm kishte licensë për skaf dhe për bashkëpunim me trafikantë droge, ku bandidët dhe shefat e policisë hanë e pinë bashkë dhe ndajnë plaçkën e zgjedhjeve, ku oficerë me uniformë përfshihen në skandale zgjedhore dhe u premtohet ngritje në detyrë, ku kriminelët kontrollojnë qytete,  marrin tendera e vënë nën urdhëra policinë sepse i shërbejnë figurës së Rilindjes ditën e zgjedhjeve.

Kryeministri do të vazhdojë të na tregojë përrallën e Shqipërisë kampione në turizëm dhe vampirëve politikë e mediatikë që po e sulmojnë atë, por ngjarja e Himarës është realiteti i degradimit të një shteti. Mjafton të pyesësh banorët atje për të kuptuar se kush janë kampionët që kanë marrë licensë për të betonizuar jugun, kush i ka hotelet, restorantet luksoze, skafet e gomonet pa leje. Madje edhe kush i ndan e kush i merr hapësirat për plazhe private. Të gjitha lidhjet, politike apo kriminale, të çojnë te organizata e Rilindjes.

I vetëdijshëm për këto, kryeministri nuk mund të sillej me përulësi e ndjenjë përgjegjësie pas tragjedisë së të martës në Himarë. Ajo është pasojë e një sistemi të çthurrur që motivohet vetëm nga etja për të fituar dhe që ka arkitekt vetë Edi Ramën. Prandaj gjithnjë e më shumë kryeministri do ta lëshojë gjuhën e mëndjen me shpresën se një ditë do të na bindë të gjithëve të shohim atë që do ai dhe jo atë që kemi përpara syve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tiranassio09/08/2022 15:04

Fisnikja Familje Avdia,po tregon cdo dite Durim e Gjakftohtsi,mbi te gjitha Dhimbje te pasherueshme,por vampiret e pushtetit pangopesi e pafytyresi .
Zoti i ndeshkofte mostrat vrastare,pasi drejtesia ka ngordhur.

Tiranassio09/08/2022 15:03

Fisnikja Familje Avdia,po tregon cdo dite Durim e Gjakftohtsi,mbi te gjitha Dhimbje te pasherueshme,por vampiret e pushtetit pangopesi e pafytyresi .
Zoti i ndeshkofte mostrat vrastare,pasi drejtesia ka ngordhur.

alienet04/08/2022 22:46

SIPAS SHKULLAKUT CFARE EMRI KA GERDECI, 21 JANARI, 97-TA ETJ JE I MJERE SHKULLAK AKSIDENTET JANE AKSIDENTE.

alienet04/08/2022 22:44

TI SHKULLAK E KE HUMBUR FARE PO PER RROGEN TI JE NE GJENDJE TI A MARRESH NE GOJE SALIUT E NDO NJE TJETRE JE SHUME I MJERE. TI SI GAZETAR TE PERDORESH NJE AKSIDENT QE NESER MUND TE JESH TI NE ATO RETHANA DHE TA PERDORESH PER POLITIKE TI E DI. PO SI NUK DOLI NJE SHQIPTARE QE I KA NDODHUR FATKEQESIA DHE TE MARRE ARMEN DHE TJU GODASE TE GJITHEVE DUKE FILLUAR NGA BERISHA STRUMBULLARI I DEMOKRACI DHE DUKE NDALUAR TE LLOJI JOT I GAZETARISE NA E KENI SHPIFE JETEN O TE MJERE.

krasasi tp04/08/2022 13:54

Ngushëllime familjes Avdia. Njeri skaj i zinxhirit komandues fillon me 'vendorët' e Himarës
dhe me 'vendorët' në plazhe të tjerë dhe vazhdon me hallkat e zinxhirit të lidhura njera pas tjetrës e që përfshijnë Policinë e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes ,Ministrinë e Turizmit etj. Qeveria nuk ka çfarë të bëj. Shumë hallka që mbajnë në këmbë ngrehinën e Shtetit janë këputur, ose rrezikojnë të këputen .Kryeministri vëzhgon shthurjen. Skafe,motorra uji,gomone e gjithfarë mjete motorrike ujore bashkë vozisin me qytetarët. Ky 'pejsazh' për pasojat dramatike që solli dhe ka sjellë edhe më parë,{ rasti i Jalës } rasti me turistin Rus, me qindra raste të tjera mund të evidentoj çdo qytetar që ka shkuar në plazh. Kudo e njëjta situat. Po ligji çfarë thotë?. Ligji miratohet për tu zbatuar. Administratorët e pushtetit duhet ti kishin sikterisur me kohë nga institucionet publike dhe shtetërore horrat, kriminelët dhe të korruptuarët. Por përgjithësisht administratorët e pushtetit , kanë të njëjtën fytyrë me 'ushtarët në bazë'.Nëse një qytetar kalon me not në zonën ku ligji i lejon të vozisin mjetet motorike, prap drejtusi i mjetit mund të justifikohet dhe vrasja mund të cilësohet vrasje nga pakujdesia varësisht nga rasti. Se një gomone mund të jetë mbytur dhe disa njerëz me not përpiqen të dalin në breg, apo të ndihmohen nga mjeti motorik e jo të shtipet.. Ju bë shefit skafist, testi i alkolit dhe testi për përdorimin e substancave narkotike?. Ministrat e zinxhirit komandues, duhet ti kishin paraqitur Kryeministrit dorëheqjen.

Shto koment

Denonco