Dy Klodianët nuk kanë mashtruar Ramën, ata kanë vjedhur për llogari të tij

Dy Klodianët nuk kanë mashtruar Ramën, ata kanë vjedhur për llogari të tij

Nga Andi Bushati - 06/07/2022

Rihapja e radhës së skandalit të inceneratorëve, po bind përditë e më shumë se ajo është një skemë e ndërtuar nga lart, ku në shërbim të grabitjes janë vënë të gjitha shkallët e hierarkisë shtetërore.

Pensionistët, njerëzit e varfër dhe të pambrojtur, në emër të të cilëve janë regjistruar kompani fiktive, në mënyrë që treshja Zoto, Mërtiri, Gugallja, të justifikonin punimet e pakryera për të cilat janë paguar me para publike dhe për të shmangur detyrimet doganore, nuk është vetëm dhe thjeshtë një histori banale mashtrimi.

Ato nuk mund të përjetohen si rrëfime personale të një të moshuare që u gdhi milionere duke qenë në azilin e pleqve, apo të një çifti pensionistësh pa shtëpi që firmoste fatura të mëdha financiare.

Historitë e tyre, janë shumë më të rënda. Sepse ato tregojnë se një shtet i tërë ka preferuar të mbylli sytë dhe ka zgjedhur të mosveprojë me urdhër nga lart.

Ndryshe, drejtorisë së tatimeve nuk mund ti shpëtonte pa hetuar anomalia e një ndërmarrjeje që blen ananas për të prodhuar beton, apo asfalt. Tatimorët do duhej të kishin ndezur sinjalin e alarmit, nëse lëvizja e shumave të mëdha në fatura, nuk përputhej me qarkullimin e parave përmes sistemit bankar.

Po të ndjekësh këmba këmbës funksionimin e kësaj skeme e ke të lehtë të kuptosh se një dorë nga lart ka krijuar të gjitha kushtet që vjedhja e madhe të kryhej e pa shqetësuar dhe pa kontroll. Ndryshe, nuk ka se si, askush mos e vërente, që kompani të hetuara dhe të dënuara më parë, vazhdonin të kryenin shërbime për inceneratorët, pa pyetur njeri se çfarë po ndodhte.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet se drejtoria e koncesioneve nuk vuri asnjëherë ujin në zjarr për të verifikuar nëse betoni i prodhuar nga bananet, i cili ishte paguar me para publike, ishte hedhur apo jo për punimet në të cilat pretendohej në fatura. Ndryshe, nuk ka si justifikohet që krimi ekonomik i mbyllte hetimet menjëherë sapo i kishte hapur, kur dilte se gjurmët e tyre të çonin drejt inceneratorëve. 

Pra historia e skandalit të fundit nuk është ajo e dy tre pensionistëve që u kanë rrëmbyer identitetin, por ajo e 2-3 milionë shqiptarëve që i ka vjedhur qeveria. 

Në fillim, kur skandali i inceneratorëve shpërtheu politikisht dhe mediatikisht Edi Rama e shpërfilli dhe e injoroi atë. Ai i vuri gjoksin në debatet mediatike, e shpuri ta përlyente gjithë PS-në një mbledhje në barkun e inceneratorit të Elbasanit dhe prodhoi një sëre reklamash për të thënë se sa ishin pastruar falë këtij investimi qytetet tona.

Kur dolën dokumentet e pakundërshtueshme që shpunë pas hekurave ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ai ndryshoi qëndrim. Ai pranoi se ndoshta ka korrupsion, duke shtuar se nëse ky krim është kryer, kjo ka ndodhur pas shpinës së tij.

Me daljen e fakteve të reja edhe kjo alibi e dytë po zhbëhet, as dy Klodianët, Mërtiri dhe Zoto, as vetëm një ministër si Lefteri dhe një burokrat si Alqi, nuk e kishin mundësinë të korruptonin gjithë sistemin për ti hapur rrugë një vjedhjeje që në fund të tunelit do të kushtojë plot 430 milionë euro.

Fakti se të gjitha hallkat në administratë, që nga ata që kanë firmosur në ministrinë e mjedisit, që nga Erion Veliaj që ka nënshkruar mbi angazhime të jashtë ligjshme, që nga krerët e tatimeve që kanë mbyllur sytë, që nga drejtoria e koncesioneve që nuk ka kontrolluar mashtrimin, e deri tek heronjtë e tredhur të fëmijëve tanë, prokurorët e SPAK që po zvarrisin hetimet, janë dëshmi të skeme që është ideuar dhe është drejtuar nga maja e piramidës.

Pra, nuk është ashtu sikurse thuhet se dy biznesmenë mashtrues kanë korruptuar ndonjë ministër, për të vjedhur. Jo ka qenë vetë shefi i qeverisë që i ka përdorur ata të gjithë për të siguruar shuma marramendëse parash të paligjshme.

Ende askush sot nuk mund të vërë bast se përse janë përdorur këto miliona; për të blerë heshtjen e mediave, ashtu siç tashmë është vërtetuar, për të korruptuar një pjesë të opozitës dhe për të shndërruar zgjedhjet në farsë, ashtu sikurse pretendon LSI, që ka bërë denoncimin e fundit, për të paguar lobistët ndërkombëtarë të Ramës që kërkojnë shuma faraonike për të shitur ashtu siç nuk është kryeministrin e një vendi mikroskopik, apo thjeshtë për tu ndarë në xhepat e disa personave.

Por ama një gjë është e sigurtë. Sa më shumë fakte të kësaj historie të trishtë dalin në publik, aq më e lehtë është të bindesh se këtu nuk kemi të bëjmë me historinë e rëndomtë të një grushti njerëzish që tentojnë t’ia hedhin shtetit.

Këtu është fjala për një krim të mirëfilltë shtetëror, ku për të përvetësuar paratë e dala nga buxheti, janë përdorur si kukulla dy Klodianët apo ndonjë ministër. Ata mund të kenë bërë secili ndonjë lek, por përfituesi i vetëm është ai që ka luajtur me të tërë ata. 

/Lapsi.al

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp06/07/2022 22:19

Afera e Incerenatorëve nuk është Ajsbergu siç po mundoheni të na i paraqisni.As pika e fundit që e mbushi gotën.Ajo duhet parë mendoj unë edhe nga një këndvështrim tjetër. Po sikur me një tender të hapur ndërkombëtar, trajtimin e plerave ta merte një kompani që ka edhe paisjet e fjalës së fundit, që gjithçka do ta kryente me kosto më të ulët ,që zbaton edhe direktivat e BE për trajtimin e mbetjeve?. Nënkontraktorët shqiptar nuk do kishin nevojë ta lyenin qerren e pushtetarëve. Po sikur kjo praktikë e futjes së kapitalit të huaj të aplikohej në të gjitha fushat?.Kur ishim të rinj me raste festash jubilare,për ta shprehur gjithë dufin tonë patriotik i cili ishte për hirë të së vërtetës, në koherencë me atë të delegumëve por besoj sot edhe me 90% e pjesëmarrsve në festë, këndonim:"
Eshtë e jona Shqipëria,
nuk lëshojmë asnjë pëllëmbë,
o do ta gëzojmë vetë
o do shuhemi të tërë". Tridhjet vjetë më parë, elita politike e kohës, nuk shikonin prirjet e zhvillimit botëror,integrimin dhe globalizmin. As analizonin se ishin futur me hirë apo me pahir në një rend të ri, Kapitalizëm. I cili kishte ligjësitë e veta ,të cilat duhet ti merje parasysh, ndryshe e ktheje atë në surrogato. Tridhjet vjetë më pas, grupet polifonike i thurin këngë Erdoganit. Një javë më parë i thurin këngë Kryeministrit te hyrja e tunelit dhe nesër më datë 07.07.1997 populli thirret në revolucion nga "Fronti i Shpëtimit Kombëtar". Populli sipas meje duhej të thirrej në protestë për javashllëkun,ngurrimin dhe mosveprimin e SPAK. O Amerikë, o BE, klasa politike pushtetare në 30 vjetë retorikën e kanë patur antikomuniste. Mentalitetin qeverisës komunistë ,me fytyrë nga lindja dhe me dy gjymtyrë të tendosur për të qëndruar në këmbë në pushtet dhe me dy gjymtyrët e tjerë të vidhnin, të abuzonin, por sigurishtë që edhe të punonin.Pandëshkushmëria ishte e instaluar dhe pothuajse e miratuar. Shumë vonë e kuptuan edhe në Uashington edhe në Brksel se çfarë po luhej.Më mirë vonë se kurrë. Don Kishoti vdiq, gomarin e Sanços e hëngri ujku, na lypset integrimi në BE dhe parat e zhvatura.

Mona06/07/2022 17:52

A e dini se nqse nuk do qeveria këtu nuk lëviz gjethja e pemës.Hajdutët të mos bëjnë burg por të dorëzojnë paratë.Këtij populli i duhen paratë sa më shpejt të jetë e mundur.Po kontrolli i shtetit çfarë kontrollon apo fle gjumë.Po drejtorinë e tatimeve kryetari kontrollit të shtetit nuk ka fuqi t'a kontrollojë.Çfarë pune bën kontrolli i lartë dredh zinxhirët?

Shto koment

Denonco