Dy dialogë para protestës së 7 korrikut dhe pensionisti milioner

Dy dialogë para protestës së 7 korrikut dhe pensionisti milioner

Nga Avni Nezaj - 05/07/2022

Vapa ka pllakosur bindshëm në kryeqytet, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ujin e pijshëm të gjithë e blejmë, edhe pse jemi mashtruar çdo vit nga bashkia e Veliajt dhe qeveria e Ramës. Tani presim në radhë si dikur te krojet e fshatit që të vijnë autobotet me ujë e të mbushim bidonët, ose nëpër dyqanet me butona ku fut lekët e merr ujin. 

Dialogu i parë

Sa ujë harxhon? E nis muhabetin me komshiun e tij pensionisti.

Po ja për të pirë ia dalim disi me 5 litra në ditë, jemi tre veta. Na duhen edhe 5 litra për gatim. 10 litra. Për të pirë e marrim të paketuar 1200 leke bidoni. Për të gatuar presim këtu në radhë me 30 lekë 5 litra.

Po ju?

Ne as 20 litra nuk na dalin për të pirë. Jemi 8 veta në familje. Edhe 20 për të gatuar. Gjithë pensioni im shkon veç për të blerë ujë. 480 lekë për të pirë e 120 lekë për gatim, i thonë 600 lekë. Shumëzoi për 30 ditë i bie pak me shume se 18 mijë lekë. Sa pensioni. Ikën për ujë, në ujë.

Në protestë do dalësh me 7 korrik, i tha ai që e nisi bisedën. 

S’e di në fakt, se na thanë se sivjet edhe mund të kemi ujë.

Do vazhdosh të blesh mashtrimet akoma. Pensionisti tjetër nuk foli. Patronazhistët janë vënë në aksion.

Dialogu i dytë

Isha rrugës tek po kthehesha për në shtëpi, po ecja në këmbë. Vapë e madhe ishte. Para meje dëgjoj një dialog serioz në mes një çifti të moshuarish.

Të thashë se për sot kemi 400 lekë për të harxhuar. Kafet 120 se i kishin rritur. I merrnin me 100 lekë dy copë. Tani me 280 lekët e mbetura do të gatuajmë drekën dhe darkën.

Një bukë na shkon 100 lekë, është rritur prapë. Na ngelën 180 lekë të sajojmë diçka. 

Gruaja e moshuar ecte me vështirësi, ndoshta mosha ose këpucët, por po e dëgjonte me vëmendje burrin e saj. 

Po marrim një domate, një spec, një patëllxhan e një kungull. Bëjmë një turli perimesh. Do jetë mirë. 

Në rregull, tha burri. Po në darkë?

Përshesh me kos, tha gruaja qetësisht.

Këta s’kanë moshë për protestë, thashë unë e vijova rrugën në mes të vapës se makina është e mbyllur në parking. Çmimi i naftës ka shkuar në hava nuk preket.

Në vijim të këtyre dy dialogëve të pensionistëve në lagjen time unë besoj se si këta ka aq shumë sa nuk mund të numërohen. Se jo të gjithë kanë fatin që të jenë kushërinj të qeveritarëve që të marrin para nga inceneratoret e të bëhen milionerë.

Nuk e di sa sa thellësi mendimi duhet të kesh që ta kuptosh se skandali i inceneratorëve, një pasqyrim i pastër i qeverisjes së Ramës, është vjedhja me spektakolare e parave publike që dëgjohet në këto nahije. Të bën milioner edhe 90 vjeç.

Pensionistët e tjerë boll e kanë supën me perime. 

Prandaj 7 korriku është larg.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco