Çfarë na tregon riorganizimi i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë

Çfarë na tregon riorganizimi i ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë

Nga Mark Galeotti - 29/06/2022

Kur Gjenerali Aleksander Dvornikov u bë komandant i përgjithshëm i forcave ruse në prill, u duk sikur amatorizmi dhe jokoordinimi i fazave të hershme të luftës në Ukrainë mund të ishin zgjidhur. Tani, megjithatë, Dvornikov nuk është rrotull dhe një komandant i ri mund të formojë një fazë të re të egër operacionesh.

Ditët e fundit, Ministri i Mbrojtjes i Rusisë bëri të ditur se Gjeneral Kolonel Aleksander Lapin ishte në krye të Grupit Qendror të Forcave në Ukrainë, ndërsa Gjeneral Sergei Surovikin do të drejtonte Grupin Jugor të Forcave gjatë invazionit. Dvornikov, i cili nuk është parë prej javësh, nuk u përmend fare, dhe Ministria e Mbrojtjes e Britanisë supozon se ai është hequr nga posti.

Lapin ka qenë komandant i Distriktit Ushtarak Qendror që më 2017 dhe konsiderohet si dorë e sigurt. Ardhja e Surovikinit, megjithatë, ishte befasuese, duke qenë se ai ka drejtuar më parë VKS, forcat e kombinuara ajrore dhe të mbrojtjes ajrore të Rusisë. Deri më 2017, Surovikin shërbente në Forcat Tokësore, ka marrë pjesë në luftën sovjetike në Afganistan, në ndërhyrjen ushtarake ruse në luftën civile në Taxhikistan, më pas në Luftën e Dytë Çeçene, ku edhe u plagos në aksion. Ai gëzon reputacionin e një njeriu jashtëzakonisht të ashpër: më 2004, një nga vartësit e tij vrau veten në zyrën e Surovikinit pasi ishte kritikuar ashpër.

Surovikin ka të kaluar të trazuar. Kaloi shtatë muaj në qeli pas puçit të linjës së ashpër kundër Mihail Gorbaçovit, teksa tre protestues vdiqën teksa Surovikin çau me forcë rrugën midis tyre. Pastaj, më 1995, u dënua për vjedhjen dhe shitjen e një arme shërbimi, ndonëse më vonë akuza u rrëzua.

Sidoqoftë, ai është ndër oficerët më të zotë të brezit të tij, me reputacion si zgjidhës i problemeve. Ai kaloi një tur midis 2008-2010 në krye të Drejtorisë Kryesore të Operacioneve, departamenti kryesor i planifikimit dhe koordinimit në Shtabin e Përgjithshëm, që shpesh është shenja dalluese për kandidatin kryesor për postin më të lartë. Më pas, në 2012, Surovikin u ngarkua me krijimin e Policisë Ushtarake, shërbim që nuk ekzistonte deri atëherë në Rusi.

Më 2017, u vu në krye të Grupit të Forcave në Siri, për të cilën mori medaljen Hero i Rusisë, dhe pas kthimit në Rusi u bë komandant i VKS. Kjo ishte një zgjedhje shumë e pazakontë, por pasqyronte dëshirën për të parë forcat tokësore dhe ajrore të koordinuara më mirë.

Turi i dytë në krye të forcave në Siri më 2019 e bëri njeriun për t’u mbajtur nën vëzhgim, ndoshta edhe si Shefi i ardhshëm i Shtabit të Përgjithshëm.

Shefi aktual, Gjeneral Valerij Gerasimov, është shefi më jetëgjatë në Shtabin e Përgjithshëm në periudhën post-sovjetike dhe deri në momentin e invazionit kishte sinjale se pensioni ishte pranë. Tani Putin duket se i druhet efektit destabilizues të ndryshimit të gjërave në majë të sistemit, por është pa dyshim i gatshëm për një riorganizim të gjeneralëve të tij. Gjeneral Kolonel Andrei Serdjukov, kreu i trupave ajrore, duket se është zëvendësuar nga Gjeneral Mihail Teplinsk, ish-shefi i shtabit të Lapinit, për shembull.

Kjo nuk është valë spastrimesh, as shenjë mosfunksionimi apo dëshpërimi, por më tepër një përpjekje për të identifikuar cilët oficerë i përshtaten më mirë luftës befasisht të ashpër në të cilën Rusia është përzier në Ukrainë.

Si rezultat, ndërsa strategjia e përgjithshme nuk do të ndryshojë, taktikat mund të ndryshojnë. Me shumë gjasa Surovikin do të rivërë theksin te fuqia ajrore, por edhe mund të jetë i gatshëm ta rrisë dorën për të ruajtur avancimin aktual të Rusisë. Mbi të gjitha, 55-vjeçari është ndoshta pasuesi më i mundshëm i Gerasimovit. Ai ka më tepër për të provuar e më tepër për të humbur, si dhe histori pamëshire edhe për standardet e kolegëve të tij.

Ndaj ai do të dojë të marrë maksimumin nga fushata në Ukrainë, bazuar në përvojën e ashpër personale në Çeçeni e Siri. Vera mund të nxehet edhe më tepër në Donbas.

*Profesor Mark Galeotti është autor i 24 librave për Rusinë. I fundit është ‘Një histori e shkurtër e Rusisë’ (2021).

Marrë nga Spectator.co.uk-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco