‘Amnistia fiskale’, iniciativë elektorale e PS, e njëjtë me OFL

‘Amnistia fiskale’, iniciativë elektorale e PS, e njëjtë me OFL

Nga Avni Nezaj - 28/06/2022

Propozimi për një ligj nga qeveria shqiptare, që do të amnistonte dhe regjistronte paratë e fituara me djersë dhe pa djersë, me trafik droge apo prostitucioni, me vjedhje apo pa vjedhje, ngre realisht disa pikëpyetje, të cilat kanë nevojë për përgjigje imediate.

Ndërkohë që kërkojmë të afrohemi me BE, a do të ndikojë një proces i tillë ligjor në largimin edhe më shumë të mundësisë integruese të Shqipërisë? Pasi shtetet e BE nuk legalizojnë para hashashi, vjedhje, droge apo prostitucioni.

Pse një ligj i tillë po bëhet tani dhe iniciator i tij është “tërmeti” i fushatave elektorale të Rilindjes ose mjeshtri i manipulimeve zgjedhore, Damian Gjiknuri? Kjo ngre një pikëpyetje të madhe nëse një iniciativë e tillë do të përdoret nga Rilindja për të financuar fushatën elektorale që po afron apo për të përdorur “pronarët” e këtyre parave që të ndikojnë në vota për të shtuar ato për Rilindjen.

Ngjashmëria që ka ky lloj operacioni me atë që u inskenua pak vite me parë si OFL, është e pastër. Dyshimet e para që OFL po përdorej si presion për financime dhe për ndikim në elektorat, nga ata që ishin shenjestruar, u vërtetua menjëherë pas zgjedhjeve kur operacioni u shua bashkë me Ardi Veliun.

Pra, kjo nismë, që ngjan si dy pika uji me OFL, është e qartë që do të shërbejë si një kasafortë sigurie për para për Rilindjen dhe si një mjet presioni për vota nga familjarët, kolegët, të afërmit apo të punësuarit e atyre që kanë deri në 2 milionë Euro të padeklaruara.

Të gjithë jemi dëshmitarë se si u përdor policia si një kamxhik për presion ndaj qindra burrave dhe grave në të gjithë Shqipërinë në prag të fushatës zgjedhore, ku me dhjetëra policë me veshje të firmës OFL e me syze të errëta, u rrethonin shtëpitë dhe pronat.

Kjo do të ndodhë sërish, por kësaj here duke u ofruar të njëjtëve që u sulmuan nga OFL derën e bankës që të regjistrojnë pasurinë e tyre. Veçse kësaj here shtohen edhe paratë e korrupsionit që nuk u sulmuan nga OFL, por që do të legalizohen nga amnistia e Rilindjes. Kështu mesazhi është i qartë. Dje me OFL se ka shitur drogë, sot me amnisti fiskale edhe pse ke shitur drogë edhe pse ke vjedhur paratë publike. Burimi nuk tregohet. Prit kur të shtohen kërkesat për pasaporta shqiptare edhe nga trafikantë të tjerë ndërkombëtare me kombësi të ndryshme.

Pas kapjes se vendit të shtatë në botë për kultivim kanabisi, tani na mbetet të afrohemi në krye të klasifikimit të zi edhe për zonën e pastrimit të parave të krimit, korrupsionit dhe drogës... E sigurt që do ia arrijmë, me Rilindjen kapim çdo rekord të zi. Prandaj 7 korriku është i vonuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco