Levën e shantazhit ndaj BE e ka Serbia, Shqipëria po e lejon me sportivitet

Levën e shantazhit ndaj BE e ka Serbia, Shqipëria po e lejon me sportivitet

Nga Sonila Meço - 22/06/2022

Dhe risku më i madh i refuzimit en bloc të pjesmarrjes në samitin e BE-së të Shqipërisë krah Serbisë e Maqedonisë së Veriut është dëmi individual shpërpjestimor i shteteve në fjalë.

Raporti gjeopolitik dhe historik i Serbisë me unionin në terma integrimi ka qenë shumë më i favorizuar pavarësisht se Serbia nisi luftra në Ballkan, shkaktoi genocid, nuk njohu Kosovë e nuk kërkoi falje për krimet e luftës.

Çelja e negociatave me Serbinë ka ndodhur në 2014-ën dhe arsyet e ritmeve të ngadalta të avancimit janë lidhur të paktën formalisht me normalizimin e marëdhënieve me Kosovën. E megjithatë synimet e Serbisë kanë qenë të qarta, dominimi në rajon për një botë srpska, izolimi i Kosovës dhe bjerrja e çdo nisme për avancimin e njohjeve dhe integrimit të saj në strukturat ndërkombëtare. Dhe materializimi i këtij synimi për Serbinë është edhe Ballkani i Hapur.

Nismë që po imponohet tek ndërkombëtarët me shumë zell nga Serbia me ndihmën e Shqipërisë, duke krijuar idenë se avancimi me njohjet e Kosovës ka më shumë kosto se mbajtja e atij shteti. Sepse Serbia në çdo kohë ka edhe partnerë të tjerë të fuqishëm ekonomiko-politik si Rusinë dhe Kinën.

Po ndërsa Serbia po ndjek me përpikmëri planet e saj sipas interesave të veta, çfarë plani po ndjek Shqipëria në proces?

Serbia ka plan A, B, C dhe sërish nuk i ndahet A-së, dominimit në rajon dhe minimit të Kosovës deri në konsiderimin e saj “barrë” për integrimin e Ballkanit. Ndërsa Shqipëria nuk ka as plan A të vetin dhe vrapon me ngut drejt atij B, C të Serbisë.

BE ka kusuret e veta, si çdo aleat strategjik i rajonit që nuk mundi të avancojë proceset demokratizuese e europianizuese të tij, ama me bojkotin e samitit të BE-së en bloc, levën e shantazhit ndaj Unionit e ka Serbia. Që dëshmon se dominimin në rajon e ka të sigurt dhe se një Kosovë gjithnjë e më e izoluar e bën të padobishëm si shtet për stabilitetin në rajon.

Dhe kjo është leva e shantazhit që Shqipëria po ia le me shumë “sportivitet” Serbisë në raport me ndërkombëtarët. Duke e favorizuar atë në çdo rast e duke na defaktorizuar ne në çdo rast.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku22/06/2022 12:20

Sot Shqipëria qeveriset nga antishqiptari më i madh i historisë së saj. Të shohim se çfarë nofke do ti sajojë tani Spiropalla mbasi “Skënderbeu” na u bë Nerbegoviç.

Shto koment

Denonco