Perandori i madh dhe piratja e vogël rilindëse

Perandori i madh dhe piratja e vogël rilindëse

Nga Klodian Tomorri - 25/05/2022

Teksa dëgjoja ministrin e Drejtësisë, që denonconte një drejtoreshë të Rilindjes se kishte vjedhur paratë e kompensimit të pronave, më erdhi në mend një rrëfenjë nga mitologjia e jashtëzakonshme greke. Është historia e Aleksandërit të madh me një pirat.

Diomedi, kështu quhej pirati, herë pas herë plaçkiste anijet tregtare në ujërat e Perandorisë dhe ishte bërë shqetësim jo i vogël. Derisa një ditë, më në fund, ushtarët e kapën dhe e sollën para Perandorit për gjykim. Por teksa të gjithë prisnin dënimin e piratit me vdekje, Aleksandri vendosi që më parë ta pyesë atë.

-Ku e gjen të drejtën ti të lundrosh në ujërat e mia dhe të marrësh më forcë gjëra që nuk të përkasin? - pyeti Perandori duke vështruar piratin e lidhur para tij.

-Po ti o Perandor, ku e gjen të drejtën të udhëtosh në toka të huaja dhe të marrësh me forcë gjëra që nuk të përkasin? Me ç’të drejtë i pushtove tokat e Egjiptit? Cili autoritet të bëri ty mbret të Persisë? - u përgjigj Diomedi.

-’Unë jam Perandori, autoriteti im është hyjnor’- foli prerë Aleksandri i zënë ngushtë nga zgjuarësia e piratit.

-’O Perandori im. Në thelb në të dy jemi njësoj. Ndryshimi i vetëm është se unë plaçkis me këtë anijen time të vogël dhe më quajnë pirat, ndërsa ti plaçkit me ushtrinë dhe flotën tënde të madhe dhe të quajnë Perandor’- replikoi Diomedi duke e lënë të habitur Aleksandrin e Madh me mençurinë e tij. 

Edhe pse kjo histori është rrëfyer mijëra vite me parë parimet e grabitjes mbeten të njëjta si atëherë. Drejtoresha që denoncoi ministri i drejtësisë një ditë më parë, ndoshta mund të mos jetë aq e mençur sa Diomedi. Por njësoj si ai, ajo është një pirate e vogël që bashkë me çetën e saj të vartësve rilindës plaçkisnin ndonjë copë të vogël në Perandorinë e Madhe. Por kjo gjë e bezdisi Perandorinë, e cila i lëshoi Ulsiun për t’i treguar vendin. Me pak fjalë, Perandoria e sistemoi drejtoreshën. Por ka një problem. Me Perandorin si do ja bëjmë?

Pak ditë më parë, ushtria e Perandorit pushtoi 635 mijë metër katrorë bregdet në Plazhin e Gjeneralit. Ua mori qytetarëve për t’ia falur një agai sipas vullnetit hyjnor të Perandorit. Agai quhet Shpëtim Shijaku dhe deri tani ka marrë të paktën 1 milionë metra katrorë tokë shtetërore falas. Të gjithë plazhin e Gjeneralit dhe të gjithë vendkomandën e ushtrisë në Sauk, nga lapidari që është sipër në kodër e deri poshtë në liqen. Falas. Ah kjo e Saukut nuk është tamam falas. Për këtë u pagua 1 euro në Ministrinë e Financave. 

E megjithatë ky i Plazhit të Gjeneralit është vetëm një rast. Hordhia e madhe e Perandorit po pushton çdo metër katror të bregdetit. Dhërmiu, Palasa, Himara dhe Butrinti tashmë kanë nga një aga. Copa më e fundit është Plazhi i Pasqyrave në Sarandë, një nga perlat më të bukura të Mesdheut. Edhe kjo po merret falas. Nga e njëjta dorë, me po të njëjtën skemë. Sepse ky është vullneti i Atij.

Pra, siç tha dhe Diomedi mijëra vite më parë, në thelb kjo është e njëjta gjë. Thjesht drejtoresha plaçkiste me çetën e saj të vogël paratë e kompensimit të pronarëve dhe ministri i Drejtësisë e shpalli hajdute. Ndërsa Perandorin, që copëton bregdetin me një ligj pervers, Ulsiu e quan shef. Madje sipas rastit edhe Zeus. Ose Skënderbe.

/MCNTV

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Nuk ka rendesi26/05/2022 16:34

Dini gje, Avni Rustemi ka lene ndonje nip ?
Ai do bente pune.

Gj25/05/2022 16:09

Një stomak ka, si po i nxë kaq shumë?!!!

Kasemi25/05/2022 14:21

Mire e ke o Tomorr, por a na thua, se si arriti ky perandor te behet i tille?
Kush ja mundesoi keto bema?
Kush duhet t'ja ndaloi?
Ku jane Partia demokratike qe lindi per te bere demokraci e qe keto mos te ndodhin?

Shto koment

Denonco