Lajmi i fundit

INTERVISTA/ Skandalet dhe arti i manipulimit të publikut. Flet për Syri Tv Andi Bushati

FATF, MONEYVAL dhe Shqipëria në ‘Listën Gri’

FATF, MONEYVAL dhe Shqipëria në ‘Listën Gri’

Nga Besnik Muçi - 20/05/2022

FATF (The Financial Action Task Force) u krijuar nga Samiti I G7 në vitin 1989 me pjesëmarrjen dhe të Presidenti të Komisionit Evropian. Në 1990 nxori 40 rekomandime për luftën kundër Pastrimit të parave. Në vitin 2001, pas sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iu shtua dhe kompetenca për luftën kundër terrorizmit dhe nxori 8 Rekomandime. Në vitin 2004 rekomandimet u ripanë dhe dolën ato që sot quhen 40+9 Standardet e për luftën kundër PP/FT (Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizimit). Prej vitit 2016 FATF punon ngushtë me G20, dhe mbledhjen e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Bankave Qendrore në rang global.

FATF është mbikëqyrësi global i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Si Organ ndërqeveritar vendos standarde ndërkombëtare që synojnë të parandalojnë këto aktivitete të paligjshme dhe dëmet që ato i shkaktojnë shoqërisë. Si një organ politikëbërës, FATF punon për të gjeneruar vullnetin e nevojshëm politik për të sjellë reforma kombëtare legjislative dhe rregullatorë në këto fusha.

Me më shumë se 200 vende dhe juridiksione të angazhuara për zbatimin e tyre. Shqipëria është një prej tyre. FATF ka zhvilluar Rekomandimet e FATF, ose Standardet e FATF, të cilat sigurojnë një përgjigje të koordinuar globale për të parandaluar krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin. Ato ndihmojnë autoritetet të ndjekin paratë e kriminelëve që merren me drogë të paligjshme, trafikim njerëzor dhe krime të tjera. FATF gjithashtu punon për të ndaluar financimin për armët e shkatërrimit në masë.

FATF monitoron vendet për t'u siguruar që ato i zbatojnë standardet e FATF-së në mënyrë të plotë dhe efektive, dhe u kërkon llogari vendeve që nuk i përmbushin.

MONEYVAL(Committee of Experts on the Evaluation of Anti-MoneyLaundering Measures and Financial of Terrorism)u krijua nga Këshilli I Evropës në vitin 1997. Nga viti 2011 është mekanizëm i pavarur i KE dhe I përgjigjet direct Këshillit të ministrave.

Këshilli I Evropës I ka adoptuar Rekomandimet e FATF dhe ka krijuar mekanizmin e tij MONEYVAL.Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit - MONEYVAL është një organ i përhershëm monitorues i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të përputhshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën për t'u bërë rekomandime autoriteteve kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre. Nëpërmjet një procesi dinamik vlerësimesh reciproke, rishikimi dhe ndjekja e rregullt e raporteve të tij, MONEYVAL synon të përmirësojë kapacitetet e autoriteteve kombëtare për të luftuar në mënyrë më efektive pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

MONEYVAL është anëtare e asoociuar e FATF. Si MONEYVAL ka struktura për Azi-Paqësorin, EuroAzinë dhe Amerikën Latine. Këto struktura rankojnë shtetet anëtare lidhur me zbatimin e masave të LPP/LFT dhe mbi bazën e tyre FATF përpilon ‘Listën Gri’ dhe ‘Listën e Zezë’.

Krijimi i këtyre listave bën që institucionet financiare ti zhvendosin investimet nga vendet e listave gri dhe të zeza.

Komponentët e kontrollit nga FATF dhe MONEYVAL janë:

a- Kuadri Ligjor, nëse përputhet me standardet

b- Kuadri institucional, pra nëse vendet kanë të gjitha institucionet e nevojshme për zbatimin e këtyre masave

c- Rezultatet konkrete, lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që vijnë nga pastrimi I parave dhe financimi i terrorizimit

Ne të tre këto komponentë nga FATF dhe MONEYVALnë Shqipëri janë konstatuar probleme thelbësore, ose mangësi strategjike.

Ndaj dhe prej janarit të vitit 2020 Shqipëria është futur nga FATF në ‘Listën gri’, Jurisdiction under Increased Monitoring, dhe MONEYVAL prej vitit 2018 na ka futur në listën e vendeve me monitorim të zgjeruar, dmth që duhet të raportojmë çdo vit lidhur me zbatimin e rekomandimeve të saj.

Raporti I FATF i marsit 2022, për vitin 2021, vazhdon ta lërë Shqipërinë në ‘Listën gri’. Konkretisht thekson se Shqipëria ka nivel të papajtueshëm përputhshmërie me standardet e FATF për Luftën kundër Pastrimin e Parave dhe Financimin e Terrorizimit LPP/LFT, duke theksuar se kanë kaluar të gjitha afatet që Shqipëria të plotësojë defiçensat strategjike.

Më poshtë raporti i lë dhe detyrat konkrete Shqipërisë kur shprehet se ‘Që nga shkurti 2020, kur Shqipëria mori një angazhim politik të nivelit të lartë për të punuar me FATF dhe MONEYVAL për të forcuar efektivitetin e regjimit të saj LPP/LFT, Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt përmirësimit të regjimit të saj të LPP/LFT, duke përfshirë finalizimin e regjistrimit të pronave të paluajtshme dhe përfundimi i një projekti afatgjatë për reduktimin e ekonomisë informate.

Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë për zbatimin e planit të saj të veprimit për të adresuar mangësitë e saj strategjike, duke përfshirë: (1) krijimin e mekanizmave më efektivë për të parandaluar kriminelët të zotërojnë ose kontrollojnë DNFBP-të, Sektorët e Biznesit Jofinanciar dhe Profesionistët (Designates Non-Financial Businessis and Professions) duke përfshirë zbatimin e ligjeve të reja për rregullimin e ndërmjetësve dhe noterëve të pasurive të paluajtshme; (2) sigurimin se ekzistojnë mekanizma efektivë për aksesin në kohë nga autoritetet në informacionin e pronësisë përfituese të kompanisë, si dhe dënimet e duhura për mospërputhje ose dhënien e informacionit të rremë, duke përfshirë zbatimin e ligjeve të reja për të rritur popullaritetin e regjistrit të pronarëve përfitues dhe ngritjen e nivelit të sanksioneve administrative; (3) rritja e numrit të ndjekjeve penale për PP, veçanërisht në rastet që përfshijnë vepra penale të kryera jashtë vendit; dhe (4) demonstrimi i sekuestrimeve dhe konfiskimeve të aseteve të lidhura me pastrues parash të palëve të treta dhe profesionistë.

FATF inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë të zbatojë planin e saj të veprimit për të adresuar mangësitë strategjike të lartpërmendura sa më shpejt të jetë e mundur, pasi të gjitha afatet kanë skaduar’.

Në listën gri te rishpallur ne mars të këtij viti nga FATF janë 23 vende nga e gjithë bota, kryesisht nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Nga Kontinenti Evropian janë tre vende Shqipëria, Turqia dhe Malta (e njohur si vend I bizneseve of shore)

Zhvillim interesant I raportit të këtij viti të FATF është që Zimbave ka dalë nga ‘Lista gri’ këtë vit, dhe ne ende vazhdojmë të jemi. Ja çfarë thuhet në raportin e muajit Mars për Zimbaven ‘FATF mirëpret përparimin e rëndësishëm të Zimbabvesë në përmirësimin e regjimit të saj AML/CFT. Zimbabve ka forcuar efektivitetin e regjimit të saj AML/CFT dhe ka adresuar mangësitë teknike të lidhura me të për të përmbushur angazhimet në planin e saj të veprimit në lidhje me mangësitë strategjike që FATF identifikoi në tetor 2019. Prandaj, Zimbabve nuk i nënshtrohet më procesit të monitorimit të shtuar të FATF.

Zimbabve duhet të vazhdojë të punojë me ESAAMLG për të përmirësuar më tej sistemin e saj AML/CFT, duke përfshirë sigurimin që mbikëqyrja e OJF-ve të jetë e bazuar në rrezik dhe në përputhje me standardet e FATF’.

Ndërsa në ‘Listën e Zezë’, High Risk Jurisdictions, të FATF janë vende si Koreja e Veriut, Afganistani dhe Irani.

Lidhur me njoftimin e komitetit MONEYVAL datë 04.05.2022 për Shqipërinë vazhdon të theksohet fakti se ne mbetemi në procedurën e raportimit të zgjeruar për shkak se kemi nivel të papajtueshëm përputhshmërie me standardet e LPP/LFT të vendosura nga ky Komitet.

Të njëjtin qëndrim mban edhe raporti i Komitetit MONEYVAL për vitin 2021, i publikuar në këtë datë, i cili konkretisht shprehet se ‘Raporti vijues për Shqipëria ka konstatuar se vendi nuk ka bërë përmirësim të konsiderueshme të masave për të luftuar pastrimin e parave dhe financimi i terrorizmit në përputhje me rekomandimet e FATF. Ndër çështje të tjera, raporti shqyrtoi standardet e reja ndërkombëtare lidhur me kërkesat për asetet virtuale, duke përfshirë, kriptovalutat dhe ofruesit e këtyre aseteve. MONEYVAL vendosi që Shqipëria të mbetet në procedurën raportonit të zgjeruar dhe të raportojë përsëri në të ardhmen për progresin e   mëtejshme lidhur me forcimin e dhe zbatimin masave kundër PP dhe FT në baza vjetore’.

Por me shumë interes për qytetarin shqiptar është fakti se në datë 13 tetor të vitin 2020, ku ne sapo ishim future në ‘Listën gri’ të FATF,Parlamenti Europian i ka shtuar dy pyetje Komisionit Europian për Zgjerimin lidhur me procedurat e antarësimit të Shqipërisë:

1- Si e justifikon Komisioni vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke u nisur nga fakti që është pjesë e ‘Listës gri’ të FATF?

2- Çfarë hapash do të ndërmarrë Komisioni në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë nëse kjo e fundit vazhdon të jetë ende në ‘Listën gri’ të FATF?

Ende nuk ka informacion se si I është përgjigjur Komisioni Evropian i Zgjerimit këtyre pyetjeve por ajo që nuk thuhet është se qenia në ‘Listën gri’ të FATF përbën problem themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Fakt po ashtu është se Parlamenti Europain ka rrëzuar disa herë propozimin e Komisionit Europian për Zgjerimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

*Ish-anëtar i Komitetit MONEYVAL dhe ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco