Një President për PD!

Një President për PD!

Nga Florjan Nuri - 19/05/2022

Ky “procesi” transparent dhe jashtë mase gjithëpërfshirës për zgjedhjen e kreut të shtetit na ka lënë pa mend. Po rrotullohemi në karrige se ngjan sikur nuk jetojmë në Shqipëri. 

Palët janë “ulur” bashkë më njëra-tjetrën. Dialogojnë me qetësi, kapin duart dhe fërkojnë shpatullat dhe në rend të parë kanë vendosur një propozim në letër të dalë nga dora dhe goja e z.Alibeaj. 

Procese të tilla dialoguese, por shumë larg këtij të sotmit kemi parë dhe më parë. Por, të paktën ka pasur sinqeritet dhe qëndrime të forta, me akuza, por dhe argumenta politike dhe kushtetuese të secilës prej palëve të përfshira. Dhe mbi të gjitha, kanë kthyer dhe kokën pas, për të shlyer sado pak “gabimet” e të kaluarës… 

Sot është harruar gjithçka. A thua se problemi i vetëm i politikës është të qenit anti-komunist i Presidentit të ardhshëm. Po a ka më rëndësi të jetë anti-komunist apo të veprojë si i tillë në krye të detyrës? 

Cila figurë me integritet do të pranonte të quhej President i ardhur nga opozita kur do të merrte vetëm votat e një pjese të grupit parlamentar? Apo do mjaftohej vetëm me faktin se diku dhe dikur ishte shpallur anti-komunist? Integritetin zor se e gjen të shpjeguar në letra, por e gjen masivisht të detajuar me veprime në momente kyçe! 

Opozita e z.Alibeaj fatkeqësisht po vijon politikën e fitoreve të vogla të trumbetuara me aq zell më parë nga z.Basha. Kur shikonim disa figura të dores së tretë të dilnin nga dyert për shkak të ligjit të dekriminalizimit, dhe të nesërmen merrnim vesh se kishin hyrë nga dritarja direkt e në Kuvendin e Shqipërisë njerëz me probleme të theksuara me ligjin. Por ne e dinim se kishim fituar se ishte opozita ajo që e kishte propozuar atë ligj! 

Njesoj dhe me zgjedhjet e kaluara. Kur marrëveshja midis palëve politike u fshi me një të rënë të lapsit nga Kuvendi i atëhershëm dhe PD hyri në zgjedhje me sigurinë që do fitonte. Dhe fitoi në fakt! Votat ishin në kuti!  

Po i përmend këto elemente për një fakt të thjeshtë. Ujku qimen e ndërron, po zakonin s’e harron, thotë një fjalë e urtë popullore. Dhe ujku në rastin e zgjedhjes së Presidentit nuk është se ka ndonjë faj. Sepse bariu që do duhej ta mbante vathën të bashkuar e ka mendjen ta ndajë atë. Disa janë të tijat, ndërsa të tjerat i ka lënë në mëshirë të fatit. Madje, më shumë se kaq, jo vetëm që nuk bën asnjë tentativë t’i afrojë, por bën veprime konkrete t’i hedhë në greminë. Ju kujtohet besoj fjala e bariut Alibeaj para ish-sekretarit Pompeu apo jo? Dhe këtu nuk e kam fjalën për z.Berisha, por për qindra e mijëra demokratë që kanë zgjedhur të përfaqësohen nga kjo figurë politike dhe e kanë bërë të qartë tashmë këtë vendim të tyre me disa procese zgjedhore. 

Sot PD kishte dhe ende ka pak kohë nevojë të sjellë një frymë paqtimi dhe bashkimi për vete. Rastësi apo jo nuk e di, por PD sot ka nevojë të ketë Presidentin e vet. Jo si emër, por si frymë! Se “presidenti” për këtë punë është, të përcjellë një frymë tolerance dhe bashkimi. Koincidencë apo jo nuk e di, por legalizimi i fraksioneve, nisur nga procesi i zgjedhjes së Presidentit, kishte rastin e artë të zbatohej për herë të parë në PD. Ku në qëndrimin e unifikuar të palëve në PD të përfshihej dhe qëndrimi i asaj pjese të grupit parlamentar që mendon ndryshe nga z.Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit.

Ndërsa z.Alibeaj ulet njëherë me z.Balla, vendos gjithçka aty e më pas kujtohet që duhet mbledhur dhe grupi parlamentar të propozojë ndonjë emër. Dhe ndërmjet këtyre mban dhe një fjalë me zero peshë politike kur vjen puna të vlerësojë marrëdhëniet historike 100-vjeçare mes Shqipërisë dhe SHBA-së. 

PD e përfaqësuar sot nga z.Alibeaj ka zgjedhur përfaqësimin nga një avokat. Që të ngjason me historinë e një gjyqi. Kur përfundoi procesi gjyqësor dhe gjykata dha vendimin, pala humbëse nuk po kuptonte dot ngazellimin e avokatit te saj. Ore pse qesh ti i thanë pasi dolën nga gjykata. Fituam apo humbëm ne? Fituam i tha avokati, fituam të drejtën e apelimit të këtij gjyqi që humbëm sot! 

Sa i përket Presidentit tjetër, atij të shtetit, le ta zgjedhë ujku. Se dhe atë, ujkut i duhet për ta ngrënë në fund të historisë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco