Vizioni i Berishës, vizita e Pompeos dhe mantenuta e Ballës

Vizioni i Berishës, vizita e Pompeos dhe mantenuta e Ballës

Nga Çim Peka - 16/05/2022

Mike Pompeo është një politikan që pëlqen të citojë themeluesin e Amerikës, Abraham Lincoln. Mjafton të shohësh fjalimet dhe postimet e tij. Në fakt Lincoln ka shumë shprehje, por ndoshta ajo që do mbetet gjithmonë e pavdekshme është citimi i famshëm: “Një burrë shteti është ai që mendon për brezat e ardhshëm dhe një politikan është ai që mendon për zgjedhjet e ardhshme”. 

Kur qeverisja e Sali Berishës inicioi dhe mbrojti projektin e gazsjellësit Transadriatik, TAP, sigurisht që po mendohej për brezat në vijim. Projekti më i madh që kishte njohur Shqipëria synonte jo vetëm gazifikimin e vendit, por mbi të gjitha të kthente Shqipërinë në një portë hyrëse për gazin drejt Europës. Qëllimi final ishte që të shkëputej bota perëndimore nga varësia e armiqve historikë të Shqipërisë dhe vetë Perëndimit. 

Edi Rama vazhdoi të korrte frytet e këtij investimi gjigant, por asnjëherë nuk bëri një veprim prej burri shteti. Duke menduar vetëm për zgjedhjet e radhës, nuk e zgjeroi më tej projektin që do e vendoste Shqipërinë në epiqendër të furnizimit me gaz. 

Mëngjesin e 24 shkurtit, atëherë kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, botët u ndanë sërish me thikë. Aty u bë e qartë se çfarë do të thotë të investosh për të ardhmen. Gazsjellësi TAP nisi të dërgonte gaz drejt Europës perëndimore, duke çelur dyert për të shpëtuar nga varësia ruse. 

Pas vendimit të qeverisë së SHBA për të dërguar gaz në Europë, kompanitë amerikane nisën ta shohin Shqipërinë si një portë hyrëse fantastike për gazin.

Një ndër kompanitë e interesuara për t’u furnizuar me gaz përmes Shqipërisë ishte Overgas, një firmë bullgare, aksionet e së cilës janë shitur në masën 50 përqind së fundmi te kompania amerikane Linden Energy. 

Kjo e fundit, e interesuar që projekti të ecë përpara, solli në Tiranë kryetarin e bordit të këshillimit të kompanisë, ish-Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. 

Por ajo që ishte një vizitë biznesi, përfundoi si një abuzim nga mazhoranca dhe pjesëzat e opozitës së keqpërdorur.  

Natyrisht askush nuk pret që Edi Rama të falënderonte sot Sali Berishën që ka shtruar rrugën për investime madhore dhe strategjike. Nuk e ka bërë këtë as për çështje të tjera historike dhe vizionare, që nga anëtarësimi në NATO e deri te kryesimi i OSBE-së. 

Por më i turpshëm dhe skandaloz ishte qëndrimi i Enkelejd Alibeajt në këtë histori. Ai u soll as më shumë dhe as më pak, por si ‘mantenuta’ e Taulant Ballës, që në mënyrë të turpshme tentoi të merrte flamurin e njeriut që kishte sponsorizuar këtë vizitë. 

Pasi Balla i mori për dore dhe e çoi drejt podiumit, Alibeaj mbajti një fjalim skandaloz. Në të gjithë fjalën e tij, ai u ankua për Sali Berishën. Asgjë për keqqeverisjen, asgjë për korrupsionin, asnjë fjalë për krimin e organizuar. 

Teksa Balla i buzëqeshte nga salla, Alibeaj vazhdonte të shfrynte për situatën brenda në PD. Pompeo, që sapo ishte shprehur se është i gatshëm të punojë me opozitën si dhe me qeverinë, pa paragjykuar se kush është në pushtet, po e dëgjonte me habi. 

Në nënshkrimin e një memorandumi, që as marrëveshje dhe as kontratë nuk është, Alibeaj nuk tha asgjë se përse kjo qeveri në këto nënte vite nuk ka sjellë asnjë investim të madh të huaj në Shqipëri. Nuk shqiptoi asgjë për faktin se investitorët janë dëbuar dhe vendi po paguan qindra-miliona euro gjoba të arbitrazhit.

Nuk tha asgjë për Edi Ramën që ka kapur çdo pushtet në Shqipëri, më keq se edhe në kohën e Ramiz Alisë. Nuk i bëri buza të shprehet për ‘tutorin’ e tij Balla, që fluturon në vende ekzotike me kriminelët e njohur në vend. Thjesht lëshoi një luzmë kundër opozitës dhe njeriut që duhej të ishte falënderuar sot. 

Pak më vonë, Pompeo u nis drejt kampit të muxhahedinëve iranianë në Shqipëri. Sërish një projekt vizionar dhe i rëndësishëm me iniciator Sali Berishën. Një zot e di se çfarë poshtërsish do të kishte thënë nëse do e kishin ftuar edhe aty.

Por këtë herë nuk ishte. Qëndroi me Ballën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari16/05/2022 22:26

Hiqet si I perndjekur por e verteta eshte se Isa Toska gjyshi I tij e ka merituar plumbin sepse si Zan Caushi Isai ishte thjesht nje kacak kunder rregjimit te te Madhit Mbretit Ahmet Zogu.

Shto koment

Denonco